Eko Higjiena

Qëndrimet e parisë serbe për Kosovën

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Naser Sertolli- Pozicioni i pushtetit të Serbisë karshi Kosovës së pavarur ka evoluar vazhdimisht. Është interesante të analizohet mënyra se si po e trajton këtë realitet lidershipi i Beogradit dhe fjalori të cilin po e përdor përballë opinionit të vet.

Ndërkohë që në pushtet kanë ardhur me premtimet se me asnjë kusht nuk do ta humbin Kosovën, madje duke premtuar se nëse është nevoja edhe do të luftojnë për të, presidenti Tomislav Nikoliq dhe kryeministri Ivica Daçiq janë në siklet tani për të gjetur fjalë e arsye për ta përshkruar realitetin e hidhur, se Kosova është e pavarur dhe e humbur. Sidomos, cilësorët “e pavarur” dhe “e humbur” janë ato që po ua zënë frymën, meqë paraqesin kërcënim për ta, madje edhe fizik.

Kështu, sa herë përballen me pyetje për Kosovën, si Nikoliq ashtu edhe Daçiq kërkojnë përgjigje ekuivoke.

Në një tekst autorial me rastin e dhjetëvjetorit të vrasjes së paraardhësit të tij Zoran Gjingjiq, kryeministri aktual, Ivica Daçiq, më 7 mars kishte shkruar se “qe dhjetë vjet jemi gënjyer se Kosova është e jona” dhe se “kjo gënjeshtër është e zyrtarizuar në Kushtetutë”. Për të mbështetur këto që po thoshte, ai ka përmendur faktin se as presidenti, as kryeministri, as ndonjë ministër, as policia e as ushtria e Serbisë s’mund të shkojnë në Kosovë.

Daçiq as në këtë tekst, e asnjëherë tjetër, në mënyrë eksplicite nuk e përmend humbjen e plotë të Kosovës. Megjithatë, këtë e pranon me rrotulla, sikur me fjalinë në të njëjtin tekst: “E kemi humbur autoritetin në pjesën më të madhe të Kosovës dhe me të qeverisin shqiptarët…”.

Për të parë se sa shumë është zbutur ish-zëdhënësi i Milosheviqit, duhet të kthehemi pak më shumë se një vit pas. Si ministër i Policisë dhe zëvendëskryeministër, më 24 nëntor 2011, Daçiq kishte thënë se “askush në Serbi nuk mund të deklarojë se Kosova është e humbur dhe se nuk do të luftojë për Kosovën”.

Këtë deklaratë kërcënuese e kishte bërë në një paralajmërim drejtuar homologut të tij kosovar që të mos guxonte t’ia mësynte veriut të Kosovës për ta vendosur atje autoritetin e Prishtinës. E, siç e dini, është i njëjti njeri që ka nënshkruar marrëveshje me Hashim Thaçin për t’i shpërbërë të gjithë organizmat serbë të sigurisë në veri të Kosovës dhe që atje të zbatohet ligji nga pushteti i “shqiptarëve” si e ka zakon të shprehet sa herë bie fjala për autoritetet kosovare.

Eco Higjiena

Një demagog i sojit të vet është edhe ish-çetniku, Tomislav Nikoliq. Edhe ky, si president, opinionit serb po përpiqet t’ia mjegullojë qëndrimin rreth realitetit të Kosovës. Në një intervistë për një televizion rus, ndërkohë thotë se “Serbia kurrë nuk do ta humbë Kosovën”, po aty e pranon se “unë nuk jam president edhe në Prishtinë” dhe se “(kjo situatë) për fat të keq tashmë është vështirë të ndryshohet”. Çfarë i bie kjo?!!!

Premtimet se nuk do ta humbin Kosovën me asnjë çmim, presidenti e kryeministri serb tani e kanë kthyer në betejën për të fituar atë çka mund të fitohet. Jo më për Serbinë, por për serbët kosovarë. Dhe duket se kanë vendosur ta harrojnë mitin për Kosovën dhe t’i drejtohen ardhmërisë së popullit të tyre – zhvillimit ekonomik. Një deklaratë shumë domethënëse, por edhe me dy kuptime, në këtë drejtim e dha ish-presidenti Boris Tadiq. “Kosova nuk është zemra e Serbisë. Zemra e Serbisë është zhvillimi ekonomik i vendit…”, u ka thënë ai medieve serbe një muaj më parë.

E a do të vijë dita kur paria serbe do ta pranojë me plot gojën se Kosova është e humbur një herë e përgjithmonë për Serbinë?

Duke e parë se sa shumë kanë ndryshuar që nga koha kur ishin bashkë në luftërat që i nxitën dhe i humbën në vitet 1990, nuk është për t’u habitur se presidenti serb do ta nxjerrë më në fund nga goja fjalën se Kosova është e pavarur, ose edhe eventualisht të bëjë hapin vendimtar drejt njohjes së saj.

Absurde?

Aspak!

Në një intervistë dhënë gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, pak ditë pas zgjedhjes së tij në postin e presidentit të Serbisë, në maj 2012, i pyetur se si është e mundur që të ketë ndryshuar aq shumë qëndrimet, Tomislav Nikoliq ka cituar një filozof francez, i cili kishte thënë: “Vetëm budallai nuk e ndërron mendimin”.