Thaçi me shoqëri në Angli e Amerikë: Beautiful Liars!
Nga Astrit Gashi – Debati gjithëpërfshirës për deklaratat e një personi që më shumë më ngjan me një komedian të keq sesa më një klerik, diskutimet e zjarrta lidhur me përkatësinë e heronjve tanë kombëtarë, kanë lënë në margjina një vizitë të kryeministrit Hashim Thaçi me miqtë e tij në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe në Amerikë.
Për të qenë më i saktë, e tërë vizita – e posaçërisht pjesa në Angli- duket të ketë qenë e së njëjtës natyrë me vëmendjen që i është kushtuar- shtrëngime duarsh nga kurtuazia, vizitë e Big benave dhe librarive të mëdha.
Kryeministri me shoqëri, të udhëhequr nga “të lavdishmit”, Enver Hoxhaj e Vlora Çitaku, përmes rrjeteve sociale na sollën një fotografi epike nga gjoksi e lartë, realizuar pranë orës më të famshme në botë- Big Benit. Kishte edhe fotografi me zyrtarë të respektuar anglezë nëpër korridore e holle qeveritare. Stafi përcjellës i Thaçit për fotografi amatore, këtë punë e ka, pra që të shënojë momente miqësore të fotografimit, dhe që ato pastaj t’i shpërndajë përmes rrjeteve sociale për t’u dukur sikur zyrtare. Që me smarthpone të krijojë një “Photo-Op” jozyrtare, meqenëse me nikoqirët nuk kanë arritur të pajtohen për një të tillë zyrtare. Të shkathët në aftësi për promovim personal, e para së gjithash për t’i promovuar vizitat shtetërore për nevoja personale.
Sipas “legjendave” nëpër rrjete sociale, kryeministri ynë, në Mbretërinë e Bashkuar paska pasur takime të rëndësishme- në mesin e të cilave shkëlqente ajo me ministrin e Jashtëm, William Hague. Ky është një lajm i mirë padyshim, pasi që nuk është në interes të askujt në këtë vend, që të shohë të izoluar cilindo nga liderët tanë. Njëjtë ashtu sikur që është lajm i mirë edhe vizita e Albinit me shoqëri në Amerikë dhe ajo e Ramushit me ekipin e tij në Berlin.
Çështja është se pozitivja me gjasë përfundon këtu- pra te një simbolikë, e cila si për sherr shitet më shumë se gjithçka tjetër në hapësirën tonë. Habitshëm apo jo për vizitën e shefit, në Angli raportuan vetëm punëtorët e tij nëpër rrjete sociale, si dhe media lokale. Shtypi dhe mediat angleze janë nocion i gjerë dhe vështirë i kontrollueshëm, por asnjë nga ato kryesoret këtë vizitë nuk e jepte si lajm- madje as edhe në atë pjesën e lajmeve të shkurtra. Çuditshëm për takimet e udhëheqësisë sonë, madje nuk mundet njeriu të gjejë asnjë fjalë të vetme të shkruar as edhe në faqen zyrtare të Qeverisë britanike. Që të na plasin edhe barkun, ministri Hague nuk kishte “denjuar” të shënojë takimin as edhe në Twitter, duke na e injoruar skajshmërisht kryeministrin tonë!
Anglia kësisoj na doli të jetë një vizitë jo shumë e realizuar për kryeministrin tonë. Ky natyrisht se nuk përbën lajm të gëzueshëm për vendin, i cili në fakt ka nevojë që të jetë pak më shumë i dëshiruar dhe i pranueshëm nga një shtet mik e i dashur si Anglia. Votuesit mundet se e kanë fajin.
Nga Mbretëria e Bashkuar, kryeministri i shtetit më të pazhvilluar në Evropë e “gjysmë të lirë”, në mënyrë triumfale vazhdoi udhëtimin e tij drejt vendit që është sinonim për liritë e zhvillimin. Syri vrojtues i kamerës së “smarthphonëve” po ndiqte “hap pas hapi” edhe këtu.
