Takohet Këshilli Themelues i Universitetit të Gjilanit
Gjilan – Për herë të parë të hënën në Gjilan është takuar Këshilli Themelues për Universitetin e Gjilanit. Naser Mrasori këshilltar i ministrit Ramë Buja tha se sot është ditë e shënuar për Gjilanin derisa Qemajl Mustafa tha se ky këshill do të marri obligime dhe do të ndihmojë që Universiteti i Gjilanit të jetë funksional.
Me vendim të Ministrit të Arsimit Ramë Buja tashmë në Gjilan është emëruar Këshilli Themelues i Universitetit Publik të Gjilanit. Ky këshill që përbëhet nga Qemajl Mustafa, Sabri Tahiri, Behlul Brestovci, Naim Syla, Arben Dërmaku, Abdullah Alija, Blerim Kamberi, Fitore Malaj dhe Ilmi Ramadani është takuar të hënën për të marrë detyra dhe përgjegjësi të reja.
Nga ky takim edhe pritet të caktohet udhëheqësi i ekipit i cili do të merret me punët organizative dhe administrative deri në themelimin e Universitetit të Gjilanit.
Naser Mrasori këshilltar i Ramë Bujës i cili ishte i pranishëm në këtë takim së bashku me këshilltarin e Ibrahim Gashit, Abdullah Alijën tha se sot është ditë e madhe për Gjilanin dhe studentët e Anamoravës.
Mrasori tha se MASHT do ta ndihmojë e përkrah themelimin e Universitetit të Gjilanit dhe do të mundohet që të sjellë kuadro të afta e të profesionalizuara.
Kurse Qemajl Mustafa tha se sot po i ndërtojmë parametrat për themelimin e Universitetit publik të Gjilanit për t`i shërbyer një rajoni të madh.
Mustafa tha e ky universitet do të shfrytëzohet edhe nga studentët e Kosovës Lindore dhe ne si komunë dhe si këshill do të marrim obligime dhe detyra shtesë. “Thjeshtë do t`i ndajmë përgjegjësitë dhe detyrimet tona për të pasur një Universitet vërtet transparent dhe të dobishëm për Anamoravën” tha Mustafa.
Abdullah Alija këshilltar i rektorit Ibrahim Gashi tha se do të mundohemi që ky universitet të jetë shembull dhe model duke ofruar cilësi e disiplinë në punë.
Ende pa nisur mirë punën ky universitet shumë student të cilët dërgojnë imella në redaksinë e rajonipressit janë shprehur se në shumicën e rasteve mungojnë profesorët e rangut të parë, sidomos tek degët e juridikut dhe ekonomikut.
Sipas tyre i tërë mësimi mbahet nga asistentët e dorës së dytë dhe Gjilanin profesorët e Prishtinës e shfrytëzojnë për të kryer punët e tyre private dhe për të frekuentuar restorantet e bukura./rajonipress/


