Hidromorava

Xherdani si feniks

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Milaim Shefkiu – Qytetarët e Bashkimit Evropian janë mësuar që t’i shohin për çdo ditë shqiptarët e Kosovës si personazhe të kronikës së zezë, që mbushin tabloidet për krim të organizuar, shitje të substancave narkotike, ngasje të shpejtë të veturave, vrasje e gjëra të tjera. Madje është krijuar përshtypja se çdo njeri që thyen ligjin nëpër vendet e BE-së, janë vetëm shqiptarët.

Në vendet e BE-së ata shikohen si hajna dhe trajtohen si të huaj, ndërsa kur kthehen në Kosovë, në vendlindjet e tyre, vetë kosovarët, të cilët falë tyre, kanë krijuar mirëqene sociale me të mirë, ua mveshin lloj-lloj epiteti. “Erdhën shacat, erdhën ata me pantolla të bardha…, etj etj”. Në disa lokalitete dhe nëpër qendra të mëdha i nënçmojnë, pavarësisht se me djersën e tyre është mbajtur gjallë ky popull në dekadat e fundit.

Duket se edhe këta shqiptarët e nënçmuar andej e këndej ku jetojnë, nuk po lënë emër vetëm në kronikat e zeza. Ata po lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit ku jetojnë dhe origjinës ku janë lindur. Njëri nga ta u duk të shtunën në Londër, si një feniks, derisa u rri dy metra larg njerëzve më me ndikim të politikës, ekonomisë dhe fizionomisë së Evropës.

Xherdan Shaqiri i Zhegrës së Gjilanit, i mbështjellë me flamur të Kosovës, si një ambasador i artë, iu tregoi gjithë botës se edhe Kosova është shtet, ndërsa në Zvicër përçoi mesazhin se “Kosova albano” nuk janë vetëm ata të kronikave të zeza.

Ai si një bajraktar i dasmave tradicionale shqiptare, e dërgoi flamurin (edhe pse jo kombëtar) aty ku nuk ka arritur ta çojë asnjë bajraktar deri më tani, as politikan, as gjeneral, e as ambasador.

FIDANISHTJA

Si një korife që sjell lajmet e fundit, ai ua bëri me dije liderëve botërorë të sportit, atyre evropianë të politikës, se Kosova ka nevojë për integrim, për përfshirje në garat evropiane.

Pavarësisht që nuk luajti në finale, Shaqa si një “gjerdan” i stolisur në pelerinën e gjeneralit, ai e ngriti Kupën e kampionëve. Kjo është e veçanta e Championsit. Të shtunën mbrëma besoj se të gjithë shqiptarët janë mbushur me emocion derisa kanë parë skemat se si festohet trofeu i Bayern-it. Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e tha se në finale është deklaruar se është për Xherdanin. Besoj që të gjithë politikanët e Kosovës edhe ata të diplomacisë e kanë parë se një flamur në finalen e Wemblit është sa mijëra flamuj nëpër kancelaritë tjera të botës.

Autoritetet e Kosovës kanë shpenzuar miliona euro për t’i bërë promovim shtetit më të ri nëpër mediet më me ndikim të botës. Madje janë kritikuar vazhdimisht se po shpenzojnë kot, sepse efekti është minimal.

Mendoj se një këngë e Rita Orës, tingujt e së cilës pushtuan botën, një paraqitje solide e Xherdanit në Chambions, disa paraqitje fenomenale të Majlinda Kelmendit, një meç për titull në boks i Haxhi Krasniqit, tejkalojnë gjithë angazhimin e lidershipit kosovar për promovim dhe njohje.

Prandaj rasti i Shaqes në finale të Ligës së Kampioneve u ka dhënë një leksion politikanëve në Prishtinë se duhet më shumë të investohet në sport, në kulturë, në art, sepse përmes rinisë promovohet jeta, kultura, tradita dhe promovohet shteti i Kosovës. Është e natyrshme se të gjithë nuk mund të bëhen si Xherdani, Majlinda, Rita… Por, kjo plejadë e sportistëve, e artistëve kosovarë kërkon më shumë zemër, më shumë komb, më shumë shqiptari dhe më shumë Kosovë. Këta të rinj meritojnë mbështetje institucionale, të paktën moralisht…