Mobi Casa

Synimi im është zhvillimi i Kosovës

/ 7 minuta lexim
KKVITI

Nga Behgjet Pacolli – Duke i lexuar shkrimet dhe dëgjuar komentet për ndodhitë e fundit në AKP dhe rreth riformatizimit të Qeverisë, vendosa që nga pozita krejtësisht neutrale të bëj këtë koment të stërzgjatur pak, duke pasur parasysh edhe nga pak anën emocionale timen.

Këtë koment nuk do ta lidhja me ndonjë obligim as moral dhe as profesional, për t’iu përgjigjur autorëve të këtyre thashethemeve, por me këtë dëshiroj të komentoj për opinionin publik i cili meriton të jetë i informuar drejt.

Me gjithë respektin meritor për mediet, të cilat do t’i ndaja këtu në dy grupe; në medie autoritative që respektojnë kodin gazetaresk (të cilat janë të pakta fatkeqësisht në Kosovë) dhe në ato të ashtuquajtura media që funksionojnë në mënyrë të egër, tendencioze, pa kurrfarë respekti për profesionalizmin, që nga pronarët e tyre përdoren si instrument për të denigruar çdo gjë, vetëm për arritjen e synimeve të pronarëve të tyre, synime këto të cilat lidhen ngushtë ose me interesat e tyre, ose nga frustrimi, inatet e zilitë ndaj personave të caktuar.

Siç e dinë të gjithë, unë në Kosovë nuk kam ardhur për të krijuar ekzistencën time nga politika, por kam ardhur nga një sukses me renome botërore, të arritur me punë mbi 40-vjeçare. Selinë, biznesi im e ka në vendin më demokratik në botë, aty ku dominon respektimi i ligjit, nderi, sinqeriteti, pra në Zvicër. Aty kam krijuar edhe ardhmërinë, jo vetëm timen, por edhe të gjithë farefisit tim të gjerë. Si rezultat, vëllezërit e mi, kushërinjtë e mi, sot i udhëheqin këto kompani të rangut botëror, që shërbejnë si model i korrektësisë, kualitetit dhe përgjegjshmërisë në të gjitha fushat ku operojnë. Si rezultat i kësaj, që nga vitet 1993 dhe këndej, grupi i këtyre kompanive ka një xhiro sa dy herë e gjysmë buxheti i Kosovës.

Madje,tani renditen klientët të cilët duan të punojmë me Mabetexin (si rezultat i kësaj është edhe suksesi i fundit i projektimit dhe ndërtimit të EXPO 2017 në Astana që kap shifra shumë miliardësh). Mos të flas për projektet e realizuara në të shkuarën, të cilat sot shihen, preken dhe në to punojnë qindra mijëra njerëz nëpër botë. Jam krenar që këto projekte janë ndërtuar ekskluzivisht nga punëtorët dhe ekspertët e vyeshëm të Kosovës që meritojnë çdo lëvdatë dhe këta janë të shumtë, disa mijëra, jo vetëm tani, por që nga vitet 90 e këndej. Këta janë njerëz, që me paratë e fituara atje ndërtojnë ardhmërinë e tyre në Kosovë.

Ishte ëndërr edhe imja si e çdo kosovari që t’i kontribuohet vendit. Unë kontributin tim, kam menduar ta jap në zhvillimin ekonomik të vendit, vullnet ky që çdokund do të gjente mirëkuptim. Në Kosovë, mua personalisht më ndodhi e kundërta. Në vend se të mirëpritej, kjo iniciativë tani përdoret si shkak për të denigruar personalitetin tim me fyerje e sharje, të padinjitetshme, të pamoralshme, destruktive e çdo gjë tjetër. Kompanitë e krijuara nga unë, sot përpos atyre mijëra personave jashtë vendit, garantojnë edhe punësimin e më se 2500 vetave këtu në Kosovë. Sa fitimprurëse janë kompanitë e mia këtu në Kosovë, po të mendoja në aspektin ekonomik do të turpërohesha t’ua them. Ato vazhdojnë të punojnë me humbje dhe ekonomikisht janë të paarsyeshme (për shkak të mungesës së fuqisë blerëse në Kosovë) dhe ju them se këto humbje mbulohen nga subvencionimi nga firma amë në Zvicër. Këtë më së miri e dëshmojnë remitencat bankare që vijnë, qofshin pagat e punëtorëve që punojnë jashtë, qofshin subvencionet për ndërmarrjet kosovare.

