Shahin kërkon më shumë punësim të komuniteteve në Spitalin e Gjilanit
Gjilan – Komiteti për Komunitete në Gjilan, së bashku edhe me KFOR-in amerikan kanë vizituar të martën Spitalin Regjional të Gjilanit, ku janë pritur nga drejtori dr. Abdylatif Latifi, i cili i ka informuar për repartet, shërbimet, stafin, por edhe për ambiciet që i kanë si institucion shëndetësor regjional.
Me këtë rast drejtori Latifi, ka thënë se në SRGj ka edhe të punësuar nga komunitetet, porse ende ka nevojë për punësime të kësaj natyre, sikurse që tha se rritja e numrit të punësimeve kërkon edhe mjete buxhetore dhe kjo lë për të dëshiruar, edhe përkundër vullnetit të Spitalit dhe të Ministrisë së Shëndetësisë. “Ka një rritje të vizitave nga pacientë të minoriteteve, dhe kjo është e mira sepse ata tani po vizitojnë institucionin e përgjegjshëm dhe po largohen nga vizitat në institucionet shëndetësore paralele” ka spikatur Latifi.
Ndërsa sa i përket punësimeve, në SRGj, ka shtuar se kemi punëtor joshqiptar, ka serb, ka turq etj, dhe të gjithë janë të lirë në punën e tyre dhe nuk dallohen fare për nga etnia. Me rëndësi është përherë që puna të kryhet ashtu siç duhet dhe në mënyrë profesionale.
Ndërsa kryesuesi i Komitetit për Komunitete, Kemajl Shahin së bashku me anëtarët e tjerë thanë se bashkë me drejtorin do të kërkojnë në Ministri të Shëndetësisë, mundësinë e shtimit të numrit të punëtorëve nga radhët e minoriteteve, sepse edhe për komunikimin me pacient një gjë e tillë është më e lehtë. “Ne bashkërisht do ta bëjmë një rekomandim për ministri që kjo të mundësohet, edhe përkundër që mundësitë buxhetore ndoshta nuk lejojnë një gjë të tillë” tha Shahin.
Ai dhe anëtarët e tjerë janë shprehur të lumtur që një disponim i mirë dhe një përkushtim i kësaj natyre është edhe në udhëheqjen e Spitalit Regjional të Gjilanit.
Të gjithë së bashku kanë bërë thirrje që të gjithë të cilët kanë nevojë për ndihmën mjekësore t’i drejtohen SRGj, sepse trajtimi është i barabartë, lëvizja deri në këtë institucion është e lirë si asnjëherë më parë dhe shërbimet janë plotësisht profesionale./rajonipress/


