Karaqeva me protesta paqësore tenton ta ndalë xhandarmërinë serbe
Gjilan – Selver Lenjani kryetar i këshillit lokal në Karaqevë tha për rajonipress se në shenjë revolte ndaj heshtjes së institucioneve kosovare ndaj rastit të Karaqevës më 29 qershor rreth 3200 banorë do të protestojnë në vijën kufitare me Serbinë që ndodhet në fshatin Novosellë. Ne do ta bllokojmë hyrjen e xhandarmërisë serbe, nëse është nevoja edhe në këtë formë thotë ai.
Karaqeva nuk do rrijë tutje duarkryq dhe nuk do të heshtë përballë provokimeve të vazhdueshme të xhandarmërisë serbe e cila gati çdo ditë e ka kthyer në rutinë shkeljen e vijës kufitare.
Duke parë injorimin dhe anashkalimin nga ana e institucioneve komunale banorët e Karaqevës, rreth 3200 banorë sa janë , por të përkrahur edhe nga fshatrat tjera dhe vet qytetarët e Kamenicës më 29 qershor kanë vendosur të protestojnë në hyrje të vijës kufitare me Serbinë në fshatin Novosellë.
Selver Lenjani kryetar i këshillit lokal të Karaqevës tha për rajonipress se protesta do të jetë paqësore dhe mesazhi i saj është se tash e tutje mburojë e xhandarmërisë serbe do të jenë vet banorët.”Ne kemi shpresuar se marrëveshja Thaçi- Daqiq do t`i eliminojë këto provokime dhe ne do të jetojmë të lirë e pa brenga, por në fakt xhandarmëria serbe vetëm sa është trimëruar më shumë dhe gati çdo ditë po hynë në brendi të territorit të Kosovës” u shpreh Lenjani.
Lenjani shpreson që edhe institucionet komunale, OJQ, partitë politike dhe shoqëria civile do të jenë përkrahës të protestës pasiqë kjo protestë është në interes jo vetëm të Karaqevës, por në fakt edhe të ruajtjes së kufirit të shtetit të Kosovës.
Edhe, Shaip Surdulli kryetar i Kamenicës i kontaktuar nga rajonipress tha se e përkrah protestën paqësore të Karaqevës. “KFOR-i amerikan kanë qenë mirë të informuar për këtë problem dhe realisht reagimet tona patën bërë efekt , meqë rreth dy vite nuk ka pasur hyrje të xhandarmërisë serbe. Tani këtë të enjte ajo sërish ka provokuar duke hyrë në territor të Kosovës “ tha Surdulli.
Surdulli mendon se çdo protestë paqësore ka një mesazh dhe kjo në radhë të parë duhet të ndërgjegjësojë institucionet tona qendrore që pak janë kujdesur për vijën kufitare dhe bashkësinë ndërkombëtare e cila po toleron këtë sjellje të pakuptimtë të forcave serbe. /rajonipress/

