Ramadan Mehmeti fitues i çmimit letrar “Beqir Musliu”
Gjilan – Nexhat Rexha në emër të jurisë tha se fitues i çmimit letrar “Beqir Musliu” është shkrimtari Ramadan Mehmeti. Rexha tha se këtë çmim e ka marrë me meritë Ramadan Mehmeti sepse është një personalitet dhe krijues që e ka rrumbullakësuar një karrierë të bujshme letrare.
Në zyrën e kryetarit të Komunës të shtunën është bërë publik fituesi i çmimit letrar “Beqir Musliu”. Juria letrare e përbërë nga Sabile Keqmezi Basha, Nexhat Rexha dhe Emin Azemi njëzëri kanë shpallur fitues në një konkurrencë të fortë Ramadan Mehmetin shkrimtar dhe krijues nga Gjilani raporton rajonipress.
Nexhat Rexha i cili foli në emër të jurisë tha se Ramadan Mehmeti me plotë meritë e ka fituar këtë çmim sepse për shumë vite ka qenë i suksesshëm në prozë, poezi, dramë dhe me sukses ka përmbyllur karrierën e tij të pasur letrare.
Rexha tha se Ramadan Mehmeti është autor i 26 veprave krijuese të zhanreve të ndryshme dhe ka lindur në Livoq të Gjilanit. Është i përfshirë në disa antologji si në Kosovë, Shqipëri dhe Rumani. Është editor i shtëpisë botuese “Rozafa” dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Rexha tha se në konkurrencë për të marrë këtë çmim ishin edhe Eqrem Basha, Mexhit Mehmeti etj. Sipas tij ka pasur nominime serioze të autorëve të ndryshëm.
Edhe Qemajl Mustafa i cili aty për aty mori vesh për fituesin tha e përzgjedhja është bërë me kompetencë të plotë dhe profesionale . Mustafa tha se jo vetëm ky çmim simbolik prej 2000 eurove, por ne si institucione kemi obligime të mëdha ndaj veprës dhe krijimtarisë së Beqir Musliut.
“Ne po mundohemi që me 10 mijë euro ta botojmë tërë veprimtarin e Beqir Musliut dhe pasi ta kompletojmë këtë atëherë mund të llogarisim se i kemi dalur hakut këtij krijuesi të madh të letrave shqipe në Kosovë e përtej” tha Mustafa.
Kurse Sabit Rrustemi drejtues i Ars Clubit “Beqir Musliu” i cili edhe është bashkë organizator i ndarjes ës çmimit tha se dorëshkrimet e Beqir Musliut janë të gatshme vetëm duhet pak përkrahje institucionale për ta quar në vend tërë krijimtarinë e begatshme të Beqës.
Ndryshe çmimi letrar “Beqir Musliu” është themeluar që nga viti 2004, me inicimin e Ars Clubit të shkrimtarëve “Beqir Musliu”, dhe që e jep kryetari i Komunës së Gjilanit
Fitues të deritashëm të këtij Çmimi janë: Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Visar Zhiti, Ibrahim Kadriu dhe Rexhep Qosja./rajonipress/