Hidromorava

Entuziazmi im për t’i kontribuar ekonomisë së vendit, nga pozita “ex oficio” do të më humbte që në fillim kur kuptova se mirënjohja pothuajse nuk ekziston më, kur e kuptova se këtu vjen në shprehje fjala e urtë që “nuk ka profet në vendin tënd”! Shpresova shumë që nga pozita institucionale do të krijohej mundësia për të vepruar, ngase këtu ekziston nevoja çdo ditë e ndokund. Edhe këtu shpejt demoralizohem, kur dëgjoj se për çdo iniciativë që shkon drejt reformave (për të cilat ka nevojë ky vend), nga qarqet e ndryshme ngritën zërat se “ky e ka për interes të vetin”. Autorët e këtyre thashethemeve sigurisht e bëjnë për shkak të nivelit të ulët të vetëdijes ose për shkak të inateve. Këtyre të padijshmeve u rekomandoj që ta konsultojnë realitetin kurse për këta tjerët, unë kam vetëm një përgjigje brutale, nga se u them atyre se ju nuk meritoni përgjigje më të mirë “ju nuk e thoni të vërtetën sepse ëndërroni të jeni dhe të jetoni jetën time qofte edhe një minutë, por dua të ju dëshpëroj, se me shpirtngushtësinë tuaj nuk do t’ia arrini kurrë! Ju e dini vetë kush jeni dhe çka përfaqësoni. Këtu dua të kërkoj ndjesë për publikun e sinqertë që e lexon këtë, dhe ju them se kjo nuk është mënyra e sjelljes time, por kjo përgjigje është vetëm për ata që e dinë vetë kush janë.

T’i kthehemi AKP-së. Unë nuk kam ditur për ekzistencën e zotit Rexha. Atë e kam takuar vetëm njëherë, tek ambasadori i Britanisë. Zonjën Dardane Peja asnjëherë në jetën time s’e kam takuar, dhe asnjëherë nuk e kam njohur.

Pas të bërave të zotit Rexha në AKP dhe pas tërheqjes së zonjës Bernadett Roberts nga bordi i AKP-së, e kam parë të arsyeshme që të rekomandoj zotin Rexha të tërhiqet menjëherë, për arsye se dëmi për ekonominë tonë shkonte në kahe të pariparueshme. (analizojeni kontributin ekonomik që SHBA ka dhënë për Kosovën, vetëm në konferencën e donatorëve në Bruksel, 500 milionë euro) e mos të flasim për dëmin politik. Zoti Rexha, nëse e konsideron veten më të mençurin, është dashur të kërkoni menjëherë falje dhe të dorëhiqeni e mos të bënit deklarata arrogante që vetëm parlamenti mund të më shkarkojë. Zoti Rexha ma jep një dëshmi të vogël që unë kam pasur interes për Trepçën ashtu siç ju deklaroni në media, ose ma jep vetëm një dëshmi që unë kam ndikuar te zonja Peja që ajo të dorëhiqet.

Jo zoti Rexha, nuk është e vërtetë dhe urdhëro kërko falje! Jam shumë mirënjohës për atë që ka ndodhur, që tani të kemi një ministër të sinqertë, professional në Zhvillimin Ekonomik, dhe dashtë Zoti që ai mos të pengohet në mënyrë që ne ta jetësojmë idenë tonë, dita e së cilës moti i ka ardhur, atë të reformave ekonomike.

I garantoj qytetarët e Kosovës se, nëse konstruktiviteti i kolegëve tanë në qeveri do të ekzistojë, ne do të fillojmë ndërtimin e kapaciteteve energjetike, në bazë të formulës PPP. Ato asete që kanë mbetur do të përdoren për krijimin e veprimtarive me partneritet publiko-privat, do të fillojë trajtimi i minierave, të cilat që 15 vjet kanë mbetur jashtë funksionit dhe do të krijojmë mundësi për fillimin e krijimit të ndërmarrjeve për zhvillimin e agroekonomisë. Do të vazhdojmë punën në krijimin e një ambienti të sigurt për të bërë biznes e shumë të tjera. Do të insistojmë pa u ndalur, edhe te kolegët tanë të ministrive të tjera që të rishikohen ligjet, e sidomos ato të gjyqësisë, në mënyrë që veprimtarëve ekonomikë t’u lehtësohet jeta afariste.

(Autori është presidenti i AKR-së dhe zv/kryeministër i parë i Kosovës)