Fundamenti

Ramadan Mehmetit i ndahet solemnisht çmimi letrar “Beqir Musliu”

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Në një ceremoni solemne në Asamblenë Komunale të Gjilanit Qemajl Mustafa i ka ndarë zyrtarisht çmimin letrar Beqir Musliu , Ramadan Mehmetit. Për arsyetimin e këtij çmimi folën Sabile Keqmezi- Basha e Prend Buzhala.

Të hënën në mënyrë solemne Ramadan Mehmeti ka pranuar çmimin letrar “Beqir Musliu” që ndahet nga Komuna e Gjilanit në bashkëorganizim me Ars Clubin “Beqir Musliu”.

Qemajl Mustafa duke folur para krijuesve të shumtë tha se Beqir Musliu e ka nderuar komunën e Gjilanit dhe hapësirën shqiptare dhe kjo është arsyeja që ne me shumë kompetencë tani për të shtatën herë po e ndajmë këtë çmim.

Mustafa tha se çmimi është ndarë kujdesshëm dhe është ndarë për shumë krijues edhe jashtë hapësirave të Gjilanit e Kosovës.”Unë personalisht, por edhe komuna e Gjilanit ju sigurojë se do të jemi gjithmonë pranë të gjitha arteve krijuese e në veçanti ndaj atyre krijimeve që kanë vlera e cilësi” tha Mustafa.

Për veprën dhe krijimtarinë e Ramadan Mehmetit foli Prend Buzhala. Buzhala tha se Ramadan Mehmeti i ka sjellur krijimtarisë shqiptare hiq më pak se 26 tituj. “Ramadan Mehmeti i ka dhënë një kontribut të madh letërsisë shqiptare dhe dhënia e çmimit letrar arsyetohet plotësisht” tha Buzhala.

Vendimin në emër të jurisë në përbërje Sabile Keqmezi – Basha, Nexhat Rexha dhe Emin Azemi e ka dhënë Sabile Keqmezi – Basha e cila tha se pas një shqyrtimi të hollësishëm të propozimeve të bëra nga subjekte letrare – kulturore, botuese dhe institucione të kulturës, gjashtë sish, në përputhje me Rregulloren për dhënien e Çmimit letrar “Beqir Musliu”, si dhe përgjegjësinë tonë të plotë me mandatin e dhënë , duke i respektuar dhe vlerësuar një për një propozimet e subjekteve në fjalë, madje edhe vlerësimet tona vetanake që dorën në zemër, fillimisht ishin të ndryshme, të hapura, por edhe shumë përmbajtësore , gjithnjë them duke marrë për bazë Rregulloren e këtij Çmimi ( që dosido do duhej zgjeruar në kërkesat e saja , në të ardhmen), erdhëm dhe deri te vendimi pajtues , e rezultat i këtij Vendimi, është emri i fituesit të sivjem të Çmimit letrar “Beqir Musliu”, çmim që nderon vlerat krijuese të një personaliteti krijues i cili ka rrumbullakësuar një karrierë letrare, duke qenë i suksesshëm në poezi, prozë e dramë dhe, ky emër është, shkrimtari i kësaj ane, Ramadan Mehmeti.

Basha tha se Ramadan Mehmeti, troket në botën e letrave shqipe në fund të viteve gjashtëdhjeta, për të ardhur përherë më i formësuar përmes botimeve letrare, nga mesi i viteve shtatëdhjeta e këndej, si në poezi, prozë, prozë poetike e në dramë.

Pjesë e një brezi shkrimtarësh të shquar nga kjo anë e Kosovës si Beqir Musliu, Mirko Gashi, Musa Ramadani e Ibrahim Kadriu, edhe Ramadan Mehmeti, që këtë vit shënon 65 vjetorin e lindjes dhe 40 vjetorin e krijimtarisë letrare, identifikim të vetin letrar do ta ketë Gjilanin, si një vendlindje mjaftë emblematike, ndërsa parësore në art do ta ketë figurshmërinë, që nga libri i parë, “Jeta pa titull” e deri te ky i fundit, i pabotuar, “Hiri i bozhureve”.

Njeri i urtë, i paimponueshëm, nganjëherë edhe i pavërejtur sa duhet, ai sjell zjarrin e fjalës, atë zjarr që shënon momentet më delikate të historisë, natyrisht me gjuhën e artit, e të cilat i përjetoi dhe, mbijetoi populli ynë, veçmas në poezi, po edhe në prozë si dhe në dy dramat e tij.

