“Don Bosko” qendër arsimore dhe edukuese e të rinjve
Gjilan – Në një bisedë për rajonipress Dominik Qerimi drejtor i qendrës “Don Bosko” me seli në Gjilan flet për veprimtarinë e kësaj qendreje, për të mirat që kjo qendër i sjell Anamoravës, për hapin e parë që kjo qendër do të bëjë për tu shndërruar edhe në një kolegj universitar që pritet të fillojë nga shtatori i këtij viti dhe për shumë çështje tjera që lidhen me punën që kjo qendër bënë aktualisht.
Rajonipress – Zoti Dominik, ju lutem a mund të na thoni se kush është Don Bosko, cila është veprimtaria e tij?
Dominik Qerimi – Besoj se për të gjithë lexuesit e këtij portali, është i nevojshëm një shpjegim i dyfishtë. Mbi pyetjen kush është Don Bosko dhe çfarë është Qendra “Don Bosko”.
Don Bosko është një shenjt i kishës Katolike i cili ka lindur në vitin 1815 dhe ka vdekur në vitin 1888. Është themeluesi i Kongregatës rregulltarëve të Shoqërisë Saleziane. Është me siguri edukatori më i shquar i shekullit XIX dhe pse jo, mund të them se për mendimin tim dhe të statistikave ekzistuese, don Bosko mund të shquhet si edukatori më mi madh i të gjitha kohërave.
Veprimtaria e qendrave “Don Bosko” nëpër botë ka si objektiv primar të sajin shërbimin ndaj të rinjve, veçanërisht atyre që janë më në rrezik, përmes sistemit edukues të Don Boskos të quajtur “Sistemi preventiv/parandalues”.
Qendra “Don Bosko” është e pranishme në më se 129 shtete të botës, me rreth 5008 veprimtari të ndryshme prej të cilave më shumë se 2000 shkolla. Aktualisht në trevat shqiptare Qendra “Don Bosko” është e pranishme në Tiranë, në Shkodër, në Podgoricë, në Prishtinë dhe tashmë katër vite është e pranishme edhe këtu në qytetin e Gjilanit. Në prospektiven shumë të afërt pritet që të hapët edhe një apo do prani tjera të kësaj qendre në hapësirat e trojeve shqipfolëse.
Rajonipress – “Don Bosko” tashmë ka bërë një emër në Anamoravë për veprimtarinë e saj dhe aktivitetet humane, sociale, pedagogjike, edukative, shoqërore. Cili është fokusi primar i kësaj qendre?
Dominik Qerimi – Qendra “Don Bosko” është një vend që mirëpret dhe ofron shërbimin e saj në fusha të ndryshme për të gjithë njerëzit e çfarëdo moshe, race, shtrese shoqërore apo besimi. Asnjë njeri vullnetmirë nuk është i përjashtuar nga aktivitetet dhe shërbimet tona. Megjithatë fushat e shërbimit dhe të veprimtarisë sonë janë të ndryshme dhe çdo fushë ka rregullat dhe kushtet e veta.
Qendra Edukativo-Sociale “Don Bosko” në Gjilan, është e regjistruar pranë Ministrisë së çështjeve Sociale si OJQ, dhe si e tillë gëzon statusin e saj të veçantë që të kryejë veprimtaritë e saja shoqërore dhe arsimore. Ashtu siç e thash edhe më parë fokusi parësor i kësaj veprimtarie janë të rinjtë në nevojë.
Gjatë këtyre katër viteve të pranisë sonë në Gjilan, edhe pse fokusi kryesorë ka qenë realizimi i Kolegjit “Don Bosko” që tashmë është në përfundim e sipër, ne kemi vazhduar veprimtarinë tonë me aktivitete që kanë përfshirë qindra fëmijë dhe të rinj për çdo ditë. Aktivitetet që kemi zhvilluar gjatë këtyre viteve janë të shumta: kurse të gjuhëve të huaja (anglisht, frëngjisht, italisht), kurse të muzikës (kitarë), kurse të informatikës (daktilografi), aktivitete rinore-sportive (çdo ditë nga ora 14 gjer në orën 19.00), aktivitete sezonale siç janë lojërat verore gjatë muajit korrik; formim dhe angazhim të të rinjve vullnetarë/animator, etj.
Rajonipress- Tashmë “Don Bosko” po e merr edhe një primat të ri atë të arsimit. A mund të na zbërtheni më konkretisht se për çfarë degë të reja bëhet fjalë?
Dominik Qerimi – Shërbimi i Qendrës Edukativo-Sociale “Don Bosko” në Gjilan veprimtarinë e saj në fushën e arsimit do e realizojë përmes Kolegjit “Don Bosko”. Ky Kolegj do fillojë veprimtarinë e tij që nga shtatori me fillimin e vitit të ri shkollor 2013/2014. Dy fushat e veprimtarisë së këtij Kolegji do të jenë arsimimi i përgjithshëm dhe arsimimi profesional.
Aktualisht jemi në rekrutimin e mësimdhënësve dhe të nxënësve në disa degë të arsimit të cilat që nga shtatori do marrin nismën e tyre zyrtare, shkolla e mesme, shkolla e mesme e ulët, shkolla e mesme e lartë, gjimnazi i përgjithshëm, gjimnazi gjuhësor, gjimnazi, matematikë-Informatikë, shkolla profesionale- Informatikë-kompjuteristikë dhe Administrim biznesi.
Në të njëjtën kohë kemi bërë publike përmes mediave se brenda këtij viti shkollor do fillojnë edhe kurse tjera të formimit profesional (kualifikime dhe rikualifikime profesionale 1 vjeçare, 6 mujore dhe 3 mujore në lëmi të ndryshme të fushës së informatikës, elektronikës, teknologjisë informatike, gjuhëve të huaja, etj.
E gjithë kjo që thash më sipër ka për qëllim edhe krijimin e një qendreje edukimi dhe arsimimi që do të mund të ketë “pjatën e saj të fortë” apo specialitetin e saj të veçantë teknologjinë informatike. Përveç kësaj në ambientet e Kolegjit “Don Bosko” gjendet edhe një hapësirë e veçantë e sallës së teatrit apo sallës polivalente që do shërbejë për aktivitete dhe nisma të ndryshme shoqërore kulturore, para së gjithash për institucionin tonë arsimor, por sipas mundësive dhe hapësirës që do mbetet e lirë, edhe për mbështetje të aktiviteteve kulturore në nivelin qytetar dhe rajonal.
Rajonipress – Cilat janë favoret dhe dobitë që Don Bosko mund t`i sjell rajonit të Anamoravës?
Dominik Qerimi – Mendoj se është e tepërt të jap argumente apo sqarime mbi këtë çështje. Ajo që unë mund të them për lexuesit tanë është kjo: merrni informata, apo më mirë gjeni kohë të vizitoni Qendrat “Don Bosko” në Tiranë, Shkodër, Podgoricë, Prishtinë dhe shumë lehtë keni për ta kuptuar dhe keni për ta pasur të qartë dobinë që do ketë qyteti i Gjilanit dhe Rajoni i Anamoravës.
Në çdonjërën prej qendrave të lartpërmendura është një frekuencë ditore prej 800 deri 1500 të rinj të cilët gjejnë hapësirën e tyre dhe përgjigje në nevojat e tyre arsimore dhe jetësore për çdo ditë.
Një argument tjetër besoj së është cilësia e edukimit, arsimit, strukturave, stafit si dhe rezultatet e jashtëzakonshme që nxënësit e qendrave tona kanë arritur dhe vazhdojnë të arrijnë edhe më tej në çdo qendër Don Bosko.
Atyre që mund të jenë septik atë se kush jemi dhe çfarë bëjmë kam vetëm një sfidë për t’ju drejtuar: EJANI E SHIHNI!
Rajonipress- Kush janë partnerët e juaj dhe kur jeni vendosur në Gjilan?
Dominik Qerimi – Partnerët tanë në Gjilan janë para së gjithash të rinjtë dhe fëmijët ne nevojë. Kjo mund të duket si një retorikë, por në të vërtetë ata janë “partnerët” tanë të parë në edukim dhe arsimim. Për sa u përket institucioneve partneritetin e parë dhe kryesorë e kemi pasur dhe vazhdojmë ta kemi Komunën e Gjilanit bashkë me Kuvendin komunal dhe gjitha institucionet tjera përkatëse.
Më pas partner të veprimtarisë sonë kanë qene dhe mbeten të gjitha shoqatat dhe OJQ-të e pranishme në Gjilan, në rajon dhe më gjerën në mbarë Kosovën. Është krejtësisht e kuptueshme se në fushën e arsimit partnerë tanë janë Qendra Social-Edukative “Don Bosko” e Prishtinës, Loyola Gymnazium në Prizren dhe Qendra Sociale “Don Bosko” në Tiranë.
Por një ftesë të veçantë për “partneritet” me Don Boskon u bëjmë edhe dy subjekteve tjera të rëndësishme: prindërve dhe familjeve të fëmijëve dhe të rinjve që janë dhe do bëhen pjesë e aktiviteteve tona; si dhe gjithë njerëzve vullnetmirë në qytetin e Gjilanit, në rajon, në mbarë Kosovën dhe kudo në botë./rajonipress/


