UBT

Dy fjalë për PDK-në dhe LDK-në

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Nga Baton Haxhiu – Dua të them që nuk i shkon dhe nuk e përligj tërë këtë arrogancë të PDK-së dhe LDK-së, sipas së cilës, ata e quajnë veten pushtet moral, profesional, faktik, dhe të tjerët paskan qenë, janë dhe do të jenë shegertë e vasalë.

Momenti i konkurrimit profesional për Gjykatën Kushtetuese të avokatit, Dastid Pallaska, natyrisht se kërkonte nga ai që të largohet nga puna e avokatit, bile përkohësisht. Largimi është bëre përmes modelit “letër-konkurrimit me një CV që të bënë të mburret një Gjykatë evropiane e lëre më për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës…”, ku të gjithë madhërojnë rolin e vet në historinë e krijimit të këtij institucioni.

Duke qenë se të gjithë e kanë përshëndetur dhe mbështetur angazhimin konkurrues, nuk po e gjej të mjaftueshme kohën të shkruaj për rolin e Pallaskës në ndihmën e tij për krijimin e institucioneve të Drejtësisë.

Janë disa arsye dhe të një përgjegjësie qytetare dhe profesionale që s’po më lënë të flas tash, për fytyrën politike të dy partive të mëdha, PDK-së dhe LDK-së.
Jo vetëm unë, por edhe një pjesë e mirë e asaj që është bërë zakon të quhet “shoqëria civile”, e kemi përkrahur guximin e Dastidit që t’u hyjë procedurave të konkurrimit për institucionet e Kosovës. Thjesht, që një djalë profesionist me CV të jashtëzakonshme profesionale, të jetë i gatshëm për një institucion ku ka mundësi të ndërtojë profesionin të lirë në raport me institucionet e kontrolluara, të dirigjuara shtetërore e partiake të kohës që po jetojmë.

Duke qenë i afërt, i familjarizuar me shumë momente profesionale të Dastidit, e ndjej për obligim publik të them disa fjalë për pafytyrësinë publike të dy partive kryesore në vend.

Nuk e di sa herë keni dëgjuar fjalime të pavërteta dhe fjali boshe të liderëve të këtyre dy partive.

Por këto fjalime shlyhen dhe zhduken sa herë që del të votohet një njeri më dinjitet profesional dhe me pedigree shkollimi. Sikur e frikëson injorancën që ka mbërri fuqi te këto dy parti politike dhe fuqi të jashtëzakonshme në Parlament. Paramendojeni kur ajo injorancë nuk njeh rivalitet politik dhe së bashku votojnë kundër më të mirës profesionale të një vendi.

Këta gënjeshtarë fjalimesh sikur çdo ditë na thonë se Kosova nuk mund të kuptohet, nuk mund të shpjegohet, nuk mund të jetë Evropë dhe të dekodohet pa rolin, pa punën dhe pa flijimin që duhet ta bëjnë profesionistët e shkolluar në kohën më dramatike të saj.

Se këta djem të shkolluar kur kthehen – po injorohen, tregoi edhe votimi në Parlamentin e Kosovës. Këta liderë dhe këta pazarxhinj në Parlament refuzojnë të votojnë dikë që prapa vetes ka shkollimin hiq më pak se në Fakultetin më të famshëm për drejtësi – Në Universitetin e Jellit.

Kemi menduar se një konkurrim i tillë – kjo gjë – do të përkrahet nga të gjithë për faktin se po e ndihmojmë ndërtimin e një sistemi të lirë, një hapësire të mendimit profesional, e i cili për një kohë të gjatë është trivializuar dhe është shndërruar në një biznes të paaftësh në një hapësirë publike tonën prej nga më shumë kontaminohet sesa dekontaminohet hapësira politike e Kosovës.

Pa hyrë të argumentohet tutje, pse mendoj se ky parlament, pavarësisht nga transmetimet direkte televizive dhe votave, nuk po respekton asgjë normale, asgjë profesionale, asgjë qytetare – nuk i respekton as votuesit.

