Mobi Casa

Maksima e keqqeverisjes së PDK-së!

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Adrian Çollaku – Tashmë është bërë traditë që para zgjedhjeve Qeveria e Kosovës të marrë vendime “të mëdha” edhe për nga efektet elektorale. Qeveria e drejtuar nga lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, e ka instaluar këtë sistem të marrjes së vendimeve qeveritare elektorale.Na kujtohet shumë mirë vendimi për themelimin e Universitetit Publik të Prizrenit, i cili ishte bërë në kohë zgjedhjesh.

E çka ndodhi pastaj me këtë universitet, nuk do koment. Entuziazmi treti shpejt, sepse universiteti, tashmë e dini, u tregua i dështuar. Pos punësimit të disa militantëve partiakë dhe largimin e disa të rinjve nga “rruga”, ky universitet nuk ka arritur asgjë tjetër. Për shkencë as mos të flasim!

Tani kur jemi në prag të zgjedhjeve lokale, Qeveria e Kosovës merr vendim edhe për themelimin e disa universiteteve tjera publike, tash edhe në Gjilan, në Mitrovicë, në Gjakovë… Si popull universitar që jemi, dashamirë të mëdhenj të dijes, normalisht se na ka hije që të mos lëmë qytet apo qytezë pa një universitet. Për atë se çfarë studentësh dalin nga këto universitete si prodhim serik apo sa dhe kujt do t’u vlejnë ato letrat në formë diplome universitare që marrin ata të rinj që së paku do kohë i kalojnë korridoreve apo sallave të tyre, nuk çan kush kokën. E për atë sa diplomat e tyre do të jenë konkurrente me diplomat e kolegëve nga rajoni e më gjerë, s’kemi pse e lodhim kokën.

Cili pra qenka qëllimi i hapjes së këtyre universiteteve? Nëse dijes nuk i shërbejnë, kujt i duhen dhe në shërbim të kujt janë ato?

Me këso lojërash elektorale universitare PDK-ja pretendon që në njërën anë ta fitojë pushtetin, duke proklamuar para qytetarëve se kjo qeveri po mendon për ta, madje duke ua sjellë institucionin e dijës në derë të mëhallës, ndërsa në anën tjetër me hapjen e këtyre universiteteve i mundësohet secilit maturant që të studiojë, dhe në këtë mënyrë automatikisht ta ulë edhe “papunësinë”, sepse studentët në këtë mënyrë nuk llogariten më si të papunë.
***
Pos universiteteve, qeveria Thaçi tash doli me një zbulim të ri, pasi e ka futur në modë edhe themelimin e komunave të reja. Vetëm brenda një muaji, qeveria merr vendim për themelimin e dy komunave në rajonin e Hasit, atë të Rogovës dhe atë të Gjonajt. Me gjasë deri në mbajtjen e zgjedhjeve shumë katunde tjera do të shpallen komuna dhe apetitet tanimë janë në rritje.

Se këto dy komuna të themeluara janë me efekte elektorale, është shumë e thjeshtë për t’u dëshmuar. E di vetë edhe kryeministri Thaçi dhe njerëzit e partisë së tij që e drejtojnë komunën e Prizrenit, se sa para kanë investuar për dy mandate në këtë rajon. Zero. Madje ka fshatra ku nuk është investuar as edhe një cent. E ritheksoj- asnjë cent.

FIDANISHTJA

Për çudi, qeveria e PDK-së papritmas u bë shumë “humane”, madje duke i dhënë rajonit të Hasit dy komuna.E pse jo? Në njërën anë me krijimin e fshatit Gjonaj komunë, PDK e ka shumë më të lehtë fitoren në Prizren, sepse tradicionalisht ky rajon i ka bërë pengesa për t’i fituar zgjedhjet në qytetin e lashtë, derisa me krijimin e komunës së Rogovës, Thaçi synon që t’ia prishë punët AAK-së në Gjakovë, gjegjësisht këtë qytet ta fitojë AKR në krye me Mimoza Kusari- Lilën.

***

Nuk janë këto të vetmet vendime me bazë elektorale. Jam më se i bindur se edhe vetë kryeministri Thaçi por edhe PDK-ja është e vetëdijshme se këto universitete dhe komuna të reja nuk i pret asnjë sukses, sepse nuk janë krijuar mbi bazën e nevojave të qytetarëve , por mbi bazën e interesave politike e partiake.Qoftë larg që dikush të jetë kundër hapjes së universiteteve apo komunave të reja. Por, për këtë duhet që të ketë infrastrukturë, duhet të ketë kuadro, duhet të ketë një studim të nevojave të qytetarëve…

Kështu si ka nisur, ato e kanë një dhe të vetmin qëllim: që PDK-së t’i sjellin fitore zgjedhore dhe së paku edhe për një kohë ta blejnë paqen sociale. Edhe Thaçit e edhe partisë së tij aq u bën për pasojat që do t’i kenë këta të rinj dhe vendi nga tërë ata të “diplomuar”, të cilët nuk do të punojnë çfarëdo pune, por do të kërkojnë vendin e premtuar në zyrë, sepse kanë diplomë, madje edhe të masterit.

Paramendoni pas tri- katër vjetësh çfarë telashe do t’i sjellin ata pushtetit. Kushdo që do ta ketë pushtetin, kur kjo armatë e “intelektualëve” të dalë nga shkollat “politike” të themeluara nga kjo strukturë qeverisëse. Blerja e paqes sociale do të dëshmohet se ka qenë e përkohshme. Por Thaçit e PDK-së aq u bën çka do të bëhet kur ata të mos jenë më. Pas meje u bëftë kiameti, është maksima e tyre, tash e sa vite.