Në arsyetimin u jurisë thuhet se Ramadan Mehmeti, që prej botimit të veprës së parë, me poezi për të rritur, “Jeta pa titull”, 1977, nuk u ndal së shkruari. Që nga kjo kohë, letërsia për të u bë pjesë e jetës, vetë kuptimi i saj. Me këmbënguljen, durimin, zellin dhe prirjen, që rregullisht e ushqeu me gjetje të reja artistike, letërsisë shqiptare i dhuroi mbi 25 vepra zhanresh të ndryshme.

Ramadan Mehmeti u lind më 20 shtator 1948 në Livoç të Ulët të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prishtinë. Studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Me shkrime letrare merret që nga bankat e shkollës fillore. Është bashkëpunëtor i të gjitha gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe.

Shkrimet e tij janë përkthyer edhe në gjuhët rumune, serbe dhe boshnjake dhe është nderuar me shumë çmime letrare.

Është i përfshirë në disa antologji, si në Kosovë, Shqipëri dhe në Rumani. Është editor i shtëpisë botuese “Rozafa” të Prishtinës. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Është anëtar i Karvanit të Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton dhe vepron në Prishtinë.

Pas kësaj biografie të pasur Qemajl Mustafa solemnisht i ka dorëzuar çmimin letrar Ramadan Mehmetit. Vet Mehmeti tha se ndihet i nderuar që merr këtë çmim pikërisht nga një emër i madh dhe nga një aspirues gjilanas që i ka sjellur çdo të mirë këtij qyteti.

Uji Dea

Mehmeti tha se Beqir Musliu i ka sjellur Gjilanit lulëkuqet e Kosovës andaj e ndiej vetën krenar e të lumtur sepse me Gjilanin e për Gjilanin shtegtova për shumë vite.

Në fund Tahir Arifi moderator ka lexuar poezi të zgjedhura nga Beqir Musliu e Ramadan Mehmeti derisa tha se Ramadan Mehmeti është një hero lirik./rajonipress/

Vepra të botuara nga Ramadan Mehmeti

Poezi për të rritur:

1. “Jeta pa titull”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1977
2. “Koncerti i heshtjes”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1987
3. “Loja e ruletit”, poezi, Plejada, Prishtinë, 1994
4. “Requiem për Mirko Gashin”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1997
5. “Ringjallja”, SHSHK, Prishtinë, 1998
6. “Brigje shpirti”, poezi, Rozafa, Prishtinë, 2004
7. “Mëkate të zgjuara”, Rozafa, Prishtinë, 2004
8. “Loja e ruletit”, botimi i dytë, poezi, Faik Konica, Prishtinë, 2006
9. “Harpa e zemrës”, poezi për të rritur, SHB Beqir Musliu, Gjilan, 2011

Poezi për fëmijë

10. “Ti je e vogël”, poezi për fëmijë, Iliriku, Prishtinë, 1997
11. “Te guri i atdheut”, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2000
12. “Zemrat bëhen ura”, vjersha për fëmijë, Rozafa, Prishtinë, 2002
13. “Testament i gjyshit”, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2006
14. “Te guri i atdheut”, botim i dytë, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2006
15. “Kur pikëllohen zogjtë”, poezi për fëmijë, Rozafa, Prishtinë, 2007
16. “Të kam zog”, poezi për fëmijë, Rozafa, Prishtinë, 2010
17. “Bora me akullore”, poezi për fëmijë, Rozafa, Prishtinë, 2012
18. “Sheshi i shqiponjës”, tregime për fëmijë, Faik Konica, Prishtinë 2012

Drama:

19. “Ura e Maskatarit”, dramë, Rozafa, Prishtinë, 2007
20. “Poshtërim i ndjenjës”, dramë, Ombra GVG, Tiranë, 2007

Përzgjedhje:

21. “Bekim i gjurmëve”, libër i poezisë së përzgjedhur nga Anton N. Berisha, Rozafa, Prishtinë, 2008
22. “Testament letrar”, mendimi kritik për krijimtarinë letrare të Ramadan Mehmetit, përgatitur nga Prend Buzhala, Rozafa, Prishtinë, 2008

Prozë:

23. “Fusha e korbave”, tregime, Rilindja, Prishtinë, 2000
24. “Hëna mbi taverne”, Ombra GVG, Tiranë, 2012
25. “Hiri i bozhureve”, prozë ROZAFA, 2013-06-15
Vepra të përkthyera:
26. “Pentagrama inimii” (Pentagrami i zemrës), Bukuresht, 2009

Mund të ju interesoj: