Eko Higjiena

Ndryshimi jemi ne

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Mimoza Kusari Lila – Ndryshimet nuk janë të lehta dhe nuk pranohen lehtë në asnjë shoqëri. Rezistenca ndaj ndryshimeve varet nga ndikimi që ato kanë tek grupe të caktuara të interesit dhe rrjedhimisht forca e këtyre grupeve të interesit për të përkrahur apo penguar ndryshimin.

Duke qenë dëshmitare e nisjes së procesit të ndryshimeve në disa nivele, më duhet të pranoj se asnjëherë nuk janë të lehta këto procese. Vënia e një standardi të ri, apo kërkesat për transparencë dhe rregull, shpeshherë aktivizojnë mekanizma për të cilët as nuk mund të ëndërrosh se sa janë në gjendje të shkojnë larg për të arritur qëllimin e vet.

Në konkretizim të kësaj situate, prezantimi i Ligjit të ri kundër duhanit në Kosovë nga Ministria e Shëndetësisë u prit jo me pak zhurmë dhe tendencë për t’u penguar miratimi i tij. Debati, njëjtë sikur me ligjin e naftës, shkoi deri tek etiketimi i ligjit si antikushtetues ose tepër i avancuar për një vend si Kosova.

Përkundrejt të gjitha pengesave, isha e kënaqur të shoh me 22 maj fillimin e zbatimit të dy ligjeve të sponsorizuara nga Ministria e Shëndetësisë, njëri prej tyre edhe ai i Duhanit. Ky ligj parasheh edhe obligimin e Inspektoratit të Tregut për të inspektuar pikat e shitjes së duhanit në mënyrë që të sigurohet mosekspozimi i duhanit. Gjithashtu, zyra për mbrojtjen e konsumuarit ka ndarë numrin e saj i cili funksionon me njeri prapa linjës prej orës 8:00-16:00, ndërsa me sekretarinë automatike prej orës 16:00-8:00

Të Mërkurën vetëm kanë filluar reagimet, disa pozitive, disa negative. Në masë të madhe tek operatorët ekonomi, ligji filloi zbatimin në mënyrë të mirëfilltë. Ka edhe të tillë që nuk besojnë në këtë ndryshim, por më tepër ata nuk besojnë në veten e tyre. Ata të parët të cilët e ngritën zërin kundër ligjit, janë ose ata me interesa të theksuara ekonomike, ose ata duhanxhinjtë të apasionuar. Të dy palët nuk menduan për interesin e përgjithshëm, nuk menduan për shëndetin dhe ajrin e Kosovës, por për interesin dhe veten e tyre.

Eco Higjiena

Të enjten (dje) në Kuvendin e Kosovës ligji u shkel në mënyrë po aq të vrazhdë nga disa deputetë. Era e tymit të duhanit mund të ndjehej edhe në sallën e Kuvendit nga kafiteria e cila shërben për deputetet në nivelin e lartë. Ligji u shkel në vendin ku u miratua, për një periudhë shumë të shkurtër kohore, të paktën në ditën e dytë të fillimit të zbatimit të tij.

Përkundrejt mandatit ligjvënës të deputetëve, Ministria e Shëndetësisë duhet të sigurohet të dërgojë inspektorë dhe kërkojë zbatim strikt në vendin ku ligjit iu dha jeta. Dënimet për shkeljen e këtij ligji (ashtu si kur edhe për çdo ligj tjetër në Kosovë) duhet të zbatohen kudo njëjtë. Nuk duhet të kemi ndjenjën se ligji duhet amnistuar dikë dhe gradualisht të humbin shpresën se ndonjëherë duhet të zbatohet.

Ky ligj, sikur edhe cilido ligj tjetër në Kosovë, do të zbatohet nëse Kosovarët në masë do ta zbatojnë. Ky ligj do të jetë tregim suksesi i Kosovës, nëse ne besojmë në ndryshimin, ligji do të zbatohet nëse ne besojmë në ambientin më të pastër në Kosovë dhe në ambiente më të shëndosha. Ky ligj do të zbatohet nëse ne besojmë në ndryshim.

Të njëjtat parime vlejnë për ligjet tjera, për luftën ndaj korrupsionit, për të drejtat e punëtorëve për ekonominë formale dhe shumë të tjerë. Në Kosovë, ndryshimi nuk do të vijë nga jashtë, ndryshimi jemi ne, qytetarët e Kosovës. Secili që flet se një ligj nuk zbatohet, duhet të pyes veten, çfarë kam bërë unë të ndihmoj zbatimin e këtij ligji? A e kam parë apo dëshmuar shkeljen e ligjit? Nëse po, a e kam lajmëruar? Nëse unë nuk e lajmëroj ligjin pse duhet të shpresoj ose edhe më keq të frustrohem se ligji nuk respektohet në Kosovë?
Ligji jemi ne, shteti jemi ne, por edhe ndryshimi jemi NE.

(Autorja është zv/presidente e partisë Aleanca Kosova e Re; zv/kryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)