Fundamenti

Isa Mustafa, i vetmuar

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Baton Haxhiu – LDK-ja paraqiti kandidaturat për kryetarë të komunave. Por, fatkeqësisht apo fatmirësisht, varësisht se si e shikojnë LDK-në të tjerët, Isa Mustafa mbetet figura e vetme domethënëse, e sigurt dhe shpresëdhënëse e LDK-së.

LDK ka Isa Mustafën si figurë qendrore, lokale, që të gjithë konjukturës i jep siguri. Është i vetmi që i mobilizon dhe i shpëton Kryesinë dhe Këshillin e përgjithshëm nga deformimi total politik.

Ai është i vetmi që mund ta mobilizojë anëtarësinë e saj për të votuar; është ai që balancon armiqësitë brenda LDK-së, balancon padurueshëmritë e gjeneratave dhe bën një ekuilibër për dallimet e trashëguara që ka kjo parti me injorancën dhe dijen brenda saj.

Thjeshtë, i vetmi shpëtim për LDK-në në zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme është lideri i saj. Pa Isa Mustafën LDK-ja është pa shpirt dhe pa adresë.

Por ku është pjesa tjetër e LDK-së dhe kryesia e saj e vjetër? Shkurt disa qartësime për ata që nuk e dinë se si i sheh anëtarësia e saj.

Anëtarësia e LDK-së nuk e meriton këtë gjendje dhe duhet ndihmuar të dalin nga kjo situatë e qetë dhe përtace në këtë parti.

Fshehja pas argumentimit se duhet të heshtet për shkak të kundërshtarëve politikë, është moment jopolitik, sepse dëmin më të madh LDK-së po ia shkakton ky qëndrim, i cili faktikisht po e arsyeton politikën inerte të Kryesisë se kësaj partie.

Pyetja është a ka LDK njerëz që mund të bëjnë reforma, apo është Isa Mustafa i vetëm dhe e vetmja shpresë?

Individë, në kreun drejtues të LDK-së, nuk duan t’ia dinë për vlerësime të tilla. Si duket ata po e mbajnë peng LDK-në dhe po e ngarkojnë me përtaci kolektive, duke ia rrënuar bazën morale kësaj partie.

Vështirësitë më të mëdha për LDK-në do të dalin në fushatën zgjedhore, kur edhe kërkohen përgjigje konkrete në shumë çështje. Fitohet përshtypja se ata që po e mbajnë të motivuar LDK-në, nuk kanë as kurajë as dije që ta mbrojnë politikën dhe kandidatët e kësaj partie në një fushatë të së ardhmes.

Eco Higjiena

Në rastin e LDK-së, disa të rinj të cilët duan të ndryshojnë diçka, shikohen si njerëz që duan ta rrënojnë atë që është krijuar një herë e përgjithmonë. Ata shikohen si grup që don të copëzojë apo ta fraksionojë partinë, shihet si grup që ka plane si t’i rrëzojnë të vjetrit e partisë e tjera marrëzira si këto, që në gjuhën politike quhet Paranoja e meritokracisë autokratike .

Ekziston përshtypja te një pjesë e anëtarësisë së LDK-së, e sidomos te një pjesë të kryesisë së saj që konsideron se transformimi dhe profilizimi i LDK-së është kryer që atë ditë, kur ai është zgjedhur në ndonjë post. Por realiteti i fakteve tregon se LDK-ja është ngulfatur edhe më shumë nga metodat autoritare të vendosjes.

Shtrohet pyetja a ka të ardhme pa reformime? Përgjigjja është e gatshme; pa reformime nuk ka të ardhme politike të qëndrueshme jo vetëm brenda LDK-së, por as në Kosovë. Nëse LDK nuk pranon rimëkëmbjen këtë herë, mendoj se edhe ajo pjesë e saj e shëndoshë e cila po përpiqet të sjellë diçka të re me iniciativa që shpesh duken rebeluese, në kohë do të lodhet dhe një ditë mund të gjendet jashtë kësaj partie. Atëherë brenda LDK-së do të mbetet pjesa që nuk i do ndryshimet. Do të ngelin aty njerëz joautoritativë të cilët jashtë politikës nuk kanë arritur të bëjnë emër dhe mbiemër, dhe ngeljen në politikë e shohin si të vetmen hapësirë ku u mundësohet të jenë dikush, me shpresë se duke qenë aty ku janë, ndoshta nesër do të jenë në pushtet.

Është koha e fundit që të shpëtohet LDK-ja nga defaktorizimi përfundimtar, dhe te shtyhet kah fitorja në zgjedhjet që vijnë sepse ajo do të ishte një humbje e madhe për Kosovën dhe për shanset e demokracisë së saj.

Por një gjë është e qartë se te një pjesë e LDK-së nuk ka as brengosje për proceset politike që po ndodhin. Me siguri se ka edhe mungesë informacioni rreth asaj se çka po ndodh në skenën politike të Kosovës.

Ekziston e ashtuquajtura mbyllje në gëzhojën e vetëmjaftueshmërisë, që ka krijuar një ndjenjë rehatie, që pas gabimeve të shumta të bëra nga të tjerët.

Tek e fundit është paaftësi e anëtarësisë së saj për t’u inkuadruar dhe luftuar proceset që i kanë bërë aq dëme Kosovës.

Brenda LDK-së, thuhet se reforma duhet të fillojë brenda psikologjisë politike të të vjetërve të vetëmjaftueshëm në parlament. Të rinjtë e LDK-së duan fitore dhe kthim në parti qytetare.

Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ka pak gjasa të ketë sukses reforma në LDK. Të vjetrit e kësaj partie, në mungesë të reformave, rrezikojnë më së tepërmi nga figura e tyre dhe nga autoriteti i tepruar që është krijuar për ta. Nëse Isa Mustafa dëshiron ta reformojë LDK-në, do të duhej që këtë të fillonte ta bënte nga këta njerëz. Ai së pari duhet ta çlirojë LDK-në nga përtacët që presin gjithçka nga Isa Mustafa.