Haradinaj shpreson në pafajësinë e ish-komandantëve
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sa i përket arrestimeve të fundit të ish- eprorëve të UÇK-së thotë se pret që drejtësia të marrë vendimet e duhura, duke thënë se duhet të punojmë në bazë të vizionit, e jo me një ngjarje të caktuar të reflektojmë qëndrime të caktuara.
“Shpresojmë që do të vërtetohet pafajësia e pjesëmarrësve në luftën për çlirimin e vendit”, ka thënë ai.
Ndërkaq, sa i përket marrëveshjes së fundit Kosovë-Serbi, Haradinaj shprehet se është i bindur se zbatimi i marrëveshjes së fundit do të ndodhë përkundër rezistencave, duke propozuar që të fillohet me disa pika në zbatim para 28 qershorit.
Po ashtu, sipas tij, Serbia do të ndryshojë pozicion dhe qasje ndaj Kosovës në shumë aspekte, por më kryesorja është zbatimi i marrëveshjes dhe mos pengimi për integrime në Bashkimin Evropian.
“Duhet të jemi vetëkritik. Kërkush s’e ka pengu edhe s’e pengon presidenten e vendit, kryeministrin e vendit të Kosovës, kryeparlamentarin që me i ftu kolegët me u pa ma shpesh me bisedu me ta që me i parapri temave, në disa raste nuk dështojmë se një shtet fqinjë nuk na do. Ne dështojmë se nuk kemi raporte miqësore. Gjanat janë edhe personale pak, është dashtë disa here me u taku presidentja e Kosovës me presidentin e Maqedonisë ndoshta edhe jo me ndonjë protokoll të madh, një drekë miqësore, që të krijohet një traditë që pastaj kur të ndodhin ngjarjet. Na e dimë shumica e këtyre temave nuk janë apriori veç çka thotë ligji çka thonë marrëdhëniet çka ndiej unë për ty, nëse ndihem mik me ty t’thirri”, është shprehur Haradinaj, transmeton KosovaPress. /Telegrafi/


