Mavriqi: Publiku duhet të jetë i informuar për çdo vendim e veprim të institucioneve
Gjilan – Për transparencën flasim e diskutojmë shumë, por nganjëherë hezitojmë të jemi transparent.Është mirë që publiku të jetë vazhdimisht i informuar për çdo vendim e veprim të institucioneve. Dhe më e rëndësishmja pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje, qytetarët, OJQ-të shoqatat e ndryshme, bizneset etj., të marrin pjesë në vendimmarrje është shprehur Enver Mavriqi.
Në kuadër të projektit “Rritja e transparencës përmes pjesëmarrjes në qeverisje, buxhet dhe qasjes në informata publike dhe dokumente”, është mbajtur punëtoria e parë mbi përfshirjen e publikut në procesin e vendim-marrjes.
Rreth 36 përfaqësues të institucioneve komunale dhe organizatat e shoqërisë civile nga tri komuna (Kamenicës, Ranillugu dhe Novo Berdes) kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në diskutime për të bërë informacione të qasshme për publikun dhe për të siguruar se vendimet e komunës janë duke u bërë transparent dhe të përgjegjshëm.
Ata janë pajtuar që të forcohet bashkëpunimi në mes tyre për një qeverisje më efikase e transparente, si dhe të promovohen mekanizma të pjesëmarrjes qytetare dhe të sigurohet përfshirja substanciale e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes.
Në punëtorinë me temën “Rëndësia e përfshirjes së publikut në procesin e vendim-marrjes”, të organizuar nga OJQ “NOPM”, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Kamenicës, Enver Mavriqi, ka deklaruar se llogaridhënia, transparenca dhe pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje, janë tri parimet bazë të demokracisë në një shoqëri funksionale. “Secili prej nesh ka një përgjegjësi publike, ku në raste të caktuara duhet të japim llogari. Për transparencën flasim e diskutojmë shumë, por nganjëherë hezitojmë të jemi transparent. Është mirë që publiku të jetë vazhdimisht i informuar për çdo vendim e veprim të institucioneve. Dhe më e rëndësishmja pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje, qytetarët, OJQ-të shoqatat e ndryshme, bizneset etj., të marrin pjesë në vendimmarrje”, është shprehur ai.
Kryesuesi i Kuvendit të Kamenicës, tha se duhet të fokusohemi se si qytetarët t’i aktivizojmë në procesin e vendimmarrjes. “Është një faktor që ka ndikuar në largimin e qytetarëve nga institucionet, ai i zhgënjimit. Unë nuk e mohoj që ekziston një lloj zhgënjimi i qytetarëve me përfaqësuesit e zgjedhur” ka thënë ai.
Ndërsa, zyrtari komunal për Qasje në Dokumente Publike, Sylejman Morina, njoftoi se Komuna i është përgjigjur pozitivisht të gjitha kërkesave që i janë adresuar. “Vonesë në përgjigje kemi në dy raste, por nuk do të hyjë në detaje. Interesimi për qasje në dokumente publike, është vazhdimisht duke u rritur. OJQ-të dhe partitë politike janë ato që më së shumti paraqesin kërkesa për qasje në dokumente zyrtare. Shumica e kërkesave janë të natyrës së shpenzimeve komunale. Pos qytetarëve, duhet të vetëdijesohen edhe zyrtarët komunalë mbi obligimet e ligjit për qasje në dokumente zyrtare”, theksoi Morina.
Përfaqësuesit e OJQ “NOPM”, kanë prezantuar mënyra për rritjen e pjesëmarrjes së publikut në procesin e vendimmarrjes, ngritjen e shkallës së transparencës dhe llogaridhënies. Pjesëmarrësit në këtë punëtori, kanë sugjeruar që të organizohet një fushatë vetëdijesimi për qytetarët, për mënyrën e parashtrimit të kërkesave për qasje në dokumente publike, harmonizimin e ligjeve që bien ndesh njëri me tjetrin dhe kanë kërkuar nga zyrtarët qe të jenë më të përgjegjshëm dhe në afat ligjor tu përgjigjen të gjitha kërkesave të qytetarëve.
Kjo punëtori u organizua në kuadër të projektit “Rritja e transparencës përmes pjesëmarrjes në qeverisje, buxhet dhe qasjes në informata publike dhe dokumente”, që implementohet nga OJQ “NOPM” dhe financohet Fondacioni për Shoqëri të Hapur – KFOS. /rajonipress/


