Pse nuk modernizohet administrata komunale?!
Nga Nuhi Ismajli – Administrata komunale gjilanase është një administratë shumë e prapambetur, primitive, si në gjendjen e para dyqind vjetëve! Apo edhe më keq. Në këtë administratë, ndonëse në zyrat e saj ka kompjuterë, kompjuteri nuk bën punë më shumë se një makinë shkrimi e para disa shekujve!
Udhëheqësit e administratës komunale, me nivelin e tyre të palakmueshëm të dijes, angazhimit, përgjegjësive zyrtare e qytetare dhe me mungesën totale të vizionit për avancimin e saj, nuk kanë bërë gjë e as e kanë idenë se administrata është dashur të modernizohet, mund dhe duhet të modernizohet, për hir të shërbimit, lehtësimit të jetës së qytetarëve dhe obligimit që shteti ka ndaj tyre.
Kështu, në mungesë të një administrate moderne, sot, qytetari gjilanas torturohet nga një administratë tejet primitive.
Për një administratë tejet primitive gjilanase dhe për mungesën totale të vizionit dhe angazhimit për përsosjen e saj, u bindëm edhe vetë, kur na ndodhi të ishim pjesë e mijëra qytetarëve të torturuar, vetëm për hir të një vërtetimi, për kryerjen e obligimeve tatimore. Mijëra qytetarë gjilanas, gjatë prillit e majit të këtij viti, vetëm për shkak të një administrate primitive, u detyruan të shkojnë vetë në sportelet e Drejtorisë për Buxhet e Financa, për të marrë një vërtetim, për t’i dëshmuar po ashtu komunës së tyre se kanë kryer obligimet tatimore! A nuk është absurd që qytetarët, në shek. XXI, të torturohen në këtë mënyrë?! A nuk munden organet komunale gjilanase, me gjithë arritje teknike që ka sot njerëzimi, të dhënat për qytetarin t’i kërkojnë e t’i transferojnë kudo që është e nevojshme, pa e maltretuar atë, si po e maltretojnë tani?!
Sipas një paraqitjeje publike të drejtorit për Buxhet e Financa, të komunës së Gjilanit të botuar në portalet lokale e qendrore më 9 qershor 2013), organet komunale të Gjilanit nuk paskan mundësi të këmbenin të dhënat midis tyre! Ky rast, i shprehur publikisht, tregon se në krye të institucioneve gjilanase janë vendosur individë që jo vetëm nuk kanë punuar për modernizimin e administratës komunale, po as nuk e dinë se është dashur, mundet dhe duhet që shërbimet shtetërore ndaj qytetarëve të përsosen krahas arritjeve teknike të njerëzimit.
Sa primitive është administrata komunale gjilanase dhe sa torturë të madhe paraqet kjo për qytetarin, janë dëshmi rreshtat e gjatë e grumbujt e mëdhenj të qytetarëve pranë sporteleve. Mund të shihet një realitet i tillë shqetësues për çdo ditë, dhe gjatë tërë kohës së orarit të punës. E tëra kjo është rrjedhojë e paaftësisë së institucioneve tona për të dhënë e për të marrë informacione të nevojshme nga njëra-tjetra, lidhur me ndonjë dokument të kërkuar nga qytetari. Në mungesë të funksionimit modern të institucioneve tona, qytetari vetë, nga institucioni në institucion, nga zyra në zyrë dhe nga sporteli në sportel, duhet të endet shumë dhe për një kohë të gjatë vetëm për një dokument.
Kështu, mund të ndodhë që, vetëm për një certifikatë të datëlindjes, qytetari të maltretohet duke siguruar edhe një, dy, tri, apo edhe më shumë dokumente të tjera, si të dhëna të nevojshme për sigurimin e dokumentit të kërkuar!
Kjo është tejet e paarsyeshme. Për sigurimin e një dokumenti qytetari nuk duhet të obligohet të nxjerrë dokumente të tjera. Institucioni duhet t’i ketë të gjitha informacionet e nevojshme për qytetarin ose mundësinë t’i kërkojë e t’i gjejë vetë të dhënat e nevojshme për dokumentin e kërkuar. Pra, për nxjerrjen e një certifikate të lindjes p. sh. qytetari nuk ka nevojë ta sigurojë edhe certifikatën e martesës së prindërve të tij. Të dhënat e tilla të nevojshme duhet t’i ketë organi që lëshon dokumentin e kërkuar nga qytetari.
Një administratë moderne nuk torturon qytetarin duke detyruar atë t’i kërkojë vetë të dhënat, pasi ato të dhëna i siguron vetë ajo, pa marrë parasysh llojin e dokumentit që kërkohet nga qytetari. Kështu, edhe administrata komunale gjilanase duhet të modernizohet në mënyrë që t’ua heqë dënimin e pamerituar qytetarëve dhe t’iu shërbejë atyre në harmoni me kohën në të cilën po jetojmë.
Por, për modernizimin e administratës komunale gjilanase, duhet të mënjanohen edhe disa të meta të tjera. Një nga ato të meta ka të bëjë me praninë e gabimeve të ndryshme në dokumentet që i lëshohen qytetarit. Qytetarët gjilanas ankohen gjithnjë e më shpesh për gabimet në dokumentet e tyre. Gabime në emra. Gabime në mbiemra. Gabime në emra vendesh. Gabime në data…Gabime që shqetësojnë e maltretojnë qytetarët për fajin e zyrtarëve, të cilët nuk dinë të lexojnë e të shkruajnë, që nuk njohin vlerën e dokumentit shtetëror, as përgjegjësinë zyrtare të tyre.
Zyrtarët që lëshojnë dokumente shtetërore duhet ta njohin mirë kulturën e gjuhës, në mënyrë që t’i lexojnë dhe t’i shkruajnë si duhet të dhënat e dokumenteve. Ata, përveç tjerash, duhet të jenë edhe të vetëdijshëm për vlerën e dokumentit.
Administrata komunale gjilanase, në bazë të asaj si po dëshmohet në praktikë, do të ketë nevojë të kthehet të rilexojë dhe të korrigjojë shumë dokumente, në mënyrë që të mënjanojë shqetësimin e maltretimin e qytetarëve, i cili do të vazhdojë gjatë.
Modernizimi i administratës komunale gjilanase, në pajtim me arritjet njerëzore të shek. XXI, mund dhe duhet të bëhet. Por kjo mund të arrihet vetëm me njerëz të ditur, punëtorë e me vizion dhe jo me dordolecë kopshtesh (të një kohe të perënduar).


