Fundamenti

Kuvendi Komunal miraton kornizën buxhetore 2013-2016

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e të enjtes, të kryesuar nga Izmi Zeka, ka miratuar Kornizën Afatmesme Buxhetore 2013-2016. Opozita (LDK) ka votuar kundër, me arsyetim se ky buxhet nuk premton zhvillim.

Nuhi Nuhiu, drejtor për Financa, tha se buxheti komunal, gjatë tre viteve të ardhshme do të lëviz nga 20 milionë e 125 mijë euro, sa është planifikuar në vitin 2014, deri në mbi 21 milionë, në vitin 2016. Të hyrat vetanake do të shënojnë rritje deri në rreth 4 milionë, në vitin 2016, nga 3.6 milionë sa janë të planifikuara për vitin 2013.

Në bazë të planifikimit, nga viti 2014, grantet qeveritare për Komunën e Gjilanit do të shënojnë rritje graduale. Rritja e granteve qeveritare do të jetë përafërsisht nga 10,31 – 15,52% në krahasim me vitin 2013.

Duke e marrë parasysh se rritja është e vogël, Nuhiu ka thënë se ky është një buxhet, më shumë funksional se sa zhvillimor.

Sipas Arben Mehmetit (LDK), ky buxhet nuk premton zhvillim ekonomik, ndërkaq Zijadin Maliqi (LDK), tha se shpenzimet e planifikuara për mallra dhe shërbime janë të mëdha dhe kjo shkon në dëm të investimeve kapitale, ku edhe ashtu janë planifikuar mjete për mirëmbajtje, shpronësime e plane rregulluese, por nuk ka për projekte të reja. Maliqi pati vërejtje dhe te subvencionet për bujqësi, që janë simbolike.

Arben Maliqi (AKR) kërkoi më shumë investime në sport, kulturë dhe rini. Sadudin Berisha (LDK) ka thënë se buxheti nuk korrespondon me premtimet e qeverisë së Kosovës për investime dhe rritje pagash, ndërkaq Tahir Arifi (PDK) ka rikujtuar se kryeministri Thaçi i ka mbajtur premtimet e veta gjithmonë.

Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal ka thënë se qeveria e Kosovës ka ndarë disa mjete për komunën e Gjilanit, për nevoja të shpronësimeve dhe një shumë tjetër më të madhe do ta do ta ndajë me rishikimin e buxhetit. Ai i ka siguruar këshilltarët komunalë se projektet e nisura do të përfundohen.

Kuvendi ka miratuar edhe këmbimin e pronave në tre raste, dy me pronarë privatë dhe një tjetër me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Sqarime në pyetjet e këshilltarëve, të cilët kanë ngritur erdhe dilema ligjore në këtë aspekt, sidomos Arben Mehmeti (LDK), ka dhënë Sali Fazliu, shef i sektorit të Pronës në Drejtorinë e Kadastrës, i cili ka nënvizuar se në këto raste nuk bëhet fjalë për dhënie të pronës në shfrytëzim, por për këmbim pronash.

Uji Dea

Kuvendi miratoi edhe Planin Zhvillimor të Arsimit 2013-2016. Bujar Nevzati, drejtor për Arsim tha se ky është një plan real dhe i realizueshëm. Saranda Bllaca (LDK) ka thënë se plani nuk përputhet me Kornizën Afatmesme Buxhetore, ndërkaq Mimoza Shkodra (AKR) e vlerësoi të mirë planin. Izmi Zeka tha se duhet ta kuptojmë që planet janë ambicie që synohen brenda një periudhe më të gjatë se një vit.

Po ashtu, u miratua edhe Rregullorja për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës të subjekteve afariste në territorin e Komunës së Gjilanit, me ndryshimet e bëra.

Refik Hasani (PDK) e ka ringritur si nevojë çështjen e institucionalizimit të bashkëpunimit me komunat fqinje. Pas shumë diskutimeve dhe dilemave të opozitës, Kuvendi Komunal vendosi për formimin e një Komiteti për bashkëpunim ndërkufitar, ku do të përfaqësohen të gjitha subjektet politike që marrin pjesë në vendimmarrje.

Izmi Zeka ka thënë se ne jemi një popullatë, pavarësisht se kufijtë na ndajnë, prandaj bashkëpunimi është nevojë dhe interes i dyanshëm, ka thënë ai.

Arben Mehmeti (LDK) e ka quajtur projekt elektoral propozimin për formimin e këtij komiteti, prandaj ky grupim politik ka abstenuar në votim. Ndërkaq, Sadudin Berisha (LDK) tha se qeveria e Kosovës duhet të heq taksën për qytetarët e Luginës së Preshevës, nëse është e interesuar t`i ndihmojë ata, gjë kjo që, siç tha Izmi Zeka, do të ndodhë shumë shpejt.

Përndryshe, në pjesën hyrëse të seancës, Mehmeti e ka përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryesuesit, me arsyetim se grupimi i LDK-së tani është më i madh në Kuvend Komunal, ndonëse PDK, bashkë me partnerët e koalicionit,e kanë shumicën në vendimmarrje.

Ndërkaq, Zyra Regjionale e OSBE-së në Gjilan e ka vlerësuar bashkëpunimin e ndërsjellë, për çka i ka ndarë edhe një certifikatë Kuvendit Komunal, të cilën drejtori Ulrih Bifar ia ka dorëzuar kryesuesit Izmi Zeka. “Gjilani është në krye të listës për bashkëpunim me OSBE-në, në krahasim me komunat tjera të këtij regjioni”, ka thënë Bifar./rajonipress/

Mund të ju interesoj: