Pulat e Petritit
Nga Vlora Çitaku – Sigurisht se në kujtesën e fëmijërisë së secilit nga ne “Pulat e Petritit” është një nga rrëfimet që na kujton kohën kur ne bëmë hapat e parë përtej rrethit familjar në kontekste dhe rrethe të reja sociale, në një rrugëtim jetësor për ta ndërtuar dhe për ta njohur veten. E nisa këtë shkrim pikërisht nga “pulat e Petritit” të abetares si një analogji për “Pulat borgjeze” të Petritit një nga veprat e tij të ekspozuara kohë më parë edhe në Prishtinë, ndoshta e vetmja që shumë prej nesh kanë pasur rastin ta shohin direkt. Djaloshit 13-të vjeçar të deportuar në kohën e luftës si edhe shumica prej nesh dikur, i shndërriti “drita në fund të tunelit” kur në kondita të jashtëzakonshme u shënjua për talentin e tij…Me gjithë rrugëtimin në formësimin e tij tutje përtej kontekstit kosovar ai duket se nuk shkëputet dot nga realiteti në të cilin kishte nisur hapat e parë…
..fëmijëria në fshat, lufta, deportimet janë kujtime të cilat ai medoemos përpiqet të mos i harroj duke i trajtuar ato, duke i rikthyer ato si një reflektim i gjendjes së tij të përgjithshme shpirtërore. Ky është Petriti, i cili gjendur midis një trekëndëshi të jetës dhe punës së tij (Kosovë, Itali, Gjermani) mundohet të mishërojë konditat dhe ndikimet globale me kujtesën dhe përkatësinë e tij. Dhe kjo gjendje e Petritit sigurisht se na prekë të gjithëve në një formë a tjetër, duke u munduar të mos harrojmë se kush jemi dhe duke u hapur vazhdimisht ndaj trendëve dhe proceseve të reja të cilat i synojmë për të ecur përpara dhe për t’u integruar me të tjerët.
Zogjtë e Petritit
Me një qasje të tillë midis përplasjes së identitetit, apo të kërkimit të identitetit apo edhe shpërfaqjes së tij , Petriti për herë të parë po e qon Kosovën në Biennalen e Artit në Venedikut e cila këtë mbahet për të 55-tën herë më radhë. Së bashku me kuratoren Kathrin Rhomberg dhe me komisionar Erzen Shkolollin , Petriti instaloi në Pavilionin e Kosovës një copë toke me degëza drunjsh e cila duket si një fole ne shikim të parë dhe në njëfarë forme “ rikthen kujtimet e zbehta të një strehe primitive” por që në të njëjtën kohë të fton për të hyrë brenda saj. Një rrugëtim në errësirë, një ndjenjë pasigurie, erë toke e ftohtësi të cilat ndriçohen nga një vrimë ku më pas hapet një dritë e re, një jetë e re të cilën artisti e ka plotësuar me dy zogjtë/bilbilat që kanë jetuar në shtëpinë e tij të cilët lirshëm fluturojnë dhe nuk janë çdo herë aty për t’i perceptuar. Një porosi shumdimenzionale ku të gjithë mund të gjemë përgjigje të ndryshme, por nevoja e identifikimit dhe përkatësisë në njërën anë si dhe etja për dritë dhe për fluturim e lëvizje të lirë është një e vetme e dëshiruar nga të gjithë qytetarët e kësaj toke.
Foleja e Petritit
Dua ta falënderoj personalisht Petritin, Erzenin, Katherin dhe gjithë të tjerët në ekipin kosovar të cilët i dhanë Biennales në Venedik një fytyrë të re të Kosovës. Arti dhe Kultura janë platforma që i ndihmojnë shtetndërtimit në njërën anë dhe njëkohësisht krijojnë dhe ofrojnë faqe të reja reprezentimi për një opinion tjetër për Kosovën. Kosova ka nisur që ta bëjë folenë e saj në Evropë dhe në botë, dhe edhe nëse proceset politike janë shpeshherë të ndërlikuara, pa shumë rezultate , apo edhe të tejzgjatura në kohë , artistët tanë po e ndihmojnë këtë rrugëtim integrimi dhe mishërimi të Kosovës nga një platformë tjetër , platformë kulturore e që historikisht ka treguar se është platforma e cila ka mishëruar të ndryshmet , ka zbutur konfliktet dhe ka krijuar momente të reja paqeje dhe reflektimi. Me Folenë e Petritit edhe Kosova tashmë ka hapur derën të jetë pjesë e “pallatit enciklopedik” botëror aty ku dikur artisti Marino Auriti kishte menduar që të strehonte gjithë dijen, zbulimet e mëdha të njerëzimit…
Ndërsa rruga jonë për në Evropë është rruga jonë e dijes, kreativitetit dhe hapjes për proceset e reja lirshëm, natyrshëm dhe me përgjegjësi. Në folenë e madhe evropiane arti dhe kultura janë motorët kryesor të promovimit të Evropës “ united in diversity” apo të bashkuar në diversitet.
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës Tribuna dhe ministre e Integrimeve Evropiane)


