ARKATANA

Prognoza

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Nga Arben Ahmeti – Për të gjithë ata që kohët e fundit janë shumë të zënë me procesin e dialogut. Për të gjithë ata që janë shumë të zënë duke e përcjellë çmitizimin e komandantëve të paprekshëm. Për të gjithë ata që janë duke planifikuar të martohen apo marrin pjesë në dasmat e sezonit veror, por mbi të gjitha, për të gjithë ata që nuk kanë çka të bëjnë tjetër pos pirjes së makiatove gjatë mbytjes kolektive të kohës, pra për këta të fundit, e që jemi shumica, e kam një lajm: Jeta jonë në këta muaj do të jetë më e mirë, më dinamike, më entuziaste, ngase jemi në kohë zgjedhjesh.

Nuk pretendoj ekskluzivitetin e lajmit tashmë të dhënë në këtë gazetë nga Valmiri. As nuk pretendoj që ky lajm ta gëzojë dikë, pos atyre që do ta shohin këtë si mundësi të artë të këmbimit të votës me një thes miell, dy-tre litra vaj e ndonjë grusht kripë. Nuk pretendoj të bëj Migjenin për të përshkruar mjerimin, por dua që lajmi tash të jetë i qartë: jemi në kohë zgjedhjesh dhe jo vetëm lokale. Nuk është fare me rëndësi nëse zgjedhjet lokale e ato nacionalet do të mbahen bashkë në ndonjë mbrëmje tetori, apo do t’u lihet ca muaj diferencë. E rëndësishme është se tashmë mielli ka nisur të premtohet, vaji të rrëshqasë nga duart me pomadë të profiterëve politikë, e kripa ka nisur të zhduket nga gjuha e tyre. Ata kanë hyrë në fazën e diabetit të plotë nga ëmbëlsimi karshi qytetarit që ka hapur ankand për shitjen e votës.

Pata kënaqësinë e radhës ta lexoj një punim barometri të sigurisë nga miqtë e mi te Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë. Punimi më mbushi me informacione për mosbesimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Më tregoi edhe se si shumica absolute e kosovarëve nuk besojnë në sistemin zgjedhor. Por, miqtë e mi të qendrës kishin marrë guximin që krahas gjithë atij punimi ta prognozojnë rezultatin e zgjedhjeve. Rezultatin e zgjedhjeve që nuk u beson qytetari. Rezultatin e zgjedhjeve ku element determinues janë mielli, vaji e kripa. Zgjedhjeve, ku një vend pune, a rritje e vogël rroge është faktori absolut. Zgjedhjeve, ku as elementet e lartshënuara, e as faktori nuk determinojnë asgjë nëse nuk përcillen ditën me trenin bullgar (mënyrë e blerjes së votave me para), e natën me mbushjen industriale “Made in Kosova”.

Ja disa konkludime logjike se pse u habita kur pashë rezultatin në atë pjesë, po e cek, minore të punimit: Si ndodh që saktësisht numër i njëjtë qytetarësh si në zgjedhjet e kaluara të shprehin hezitim për zgjedhjet edhe këtë herë? Si ndodhi që në pyetjen për kë keni votuar, ata të përgjigjen saktësisht ‘si në zgjedhjet e kaluara’?

Nuk dyshoj në sinqeritetin e miqve të mi por një mostër e tillë është aq ideale sa vështirë të gjendet edhe në vendet ku ideologjia është faktori vendimtar për votën.

A i patë pastaj reagimet banale të partive tona industriale?

PDK u ankua se i është ulur përqindja, LDK se u dëmtuan rëndë, AAK se nuk u çmua lideri i tyre e AKR se do mbesin jashtë parlamentit. Nuk mbaj mend reagimin e VV. Pavarësisht të drejtës për t’u shprehur, pyetja që të del prej barku sa herë sheh reagime të tilla është: Kush po gjykon me kaq moral? Industrialistët apo? A po gjykojnë këta që ia kanë shndërruar këtij qytetari miellin në dëshirë e vendin e punës në privilegj?

E të pretendosh qëllimin e rezultatit në një proces hajnie, në rastin më të lehtë është guxim i tepruar. Ta pretendosh rezultatin në një kohë zgjedhjesh, në kohën e fushatës së zgjedhjeve që nuk do të jenë të pastra, është përgatitje e terrenit për papastërtinë. Është shtrim i rrugës që pastaj do të mbulohet nga fekalet që do të dalin natën prej pusetave, që në këtë rast do të duken si kuti të votimit. Të gjithë do të dalim të përbaltur e të qullur nga kjo rrugë, pos atyre që e përgatitën, e krijuan. Pjesëmarrja, qoftë edhe e pavetëdijshme e një organizate të shoqërisë civile në një proces të tillë, është mëkat.

ARKATANA

Të shtunën nuk do të mund ta shoh finalen gjermane për shkak të një dasme. Pres fitore të industrialistëve të Bayernit, ndonëse të rinjtë e Dortmundit më duket se ofrojnë pak më shumë futboll. Humorin në dasmë nuk do të mund të ma prish asnjë rezultat përderisa ekipi im i zemrës i ka larë duart nga kjo garë. Nervoz mund të më shkaktojë referi nëse ndërhyn në minutat vendimtarë dhe e vendos rezultatin në favor të të fuqishmëve të Bayernit.

Humorin e zgjedhjeve të ardhshme do të ma ndreqë ndonjë organizatë sa herë që do të mundohet ta bëjë arbitrin në lojën ku më së paku arbitri do të pyetet. Do të më dhemb stomaku nëse shoh pastaj arbitër që pajtohet me pamundësinë dhe nis e përgatit terrenin për pranim rezultati. Në këtë lojë të papastër zgjedhjesh secili mund të fitojë. Të gjithë kanë nga një element sa për të garuar. PDK ka industrinë e njerëzve dhe parave. LDK të dyja nga pak, ndonëse të zbehta, njëjtë si AAK. VV ka aktivistë e AKR ka paratë, simbol i liderit të saj. Krejt këto u garantojnë këtyre partive pjesëmarrje në garë. Rezultati do të vendoset nga këta faktorë:

1. Rrëshqitshmëria e fushës për shkak të ujit dhe vajit.

2. Ngopshmëria e shikuesve me miell, ushqim e pije.

3. Aftësia për të vjedhë – korrigjuar vota.

P.s. Prej krejt kësaj xhurulltie, qytetari mund të përfitojë më shumë. Krejt çfarë duhet është që votën ta këmbejë me mirëqenie të mirëfilltë e jo me një litër vaj. Shoqëria civile nuk duhet të përgatisë terren, por të bëhet gati për ta mbrojtur në çdo mënyrë votën e qytetarit. Ndryshe, si në vaj do të vazhdojmë rrëshqitjen drejt dështimit.

(Autori është redaktor përgjegjës në gazetën Tribuna)