Edi Ramën as për ilaç
Nga Muharrem Nitaj – Në marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë, ka pasur 1001 fate të zeza dhe shumëfish më shumë njerëz që e kanë paguar me kokë ose më fytyrë pakujdesinë ose joracionalitetin e kësaj marëdhënieje. Mijëra kosovarë janë “shpërfytyruar e sakatosur” nga regjimi i Enver Hoxhës, ndërkohë që mijëra të tjerë kanë paguar çmim të lartë, në pothuaj krejt ish-Jugosllavinë, vetëm për shkak të dashurisë ndaj Shqipërisë së Hoxhës.
Për fat të keq kjo marrëdhënie ka vazhduar të jetë jonormale edhe në 20 vjetët e fundit, ku udhëheqësit shqiptarë, me fare pak përjashtime kanë qenë aleatët e fundit të Kosovës në luftën e saj për vete.
Defektet e një marrëdhënieje mbi 50-vjeçare kanë bërë që popullatat shqiptare në të dya anët e kufirit, për fatin e keq edhe elitat e tyre, të kenë paragjykime të mëdha ndaj njëri-tjetrit, megjithëse për hir të së vërtetës, në këto 20 vjetët e fundit, kanë bërë përpjekje maksimale që t’i fshehin ato, jo rrallë duke u shndërruar edhe në hipokritë!
Prandaj edhe ka ndodhur që Sali Berisha, me gjithë mëkatet e mëdha në raport me Kosovën, të jetë politikani më popullor. Prandaj edhe ka ndodhur që socialistët, megjithëse as më të mirë e as më të këqij se Berisha vetë, të demonizohen dhe të mos duhen as edhe për ilaç!
Nuk e besoj që lidershipi socialist nuk e di këtë fakt, dhe është krejt e paimagjinueshme që ai të mendojë se roli i Kosovës në zhvillimet politike në Shqipëri është i pandjeshëm. Kjo jo vetëm për shkak të votës së disa mijëra qytetarëve me prejardhje nga Kosova, por edhe për shkak të ndikimit të natyrshëm që
ka Kosova në “votën e veriut”.
Prandaj edhe ka pasur disa përpjekje të këtij kampi që ta përmirësojë imazhin e rrënuar në Kosovë, por për hir të së vërtetës këto përpjekje kanë qenë krejt sipërfaqësore e të zbehta. Paraqitjet e fundit të Edi Ramës në Kosovë, në rastin më të mirë, kanë qenë të dëmshme për vetë Ramën dhe partinë e tij. Nëse ka një paragjykim të çuditshëm se Partia Socialiste ka disa lidhje me Serbinë, është mirë që lidershipi socialist t’i zgjedhë aletatët e vet në Kosovë, të cilët të paktën nuk e kanë vetë këtë hipotekë. Një miku im nga Tirana po më thoshte se Edi Rama nuk i njeh njerëzit në Kosovë, prandaj edhe është e mundur që ai të bëjë gabime në përzgjedhjen e aleatëve të tij në Prishtinë, por kjo nuk i falet një njeriu që ka pretendime të jetë kryeministër i Shqipërisë.
Është krejt e pakuptueshme që në krye të qeverisë shqiptare të zgjidhet një njëri i cili nuk ka fuqi politike edhe në Kosovë e madje edhe te shqiptarët në Maqedoni. Edi Rama sot për sot nuk e ka këtë fuqi dhe ky është handikap i tij. Ai deri më sot ka dështuar ta përmirësojë imazhin e socialistëve në Kosovë, sepse këtë ka provuar ta bëjë përmes njerëzve që kanë probleme serioze me vetë imazhin e tyre. Berisha është treguar 99-sh!
Ky i fundit ka arritur që pikërisht në vlugun e fushatës për ta marrë edhe njëherë pushtetin, ta kontrabandojë njërin prej bashkëpunëtorëve të tij, Lulzim Bashën, për titullin “qytetar nderi” i kryeqytetit të Kosovës! Socialisti më popullor dhe më i pranueshëm në Kosovë, Pandeli Majko, pak vite më parë e pati akuzuar Lulzim Bashën, për rolin e tij shumë të dyshimtë në proceset gjyqësore kundër pjesëtarëve të UÇK-së, diku iu drejtua atij “ky rrushi…”! Por sa para bën kjo punë, kur edhe Kosova është e përzier në “pazarin e votës” në Shqipëri dhe në emër të saj bën edhe tregti me “qytetari nderi”.
Ndoshta Kosova nuk mund të ketë as edhe një rol të vetëm në përcaktimin e fituesit në zgjedhjet e qershorit në Shqipëri, siç mund të mendojë Edi Rama, por nëse ka dhe nëse këto zgjedhje i humbin socialistët edhe një herë, kjo është pasojë e imazhit të keq të Edi Ramës në Kosovë. Ai, megjithëse e kishte terrenin më të përshtatshëm se asnjëherë më parë, as këtë herë nuk mund ta fitojë Berishën në Kosovë!
Po si nuk diti njëherë të vetme të na bindë se nuk është i ftoftë, se nuk është arrogant, se nuk është anti-kosovar, se nuk është aq i keq sa për të mos e dashur. Vetë duhet ta ketë fajin pse kosovarët nuk e duan as edhe për ilaç! Ai nuk po di as t’ua “lypë”!


