ARKATANA

Korrupsion, plaçkë…

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Burim Ramadani – Korrupsion gjithandej. Ryshfet, para, përfitime, mallra, vetura, banesa. Çka jo tjetër? Kjo është e përbashkëta e “zanatlinjve” më të “paguar” në Kosovë. Është arritur shkalla më e lartë e mundshme. Është arritur niveli i plaçkës.

Pothuajse secilit që i vjen te dora mundësia për t’u korruptuar, fare nuk heziton. Është kthyer në mënyrë të të menduarit. Si në qeverinë qendrore, po ashtu edhe në shumicën e qeverive komunale.

“Ti e di çka duhet…”. Ky duket të jetë formulimi më i famshëm, i cili nënkupton se duhet “shpërblyer” atë që po ju “nderon” me paratë e qytetarëve. Për atë që mendon se është pronari apo pronarja e së mirës publike, parasë publike, tatimeve të qytetarëve. Për atë që pretendon se është mbi çdo ligj të këtij vendi, mbi çdo normë shoqërore dhe mbi çdo nivel të nderit njerëzor.

Situata në Kosovë ka mbërritur si mos më keq. Pothuajse secili e sheh pushtetin si mënyrën më të mirë për t’u pasuruar me ndjersën e tjetrit. Mënyrën më të lehtë për të bërë para, kapital dhe lluks. Fakteqësisht, korrupsioni nuk është i izoluar më. Është shpërndarë anëkënd. Në politikë, në gjyqësi, në polici, në shëndetësi, në arsim, në shoqërinë civile e ku tjetër.

Qeveria e Kosovës vazhdon të ketë primatin e korrupsionit, e ndjekur menjëherë prej komunave dhe ndërmarrjeve publike. Kështu të paktën mund të vlerësohen në përgjithësi vlerësimet dhe raportet e shumta që dalin në publik rreth kësaj dukurie negative. Të jesh sot në Qeveri, kuptohesh thjesht si një adresë për të bërë pasuri. Të jesh në komunë, kuptohesh thjesht si një mini-adresë për të bërë ca para.

Nuk është krejt e padrejtë kjo bindje. Nuk është krejt paushall ky perceptim. Shumica kanë dhënë shembuj të këqinj. Shumica janë bërë hor për interesa të caktuara personale apo grupore. Shumica kanë dëshmuar se këtë vend nuk po e përjetojnë me atdhe-dashuri të kuptimit shtet-ndërtues.

Është, normalisht, e padrejtë të mos thuhet hapur edhe për pjesën tjetër të politikanëve që dëshmojnë të kundërtën. Fatmirësisht janë disa shembuj që tregojnë të kundërtën. Disa shembuj të mirë. Një numër i caktuar i zyrtarëve publik, të cilët kanë dëshmuar me shembullin e vet individual se si duhet shërbyer për qytetarët.

Për shembull, kryetari i Komunës së Suharekës, Blerim Kuçi. Refuzoi të merr pagën e kryetarit të Komunës që prej ditës së parë kur u zgjodh në këtë detyrë. Pagën e tillë e ndau për bursa për studentë të asaj komune. Kështu u hoqi një pjesë të madhe të barrës financiare disa familjeve në këtë komunë. Kështu u mundësoi një numri studentësh të arsimohen pavarësisht rrethanave financiare familjare.

Dikush mund të thotë se ai është biznismen dhe ajo pagë nuk i është dashur fare. Mund të jetë e vërtetë. Por, krahasojeni me biznismenët tjerë të politikës apo me politikanët e biznesit! Aty shihet qartë dallimi. Aty vërehet çka saktësisht nënkupton koncepti “udhëheq sipas shembullit vetanak!”.

Sidoqoftë, fatkeqësia më e madhe është fakti se Kosova edhe më tutje nuk ka filluar përballjen e vërtetë me korrupsionin. Edhe më tutje, politikat anti-korrupsion janë vetëm formulime të përgjithshme, pa ndonjë veprim të qartë të përshkruar në to. Por, pa përballjen me korrupsionin, shteti nuk mund të arrijë të qëndrojë në këmbët e veta. Pa luftimin dhe dënimin e të korruptuarve, shteti shkon kah kolapsi dhe qytetarët kah varfërimi ekstrem. Kjo është qartësisht situata në të cilën ndodhet vendi.

Por, çka duhet bërë? Kah duhet filluar? Si duhet filluar së luftuari korrupsionin?

FIDANISHTJA

Këto janë shtatë (7) veprimet e para politike dhe ligjore që të duhet të ndërmerren, në mënyrë që brenda një gjysmë-mandati qeverisës të reduktohet bindshëm korrupsioni në Kosovë.

Së pari, të krijohet një Qeveri me duar të pastra, ku asnjëri prej anëtarëve të kabinetit nuk është i dyshuar, hetuar apo i dënuar për korrupsion. Prej kryeministrit e deri tek këshilltarët e zëvendës-ministrave.

Së dyti, të ndërtohet transparenca në proceset e prokurimit. Hapja e tenderëve të bëhet në formë publike, ku marrin pjesë mediat, shoqëria civile dhe njerëzit tjerë të interesuar. Një mijë vet le ta përcjellin procesin e tenderimit.

Faza e ardhshme për këtë fushë duhet të jetë sistemi online i prokurimit. Normalisht, kjo fazë do të mund të arrihej vetëm pas një reduktimi të qartë të korrupsionit aty.

Së treti, të fuqizohet Prokuroria dhe të garantohet siguria për prokurorët. Në të njëjtën kohë, të fuqizohet llogaridhënia për prokurorët për performancën e tyre.

Së katërti, të fuqizohet dhe rritet siguria për Gjykatësit, të cilët po ashtu duhet të rrisin llagaridhënien sa i përket punës së tyre nëpër Gjykata.

Së pesti, rritet profesionalizmi në institucionet e zbatimit të ligjit, sikurse është Policia, Dogana apo edhe Administrata Tatimore e Kosovës. Është e domosdoshme reformimi i këtyre institucioneve në mënyrë që të garantohet përkushtimi i tyre në luftimin e korrupsionit.

Së gjashti, duhet shumë-fishuar kontrollin ligjor nëpër komuna. Duhet rritur kapacitetet profesionale të Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave në nivel komune, sepse në shumicën e qeverive lokale çështja e korrupsionit është bërë e vetë-kuptueshme.

Së shtati, duhet shumë-fishuar kontrollin ligjor nëpër Ndërmarrjet Publike, të cilat po vazhdojnë të jenë ndër më të korruptuarat në Kosovë.

Një Qeveri që i bën këto veprime qysh në fillim të mandatit, është e sigurt se nuk do të dështojë. Qeveria e tashme është pjesa kryesore e problemit. Adresa kryesore e korrupsionit. E plaçkës.

Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Zëri”