Kadriu premton rregullimin e një rruge në lagjen “Qendra VI”
Gjilan – Kryetari i AAK-së në Gjilan Rexhep Kadriu, ka vizituar nëndegën “Qendra VI”, ku takoi banorët e kësaj lagje, të cilët shfaqën pakënaqësitë e tyre në lidhje me pushtetin aktual, për lënien pas dore të kësaj lagje nga ana e komunës.
Këta banorë thanë se per dy mandate qeverisëse të kryetarit të komunës Qemajl Mustafa, nuk ka pasur as më të voglin investim, ku dihet që ky lokalitet është i ngjitur me qendrën e qytetit dhe llogaritet si zonë e dytë në tatim në pronë dhe në taksa të tjera.
Me këtë rast kryetari Kadriu, u premtoi banorëve se do të ndihmojë këtë lagje edhe tani, por edhe në të ardhmen. Si për fillim ai do tu ndihmojë atyre në rregullimin e një rruge të kësaj lagje, e cila është pothuajse e pakalueshme. Ky investim do të bazohet krejtësisht në buxhetin personal të kryetarit Kadriu, duke shtuar se në të ardhmen, kur Gjilani të udhëhiqet nga ai, këto investime do të bëhen me paratë e taksapaguesve, pra vetë qytetarëve të Gjilanit, sepse ato janë para që duhet të kthehen në investime, ka thënë kryetari Kadriu./rajonipress/


