Mustafa : Rruga e Llovcës afron shqiptarët mes vete
Gjilan – Qemajl Mustafa është impresionuar me rrugën dhe ka thënë se rruga Pograxhë-Llovcë është e tipit ndërkombëtar dhe do të lidhet me pjesën tjetër të kufirit, që gjithashtu janë shqiptarë në komunën e Preshevës.
Kryetari i Komunës i shoqëruar edhe nga këshilltari Arben Mehmeti dhe zyrtar të tjerë kanë bërë një vizitë punimeve të rrugës në fshatin Llovcë që është një rrugë e tipit ndërkombëtar dhe do të lidhet me pjesën tjetër të kufirit, që gjithashtu janë shqiptarë në komunën e Preshevës”, është thënë ndër të tjerash në vizitën e bërë në këtë fshat, duke shtuar se në këtë mënyrë kufijtë bëhen relativë.
Qemajl Mustafa dhe Arben Mehmeti shpesh ballafaqohen e konfrontohen në asamble , por vizita që i bënë rrugës në fshatin Llovcës ata i ka bashkuar. Mustafa e Mehemti bashkë po ecnin tashmë mbi rrugën e asfaltuar nga “Zuka Comerc” që kap vlerën e 480 mijë eurove. Rruga e asfaltuar është parë si shpresë e vetme për kthimin e banorëve të shpërngulur dhe inkurajimin e atyre që kanë mbetur aty për të jetuar.
Mustafa është impresionuar me rrugën dhe ka thënë se rruga Pograxhë-Llovcë është e tipit ndërkombëtar dhe do të lidhet me pjesën tjetër të kufirit, që gjithashtu janë shqiptarë në komunën e Preshevës.
Sipas Mustafës këtë projekt e konsideron si relativisht të madh, i cili kushton afërsisht gjysmë milioni euro dhe që është një rrugë nëpër terren malor më mbi 3 kilometra gjatësi, e gjerësi 5.5 metra.
“Ky është projekt që i inkurajon fshatarët që të mos shpërngulen kah qyteti. Tashti Llovca e ka shkollën, ujësjellësin, kanalizimin, energji elektrike stabile dhe e bëri edhe rrugën. Tashti jo që nuk duhet të ketë shpërngulje nga ky fshat, por edhe ata që janë shpërngulur duhet të kthehen”, thotë Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit, sipas të cilit për komunën dhe qeverinë prioritet mbeten fshati dhe zonat pranë kufirit e fatkeqësisht pikërisht në këto treva ka lokalitete të pabanuara.
Edhe, Arben Mehmeti, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Asamblenë Komunale të Gjilanit e që vije nga ky fshat, thotë se meritorë për rrugën mbeten kryetari Qemajl Mustafa e Fadil Osmani, shef i Zyrës për Projekte, por edhe deputeti Lutfi Haziri dhe ai vetë, të cilët u angazhuan maksimalisht në këtë projekt sa të rëndësishëm, aq edhe domethënës për banorët e kësaj ane.
Ai tha se edhe kompania që është angazhuar në kryerjen e punimeve në mënyrën më të mirë të mundshme po i kryejnë punët. “Banorët e kësaj ane nuk kanë parë projekt më të rëndësishëm se ky dhe megjithëse kishin edhe investime të tjera në infrastrukturë, ky i tashmi është më domethënësi”, thotë Arben Mehmeti.
Fshati Llovcë, që dikur gumëzhinte nga banorët e shumtë, që nga vitet e shtatëdhjeta e këtej gjithnjë ka shkuar duke u zvogëluar. Tashti në këtë fshat jetojnë rreth 25 familje edhe pse shtëpi ka më shumë, por çdo fundjavë numri i banorëve rritet, kur në fshat kthehen familje nga qyteti. Llofcës tashti po i hapet perspektiva me asfaltin e ri.
Nuhi Xhelili përfaqësues i fshatit shprehet i kënaqur me punimet dhe thotë se komuna dhe Ministria kanë realizuar nëjrin nga projektet më të dobishme për këtë pjesë. “Tani janë kthyer shpresat dhe nuk kemi arsye të ankohemi” tha Xhelili./rajonipress/