Fotoja e parë që na u dërgua nga atje- ishte nga ku tjetër përveç se prej bibliotekës. Thaçi dhe njeriu që moti deklaroi pavdekshmërinë e tij, ministri Hoxhaj në mënyrë gati se “idilike” na dalin duke shfletuar nga një faqe në tjetrën një libër- emri i të cilit, vë bast se nuk do iu kujtohet nëse i pyesim kur të kthehen nga vizita. Ka diçka të sikletshme te qeverisja jonë dhe ajo dëshmohet përmes fotografive- më shumë se qeveritarë e menaxherë të mirë këta njerëz kanë dëshirë të na projektohen sikur intelektualë e shkencëtarë. Ashtu si nuk janë dhe as që na duhen të jenë. Qeverisja nuk është akademi, por zgjidhje e problemeve të qytetarëve.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Thaçi me ekip do ta zhvillonin një takim me njërin nga njerëzit më të dashur për ne në administratën e Obamas, zëvendëspresidentin Joe Biden. Nga atje u lëshua në komunikatë e cila dallonte në detaje me atë që e lëshoi zyra e Biden. Komunikata e Qeverisë së Kosovës thotë: “Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, z.Joe Biden, duke përshëndetur kryeministrin Thaçi, shprehu konsideratën e lartë për vizionin dhe qëndrimin e kryeministrit Thaçi, duke e vlerësuar atë si burrështetas të pakontestueshëm, që mori vendime shumë të rëndësishme në kohë të vështira, por gjithmonë në të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj”. Deklarata e lëshuar nga z.Biden, është shumë më konservative në vlerësimet ndaj kryeministrit dhe ato i redukton krejtësisht në raport me marrëveshjen e arritur në Bruksel.
Në fakt zv.presidenti amerikan meritat për dialog nuk ia atribuon vetëm Thaçit, si e përcjell zyra e tij, por edhe gjithë qeverisë. Ja çfarë thonë amerikanët në origjinal dhe përkthyer në shqip: “ The vice president commended the lidership and political courage demonstrate by Prime Minister Thaci and the Goverment of Kosovo in reaching the agrement in the EU- Faciliteted dialogue to normalizo Kosovo’s relationship ëith Serbia”. ( “ Zv. Presidenti lavdëroi lidershipin dhe kurajën politike të demonstruar nga kryeministri dhe Qeveria e Kosovës për të arritur marrëveshje në dialogun e facilituar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”).
Dallimet esenciale në interpretime dhe gënjeshtra që stafi i Thaçit na përcjell sikur një të vërtetë e thënë nga vetë goja e Biden, janë fillimisht tërësisht një veprim joetik, e pastaj edhe joshtetëror. Një eksperiment ky krejtësisht i rrezikshëm që mund të rezultojë negativisht në marrëdhëniet mes dy shteteve tona.
Qeverisja e vendit tashmë duket se e ka humbur busullën, dhe gënjen kudo- edhe aty ku duhet edhe aty ku nuk duhet. Në vend se nga ato vizita të na sillnin ndonjë përfitim të matshëm a ndonjë marrëveshje zhvillimore, pa asnjë arsye na sollën vetëm gënjeshtrën dhe si me qenë tinejxherë disa foto amatore për t’i shpërndarë nëpër rrjete sociale e media lokale.
Shtrëngoni rripat nëse doni t’i dëgjoni rrëfimet nëpër kafene nga takimi me shefin e CIA’së- kur delegacioni të na kthehet në atdhe. Merrni fryme tri herë, dhe bëhuni gati ta mësoni datën kur do të ndodhë fundi i botës!
“Beautiful liars”- do t’i quante Beyonce! E ne do t’i themi sikur The Queen: “You don’t fool me”. Pra nuk na mashtroni, gënjeshtarë të lezetshëm.


