Fundamenti

Kastrati: Barrikada do të largohet për pak ditë

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Marrëveshja është arritur dhe shpresoj se ju për herë të fundit jeni duke parë këtë barrikadë këtu, ngase ajo do të largohet për pak ditë. Kështu ka thënë numri një i Mitrovicës, Avni Kastrati, gjatë vizitës së disa kongresistëve amerikanë, si dhe mysafirëve nga rajoni dhe Evropa, që i bënë të dielën rreth mesditës barrikadës mbi urën e Ibrit.

Ai tha se strukturat kriminale të veriut janë duke mbajtur situatën nën tension në atë pjesë, ndërsa potencoi se institucionet janë të hapura për bashkëpunim me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim, por edhe me fqinj.

Ndërkaq, kongresmeni amerikan Robert Aderholt, u shpreh optimist se me arritjen e marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, situata do të përmirësohet dukshëm. Ai sqaroi se për shkak të mungesës së kohës, mysafirët nuk do ta vizitojnë veriun e qytetit, transmeton Kosovapress.

“Kemi ardhur për vikend në Kosovë, dhe parashohim një vizitë të shkurtër edhe në Maqedoni”, ka thënë Aderholt.

Mobi Casa

Në anën tjetër, Adem Grabovci, deputet i Parlamentit të Kosovës, tha se Kosova ka arritur të përçojë mesazhe pozitive mbarë botës.

“Ne kemi arritur qëllimin tonë, duke dërguar mesazh bashkëpunimi mbarë botës, dhe duke ofruar mundësinë botës të identifikojë kush është pengesë e vërtetë e proceseve demokratike”, theksoi Grabovci.

Sipas tij, barrikada mbi Ibër është duke i numëruar ditët, dhe Mitrovica së shpejti do të bashkohet, ndërsa qytetarët e saj do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm. /Telegrafi/