Mobi Casa

Asgjë për Feridin

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Behgjet Pacolli ia arriti ta marrë për vete Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, por kërkesat e partnerëve të tij as që i shtroi për diskutim në takimet me Hashim Thaçin. Ferid Agani tha të dielën për Gazetën Express se dëshiron dy poste zëvendësministrash.

Muaj të tërë iu deshën Behgjet Pacollit që ta bind Shefin e Qeverisë, Hashim Thaçin, për t’ia dhënë Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Për ta arritur këtë, madje, Kryetari i AKR’së edhe kërcënoi disa herë publikisht me largim nga Qeveria.

Por, nga marrëveshja që arriti me Thaçin, Pacolli nuk nxori poste edhe për partnerët e tij të vegjël më të cilët kishte garuar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kështu, kërkesa e Partisë së Drejtësisë për të pasur dy poste zëvendësministrash, duket se as që është shtruar për diskutim në takimet Thaçi-Pacolli.

Në një bisedë për Gazetën Express, Kryetari i PD’së, njëherësh Ministër i Shëndetësë, Ferid Agani, thotë se ende është në pritje për kërkesën e tij drejtuar Behgjet Pacollit.

“Jo për momentin jo. Kemi premtime gojore dhe kemi biseduar natyrisht edhe me Liderin e Koalicionit që në Qeveri përfaqëson edhe interesat e PD’së që kërkesa të realizohet plotësisht”, tha të dielën Agani.

ARKATANA

“Kërkesa është parashtruar me shkrim dhe bëhet fjala për këshilltarin tim politik, Abdullah Klinaku për postin e Zëvendësministrit në Ministrinë e Diasporës dhe akademikun Feti Mehdiun për postin e Zëvendësministrit të Ministrisë së Kulturës”.

Dëshirën e Ferid Aganit për t’i poseduar këto dy poste qeveritare, Pacolli ia kishte adresuar Thaçit për herë të parë dhe të vetme, pas kthimit nga vizita zyrtare në Kajro. Që atëherë nuk është folur më për këtë çështje.

“Asnjëherë në jetën time s’kam vepruar në bazë të supozimeve, të shohim njëherë se cila do të jetë përgjigja e partnerit të koalicionit dhe pastaj marrim qëndrimet tona si parti. Natyrisht pres që përgjigja të jetë pozitive”, tha Agani kur u pyet se çfarë do të ndërmarrë nëse nuk i plotësohen kërkesat.

Riformatimi i kabinetit qeveritar nisi javën e kaluar kur partia e Behgjet Pacollit fitoi të shumëdëshiruarin post ministror në MZHE për Fadil Ismajlin, ish-drejtorin e KOSTT’it. Ndërsa, ish-Ministri i MZHE’së, Besim Beqaj u dërgua në dikasterin e financave.

Koalicioni Kosova e Re me liderin e saj Behgjet Pacollin, aktualisht në Parlamentin e Kosovës ka 8 deputetë: 2 nga të cilët janë të Partisë së Drejtësisë, 3 të AKR’së, 1 i Listës Ibrahim Rugova, 1 i NDS’së dhe 1 i PDAK’së.