Eko Higjiena

Kuvendi merret me mëditjet e këshilltarëve, kalimthi flet për dëmet e breshërit

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Këshilltarët komunal kanë qenë shumë aktivë kur janë në pyetje mëditjet e tyre dhe honorarët nëpër takimet e komiteteve, derisa fare pak ose kalimthi kanë folur ose dëgjuar për dëmet e shkaktuara nga breshëri në disa fshatra të Gjilanit.

Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e së enjtes, të kryesuar nga Izmi Zeka, ka miratuar rregulloren e punës, e cila është ndryshuar dhe plotësuar në disa pika të saj nga komisioni për akte normative.

Hevzi Matoshi, shef i Zyrës Ligjore, ka thënë se ndryshimet kanë të bëjnë jo vetëm me kohën e diskutimit, e cila është zgjatur, por edhe me replikën, sqarimin e votës kundër, gjuhën kuvendare, e cila nuk guxon të jetë fyese dhe çështje të tjera.

Rregullorja siguron më shumë hapësirë për debat dhe inicim të çështjeve me interes për qytetarët. Një risi në këtë rregullore është incizimi i mbledhjeve dhe vendosja e materialit në faqen zyrtare të Komunës, të cilën publiku mund ta marrë dhe shikoj të plotë, kur do që kanë nevojë.

Koha e diskutimit në emër të grupit të këshilltarëve është zgjatur në 15 minuta. Koha e replikës është bërë 3 minuta, ndërsa risi është e drejta për sqarimin e votës kundër, për çka lejohet koha prej 3 minutash.

Rregullorja parasheh edhe masat disiplinore ndaj anëtarëve të Kuvendit, të cilat i merr kryesuesi, në rast të përdorimit të fjalorit jo kuvendar, që fillon nga tërheqja e vërejtjes e deri te përjashtimi për tre seanca, ka thënë Matoshi.

Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal ka thënë se komisioni për akte normative dhe zyra ligjore kanë bërë një punët mirë në këtë rregullore, e cila është harmonizuar edhe me ligjin mbi vetëqeverisjen lokale dhe i ka kaluar të gjitha procedurat e nevojshme, përfshirë edhe dëgjimin publik dhe i ka ftuar këshilltarët që ta miratojnë.

Sadudin Berisha (LDK), ka thënë se me këtë rregullore është ndërtuar një bazë e mirë për punën e asamblesë komunale, ndërsa Selim Selimi, zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal, duke nënvizuar faktin se në rregullore përkufizohet edhe e drejta e përdorimit të gjuhëve, ka kërkuar angazhimin e një përkthyesi në gjuhën turke.

KK ka miratuar edhe Statutin e Qendrës për Punë Sociale, vendimin për kompensimin mujor të anëtarëve të komisioneve komunale të aksionarëve, vendimin për shfuqizimin e rregullores për kompensimin e anëtarëve të Kuvendit Komunal si dhe ndalesave të shërbyesve civilë, meqë tani kjo fushë rregullohet me ligj, vendimin për harmonizimin e mjeteve financiare si dhe vendimin për plotësimin e komisionit për caktimin e lokacioneve për vendosjen e busteve, shtatoreve dhe përmendoreve si dhe të komisionit për vlerësimin e meritave.

UBT

Po ashtu Kuvendi miratoi edhe vendimin për kompensimin e dëmeve të shkaktuara përgjatë realizimit të projektit të lumit Mirusha, ku u dakordua edhe LDK, me gjithë kërkesën e saj që kjo çështje të shtyhet për një seancë tjetër, për të kompletuar dëshmitë.

Arben Mehmeti (LDK) tha se ka dilema, nëse të gjitha dëmet që janë paraparë për kompensim, janë prona private, duke nënvizuar se në këtë zonë, qysh në vitin 1982 është zhvilluar një procedurë e shpronësimit.

Riad Rashiti, drejtor i Zhvillimit Ekonomik, tha se nuk kemi të bëjmë me shpronësime, por me kompensim të dëmeve të shkaktuar gjatë realizimit të projektit të lumit Mirusha, duke shtuar se dilemat që po ngriten nga opozita janë të pa arsyeshme. Nëse gjenden dëshmi më vonë se ndonjë nga këta pronarë është shpronësuar më herët, ai është i detyruar që t`i kthejë mjetet e kompensimit, ka thënë Rashiti.

Ndryshe, në këtë seancë, kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa dha një informatë për blerjen e shërbimeve, që ishte kërkesë e opozitës. Meqë Komunat kanë nevojë për më shumë staf profesional, administrativ dhe teknik, pasi që janë shtuar edhe kërkesat, ndërsa nuk lejohet punësimi i rregullt, atëherë kjo është bërë përmes blerjes së shërbimeve nga agjensionet përkatëse, ka thënë Mustafa.

Aktualisht, në këtë formë janë të angazhuar 30 shërbyes dhe bëhet fjalë kryesisht për zyrtarë që kanë punuar më herët me kontrata të përkohshme. “Pa këta 30 zyrtarë të angazhuar përmes blerjes së shërbimeve, komuna nuk do të ishte në gjendje të ofrojë shërbime të bollshme për qytetarët e saj”, ka thënë Mustafa.

Sipas Arben Mehmetit (LDK), punësimet e tilla nuk janë në harmoni me ligjin mbi shërbimin civil dhe kërkoi që kjo të rishqyrtohet, ndërkaq kryetari Mustafa sqaroi se blerja e shërbimeve është bërë përmes procedurës së prokurimit.

Ndërkaq, Nazmi Rapuca, drejtor për Bujqësi informoi për dëmet që ka shkaktuar breshëri në disa zona të komunës së Gjilanit, duke nënvizuar se ato janë më të mëdha në fshatrat Capar, Stublinë e Miresh. Ai i ka propozuar Kuvendit Komunal që të shikojë mundësitë për krijimin e një fondi për t`i ndihmuar të dëmtuarit. Dëmet te disa ferma arrijnë në 10 mijë euro, ka thënë Rapuca.

Përndryshe, në këtë seancë, Arben Mehmeti ka kërkuar dorëheqjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal, Izmi Zeka, me arsyetim se LDK tani është partia më e madhe dhe se duhet t`i lejohet asaj që të udhëheq me organin vendimmarrës. Ejup Haziri (PDK) tha se pavarësisht se LDK tash i ka 15 ulëse në Kuvend Komunal, subjekti më i madh mbetet koalicioni qeverisës.

Çështje të ndryshme në këtë seancë ngritën edhe këshilltarët Arben Maliqi, Shukrije Rapuca, Sami Azemi, Shkëlqim Latifi, Tahir Arifi, Ramiz Ramadani, Arianit Sllamniku, Refik Hasani dhe të tjerë./rajonipress/

Mund të ju interesoj: