Kadriu: Gjilani ndodhet në kolaps të përgjithshëm
Gjilan- Kreu i AAK-së në Gjilan Rexhep Kadriu në një takim me gazetarët këtë të mërkure ka akuzuar udhëheqjen komunale se e ka zhytur Gjilanin në kolaps total duke e shkatërruar çdo resor dhe duke e bërë qytetin jofunksional në të gjithë sferat raporton rajonipress.
“Gjilani tashmë ndodhet në një kolaps total falë udhëheqjes komunale e cila nuk i trajton drejtë dhe seriozisht kërkesat e qytetarëve dhe me një joprofesionalizëm dhe papërgjegjshmëri të skajshme e ka zhytur qytetin në mjerim të plotë”.
Kështu tha Rexhep Kadriu kryetar i AAK-së në Gjilan dhe kandidatë për kryetar të Gjilanit.
Kadriu tha se AAK-ja me kohë ka reaguar ndaj abuzimeve që po bënë pushteti aktual duke dëmtuar interesat e qytetarëve të Gjilanit dhe duke bërë veprime antiligjore dhe duke shkaktuar një kaos në të gjitha sferat. “AAK me kohë ka dhënë alternativat për ta nxjerrë Gjilanin nga ky kolaps i mjerë. Kjo udhëheqje komunale ka ngecje në arsim, shëndetësi, urbanizëm, administratë, bujqësi, shërbime publike”.
Sipas Kadriut kryetari i komunës nuk po e sheh gjendjen e rëndë tek lumi “Mirusha”, ku nuk po respektohet plani dinamik i punimeve, po pengohet lëvizja e lirë e qytetarëve, po ndotet ambienti dhe ky vend në vend se të jetë një oazë qetësie ashtu edhe siç është proklamuar nga pushtetarët tani po shndërrohet në një shkretëtirë të Saharës. Jeta aty është bërë e padurueshme” ka spikatur Kadriu.
Sipas tij bizneset përreth lumit “Mirusha” tashmë janë në falimentim dhe paramendojeni se çka do të ndodhte me ardhjen e mërgimtarëve. Kadriu ka kërkuar sqarime nga kreu komunal se çka ndodhë me rrugën “Sadullah Brestovci”, ku gropat tash e 15 muaj ende janë të hapura, pastaj rruga tek Fabrika e Radiatorëve, rruga Gjilan – Dardanë.
Kadriu është i zhgënjyer me pushtetin komunal i cili edhe pse AAK ka bërë më shumë se 20 kërkesa për të ndihmuar qytetarët vullnetarisht ende përgjigje s`kanë marrë me shkrim.”Kryetari i komunës e ka mandatin të punojë për qytetarin dhe ka obligim kushtetues sepse qytetari i kryen obligimet e tij me taksa”.
Kadriu ka ngritur edhe një shqetësim të zonës industriale cila sipas tij edhe 14 vite pas luftës ende nuk ka kanalizim. “Ky pushtet duhet t`i kryej obligimet ndaj biznesit privat të cilin po e shkatërron çdo ditë. Pse nuk është hyrë në negociata për të ruajtur çerdhen e fëmijëve dhe kompleksin e ekonomisë së pyjeve. Kjo gjendje e mjerë e krijuar nga udhëheqja komunale dhe e aprovuar në heshtje nga PDK-ja është e pa tolerueshme dhe qytetarët e Gjilanit këtë gjendje nuk e meritojnë” tha Kadriu.
Kadriu e ka përkujtuar pushtetin komunal se me pak punë vullnetare dhe me një angazhim të tij vetanak financiar dhe të aktivistëve të AAK-së ka arritur të riparojë disa rrugë në qytet e fshatra.”Për tërë këtë kontribut timin vullnetar në vend se të marrë mirënjohje nga komuna, unë po akuzohem se po e shkeli ligjin” tha Kadriu.
Kadriu tha se ai dhe AAK nuk do të ndalet përkundër presioneve ligjore.”Besoj se qytetarët do t`i vlerësojnë premtimet dhe dështimet e kësaj qeverisje dhe do të zgjedhin njeriun e duhur, njeriun më të mirë që në çdo kohë do të jetë pranë tyre. Unë kam besim të madh se unë dhe AAK-ja në tetor do të dalim fituese të zgjedhjeve dhe AAK do të qeverisë me Gjilanin për të treguar se jemi shembull i një qeverisje model e përkushtues ndaj çdo sfere të qytetarëve “ tha Kadriu./rajonipress/


