Marrëveshja e përbashkët e kufirit Bellanoc – Stançiq lajm i mirë për Anamoravën
Gjilan – Ish deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës Sabit Rrustemi thotë se marrëveshja e 24 qershorit 2013, e nënshkruar mes dy ministrave të punëve të brendshme, atij të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Maqedonisë, për hapjen e pikave të reja kufitare si dhe menaxhimin e integruar të kufirit mes dy shteteve është jo vetëm një lajm i mirë, po, edhe një hap drejt integrimeve në rajon e më gjerë.
Marrëveshja e menaxhimit të përbashkët të kufirit, në vendkalimin Bellanoc – Stançiq e cila u nënshkrua nga Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi dhe ministrja e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë, Gordana Jankullovska, e ka gëzuar ish deputetin e Republikës së Kosovës Sabit Rrustemin, po edhe kreun komunal Qemajl Mustafa.
Vendkalimi kufitar në Glloboçicë, që gjendet në mes të Gjilanit dhe Kumanovës, do të jetë i karakterit ndërkombëtar, respektivisht i kategorisë A. Financimi do bëhet nga Komisioni Evropian, si projekt i përbashkët i të dy shteteve është thënë në marrëveshje.
Ish deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës Sabit Rrustemi thotë se marrëveshja e 24 qershorit 2013, e nënshkruar mes dy ministrave të punëve të brendshme, atij të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Maqedonisë, për hapjen e pikave të reja kufitare si dhe menaxhimin e integruar të kufirit mes dy shteteve është jo vetëm një lajm i mirë, po, edhe një hap drejt integrimeve në rajon e më gjerë.
Rrustemi tha për rajonipress se sado që është zvarritur deri tash kjo marrëveshje, është në interes të dyanshëm. “Ndërsa përfituesit më të mëdhenj të saj do jenë shqiptarët, këndej e andej kufirit. E, në veçanti, Gryka e Karadakut dhe pjesa lindore e Kosovës”.
Rrustemi tha se formalitetet tjera rreth lehtësimit në zbatimin e saj dhe, bërjes realitet të hyrje – daljeve që shkurtojnë ma shumë rrugët si dhe mundësojnë më shpejtë të takohen njerëzit si dhe të lëvizin mallrat, të përmbushen sa më parë.
Sipas tij pika e Stançiqit që është pjesë e kësaj marrëveshjeje do të ndihmonte shumë në zhvillimin e bizneseve dhe kultivimin e turizmit e të bujqësisë në fshatrat e Karadakut.
Po ashtu, me rëndësi të veçantë transporti i mallrave në mes të dy vendeve dhe më gjerë në rajon.
Edhe, Qemajl Mustafa tha për rajonipress se është njëri nga lajmet më të mira që e merr kryetari i komunës së Gjilanit. “Është nxitje e zhvillimit ekonomik dhe e integrimeve të regjionit. Ndryshe krejt do të duket malësia e Zhegrës dhe ana në Maqedoni, Likova e Kumanova. Unë e përshëndes dhe e përgëzojë Qeverinë e Maqedonisë për këtë akt inkurajues e dobiprurës për rajonin” tha Mustafa.
Mustafa tha për rajonipress se kjo zonë ka shumë mundësi që të zhvillohet dhe ndërtohet falë këtij frekuentimi ndërkombëtarë që pritet të ndodhë pas hapjes së pikës kufitare në Stançiq .“Barrierat ndërkufitare jam i sigurt se më nuk duhet të jenë pengesë për tu zhvilluar dy shtetet andej e këndej kufirit. Bashkëpunimi ndërkufitarë sjellë punësime të reja, sjellë zhvillim ekonomik dhe pse jo prodhon edhe stabilitet siguri tek ne” tha Mustafa.
Kreu komunal është i bindur se shumë familje që janë zhvendosur nga këto zona, do të munden të kthehen dhe të mbijetojnë nga përfitimet që sjellë rajoni kufitar.
Ndryshe vendkalimi kufitar në Glloboçicë, që gjendet në mes të Gjilanit dhe Kumanovës, do të jetë i karakterit ndërkombëtar, respektivisht i kategorisë A. Financimi pritet të bëhet nga Komisioni Evropian, si projekt i përbashkët i të dy shteteve./rajonipress/