Uji Dea

Dua të them një argument që nuk i shkon dhe nuk e përligj tërë këtë arrogancë të PDK-së dhe LDK-së, sipas së cilës ata e quajnë veten pushtet moral, profesional, faktik, dhe të tjerët paskan qenë, janë dhe do të jenë shegert e vasalë.

Duke mos dashur ta zbeh as ta shtoj rolin e të dy partive, unë edhe një herë po them me gjithë përgjegjësinë time për fjalën publike se:

Pa rolin, kontributin e mirë dhe profesional të individëve në ndërtimin e kësaj shoqërie (gati të pashpresë) dhe flijimin e një mori njerëzish, pa participimin përkrahës të shumë emrave të Kosovës dhe të Prishtinës, pa rolin dhe punën e tyre, Kosova as mund të shpjegohet e as mund të dekodohet e mendohet si shoqëri normale.

Nuk ka as inat, e as arsye të fshehta e të hapura që këtë gjë parësore mund ta minimizojnë e heshtin dy partitë, që, marrëveshjen, sa herë që iu duhet, të ndajnë pazare.

Kjo përpjekje e retushimit profesional të njerëzve që e kanë ndihmuar jo vetëm në kohët e mira, por edhe në kohët më dramatike profesionale të saj, nuk flasin në të mirë të aftësisë së dy kryetarëve të këtyre dy partive, që i kapërcejnë inatet sa herë gjejnë ndonjë arsye të “fshehtë” profesionale ku me automatizëm rrezikohet injoranca.
Se në çka është shndërruar sot Parlamenti, kam shumë fjalë t’i them. Por, se ky parlament nuk e respekton as profesionalizmin e as veten, kjo është më se e qartë.
Po a ka argumente më të mëdha se elozhet e panevojshme që i bëjnë vetes. Pse duhet ata kështu, pa turp e marre, të shndërrohen në interpretues hipokrizie? Çka po i bën ata të tillë! Cili respekt prej frike, cila varfëri shpirtërore e materiale po i bën ta refuzojnë një CV kaq profesionale?

Nëse ka një diçka që i lidh PDK-në dhe LDK-në me kohën e Titos e Enverit, është pikërisht retushimi dhe ikja nga njerëzit profesionalë. Retushi i profesionistëve dhe CV-ve të respektueshme i frikëson ata. I frikëson nga fotot, nga kujtesa, nga dokumentet, nga koha e kaluar me injorancë.

Një gjë është e sigurt: Nuk është diçka mirë në Parlament, kur njerëzit kanë nevojë kështu publikisht të përulen e liderët të kenë hapësirë të retushojnë.

Dhe, kam edhe shumë e shumë momente e argumente që mund t’ia shtoj këtij konstatimi. Por po them, po i kovertoj për një kohë mbas zgjedhjeve, sepse nuk dua që këto fjali për PDK-në dhe LDK-në, arrogancën dhe mungesën e mosmirënjohjes për profesionistët t’i japin ngjyrë fuqie. Nuk është çështje e votimit për Dastid Pallaskën. Sepse ai vetëm fitues del nga ai mosvotim për Gjykatën Kushtetuese. Por më pengon hipokrizia politike e dy partive të mëdha, ku liderët nuk kanë fuqi as të jenë liderë e as të kontribuojnë që të shënjojnë një votim normal për një profesionist – pa bërë pazare ditore.

P.S:
Vetëvendosjen duhet respektuar sepse që më parë kanë qenë për JO. Por e kuptoi JO-në e Vetëvendosjes për Dastidin, se kanë pasur përplasje të qartë për disa koncepte, por nuk e kuptoj parimin profesional dhe intelektual të munguar në votim për një profesionist. Ata nuk janë ashtu si thonë. Parimorë. Ata mund ta votojnë më parë Sylejman Selimin, Florin Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të dëgjueshmit tjerë dhe të refuzojnë Dastid Pallaskën, Ylber Hysën e ndonjë tjetër. Vetëm se kanë dallime konceptuale! Kjo nuk është e mjaftueshme për JO – kundër profesionistëve.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)