Institucionet vendore e ndërkombëtare bashkohen kundër dhunës në familje
Gjilan – Në Gjilan të hënën është nënshkruar Marrëveshje Mirëkuptimi Kundër Dhunës në Familje, ku përpos përfaqësueseve të Kombeve të Bashkuara, nënshkrues kanë qenë edhe Komuna e Gjilanit, përfaqësues të institucioneve shëndetësore, gjyqësore, arsimore, të sigurisë, shoqata dhe organizma të ndryshme që përkujdesen për mirëqenien e familjeve.
Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit, i cili ka qenë njëri nga nënshkruesit e marrëveshjes, ka thënë se gjithkund ka probleme në këtë fushë, bile edhe në shtetet e zhvilluara dhe ka folur për praktikat që ka parë edhe gjatë vizitave studimore nëpër vende të ndryshme, derisa Osnat Lubrani, koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, ka thënë se janë pesë agjenci të Kombeve të Bashkuara, falë të të cilave për tri komuna në Kosovë, Gjilan, Gjakovë e Dragash do të jetësohet strategjia kundër dhunës në familje.
Sipas saj, edhe në vendet e tjera është shqetësuese dhuna në familje dhe kur flitet për parandalimin e dhunës në familje, atëherë ajo kërkon arsim, edukim, ngritje të vetëdijes dhe veprim të gjykatave.
Ajo tha se Gjilani është model edhe për pjesën tjetër të Kosovës se si kjo duhet të funksionojë në tërë Kosovën. Ajo tha se Gjilani ka një udhëheqësi të mirë e kjo qon deri te suksesi.
Lubrani, ka thënë se me memorandum këto mekanizma do të zyrtarizohen, derisa Flora Macula, drejtoreshë e UN Women, ka thënë se po bëhet punë e madhe dhe ka përkushtim kundër në familje.
Ajo ka thënë se planifikojnë që të bëjnë një plan vjetor për zbatimin e strategjisë dhe i vije shumë mirë që paria e komunës po bashkëpunon me shoqërinë civile.
Elmina Mahmuti komandante rajonale e policisë tha se e kemi formuar dhomën e posaçme për mbrojtjen e grave në stacionin policor të Gjilanit./rajonipress/

