Hajdini: Në Gjilan ligji kundër pirjes së duhanit respektohet 99 %
Gjilan – Ismet Hajdini drejtor në inspeksionin komunal tha për rajonipress se nga vizitat e shpeshta që u bëhen lokaleve afariste, hoteleve, kafiterive dhe vendeve tjera ku mund të ekspozohet pirja e duhanit është konstatuar se masa kundër pirjes së duhanit zbatohet 99 %.
Për të forcuar edhe më shumë këtë përqindje Ismet Hajdini thotë se kanë ndërmarrë një aksion gjeneral ku kanë vizituar shumicën e lokaleve dhe i kanë njoftuar ata me masat dhe pasojat që sjellë ligji kundër duhanit.”Realisht kemi gjetur mirëkuptim tek shumica e lokaleve, por megjithatë ne kemi vlerësuar se ende ka nevojë që njerëzve tu shpjegohet ligji kundër duhanit, ende ka nevojë që inspektorët sanitarë të flasin me pronarët dhe të debatojnë hapur” shprehet Hajdini.
Hajdini tha se tashmë nga aksioni i tyre i fundit shumica e lokaleve kanë marrë paralajmërimet dhe njoftimet e sakta rreth ligjit që sanksionon pirjen e duhanit në vendet publike.”Nga raportet e inspektorëve sanitarë që janë në teren shihet se në Gjilan ligji respektohet në masën 99 % dhe ne jemi të vetëdijshëm se ende ka nevojë për një koordinim dhe veprim të përbashkët të aktiviteteve në teren edhe me monitoruesit e tjerë që kujdesen për të zbatuar ligjin kundër duhanit” shprehet ai.
Ndërsa Isa Shefkiu nga OJQ “Anamorava” që monitoron punimet e asamblesë komunale duke përfshirë këtu edhe seancat dhe komitetet përkatëse tha se në të gjitha këto takime duhani nuk pihet.”Ka një respektim të mirë nga ana e këshilltarëve komunal të cilët janë të kujdesshëm edhe në pauzat e seancave, por edhe në takimet e stërzgjatura nëpër komitete” tha Shefkiu.
Ndryshe Ligji kundër duhanit që ka filluar zbatimin e tij para disa ditësh ndalon pirjen e duhanit 100% në hapësira publike./rajonipress/

