Mustafa: Gjilani së shpejti me kolektor dhe impiant të ujërave të zeza
Gjilan – Në kuadër të projektit për Gjilanin sipas Qemajl Mustafës janë paraparë kolektorët (gypat) kryesor të kanalizimit të qytetit ku hynë edhe Stanishori dhe kolektori kryesor prej pikëtakimit të Mirushes rajonale dhe Stanishorit deri në Lumin Morava pranë fshatit Uglar. Aty do të ndërtohet fabrika (impianti) për trajtim të ujërave të zeza dhe i gjithë ky sistem do të kushtojë rreth 20 milion euro për fazën e parë.
Kreu i komunës Qemajl Mustafa është optimist se Gjilani ka hyrë në rrugë të mbarë për të qenë përfitues i një projekti madhor që lidhet me trajtimin e ujërave të zeza.
Mustafa tha për rajonipress se tashmë janë bërë edhe disa studime të fizibilitetit në këtë drejtim. Sipas tij kompania që ka bërë studimin integral të tërësishëm për ujërat e zeza është WYG Internacional (agjencion i konsulencës). Projekti për Gjilanin është pjesë e “Infrastrukture Projektc Facillity in the Western Balcans”.
Sipas Mustafës në këtë studim të arsyeshmërisë (fizibilitetit) është përfshirë zona urbane dhe ajo rurale. Ky studim do të prezantohet më datën 2 korrik 2013 në hapësirat e ndërmarrjes publike “Hidromorava”. “Gjatë këtij studimi është bërë punë analitike dhe matje si dhe janë kalkuluar kostot e realizimit të kanalizimeve kryesore dhe të fabrikës për trajtimin fillimisht të zonës urbane e pastaj duke shtuar module në fabrikë edhe të asaj rurale” thotë ai.
Mustafa thotë se e rëndësishme është që janë vendosur fazat dhe prioritetet e realizimit të cilat do t`i shohim më për së afërmi më 2 korrik. “Në kuadër të këtij projekti janë paraparë kolektorët (gypat) kryesor të kanalizimit të qytetit ku hynë edhe Stanishori dhe kolektori kryesor prej pikëtakimit të Mirushes rajonale dhe Stanishorit deri në Lumin Morava pranë fshatit Uglar. Aty do të ndërtohet fabrika (impianti) për trajtim të ujërave të zeza dhe i gjithë ky sistem do të kushtojë rreth 20 milion euro për fazën e parë. Saktë sa është paraparë kjo kosto do të shohim nga ky studim. E rëndësisë së veçantë është sepse jemi nga qytetet e para që po bëhemi me këtë studim i cili hapë rrugë për aplikim në fondet e ndryshme të donatorëve, por edhe të kredidhënësve për ta bërë realitet këtë projekt madhor për komunën” tha Mustafa.
Kreu komunal thotë se kanë pasur takime me Bankën Evropiane dhe BERZH e cila është e interesuar që ta ketë komunën partnere bashkë me ndonjë bankë tjetër dhe me donatorët e Qeverinë e Kosovës në mënyrë që Gjilani t`i sistemojë dhe t`i trajtojë profesionalisht ujërat e zeza dhe ta rregullojë çështjen e ambientit. “Është paraparë sigurisht edhe trajtimi i ujërave të zeza nga deponija sanitare rajonale e cila është problematike për disa vite me radhë” shprehet Mustafa./rajonipress/


