Berisha: Do të ishte privilegj për Gjilanin nëse do të kthehej LDK-ja në pushtet
Gjilan – Nënkryetari i LDK-së në Gjilan Sadudin Berisha në një takim me gazetarët këtë të shtunë ka vlerësuar se dega e LDK-së në Gjilan ka kandidatura serioze për të udhëhequr me Gjilanin. Ai tha se kandidatë i vetëm aktualisht mbetet Lutfi Haziri i cili llogaritet si kandidatura më e fuqishme.
“LDK-ja në Gjilan është forca kryesore politike dhe vetëm ajo mund t`ia kthejë performancën, dinjitetin dhe stabilitetin politik e ekonomik qytetit të Gjilanit”. Kështu ka vlerësuar Sadudin Berisha nënkryetar i LDK-së në Gjilan të shtunën në një konferencë për medie.
Berisha tha se LDK-ja po arrin çdo ditë e me tepër të konsolidohet me kuadro të dëshmuara . “LDK-ja do të vazhdojë të punojë për interesa të qytetarëve të Gjilanit duke zhvilluar e përkrahur projekte investive në Gjilan. LDK-ja do të jetë e pranishme kudo dhe në përkrahje të gjitha shtresave e grupimeve shoqërore sepse ne nuk bëjmë dallime dhe as anime politike” mendon Berisha.
Berisha tha se meqë LDK-ja është partia më serioze dhe më madhja në asamble na mbetet që tani të krijojmë një program qeverisës, por jo nga zyret, por i ndërtuar nga nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të Gjilanit dhe të anëtarësisë së saj. Do të ishte privilegj për Gjilanin nëse do të kthehej LDK-ja në pushtet” tha Berisha.
Nënkryetari i LDK-së duke i komentuar sondazhet e një organizate në Prishtinë e cila e nxjerr fitues VV në Gjilan, tha se ky sondazh është shumë shqetësues sepse LDK-ja është forca kryesore politike në qytet.
Duke komentuar deklaratat e zyrtarëve më të lart të PDK-së për investimet në Gjilan (8 milion euro), Berisha tha se frika që e ka kapluar PDK po joshet ende nga premtimet e Thaçit, të cilat premtime po jepen në kohën e vitit zgjedhor.”Qeveria Thaçi e ka anashkaluar vazhdimisht Gjilanin dhe Anamoravën dhe premtimet e fundit janë vetëm mashtrim i radhës sepse në Gjilan kemi një infrastrukturë të keqe dhe të vjetruar, ka pak investime derisa nevojat janë shumëfishë më të mëdha”.
Berisha ndërkaq duke folur për kandidaturën e Lutfi Hazirit për kryetar të Gjilanit tha se është kandidatura më e fuqishme dhe më serioze e LDK-së.”LDK aktualisht i ka edhe 10 kandidatura serioze që mund të fitojë zgjedhjet lokale, por besimin e ka Lutfi Haziri i cili do të krijonte një imazh pozitivë për Gjilanin”.
Berisha tha se koalicionet pas zgjedhore LDK mund t`i sheh vetëm me partitë e përafërta me programin e saj. “Koalicioni me PDK nuk është interes as i qytetarëve e as i LDK-së ” tha Berisha./rajonipress/


