Eko Higjiena

Strategjitë parazgjedhore!

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Adrian Çollaku – Edhe pse ka kohë të paktën edhe 5-6 muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, partitë politike kanë filluar në një formë a tjetër fushatën paraelektorale. Secila parti fushatën paraelektorale e ka filluar në mënyrën e vet. Derisa disa nga partitë opozitare, si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fushatën e kanë filluar duke u përqendruar më shumë në nivel lokal, pra nëpër komuna, Partia Demokratike është koncentruar jo vetëm në nivel lokal, por edhe në nivel të përgjithshëm.

Partia e cila drejtohet nga Hashim Thaçi, pos punës së madhe që është duke e bërë në terren, duke shpërndarë libreza, madje edhe më shumë se 1 mijë të tilla brenda dite, e duke zhvilluar takime të shumta me elektoratin, kjo parti që drejton edhe qeverinë, po merr vendime të cilave u vjen era fushatë. Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për themelimin e Rogovës së Hasit komunë, pa u konsultuar paraprakisht me banorët lokalë, pa e ndryshuar Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, pa i përfillur të gjitha procedurat tjera ligjore…, flet më së miri se koha e fushatës tashmë ka filluar.

Por, ky nuk është vendimi i vetëm që kjo qeveri e ka bërë në prag të zgjedhjeve. Era fushatë paraelektorale u vjen edhe vendimeve tjera si, ndarja e fondit prej 40 milionë eurosh për “dëmshpërblimin” e ish-të burgosurve politikë, nisja e verifikimit të statusit të ish-ushtarëve të UÇK-së, proces i cili me gjasë nuk pritet të përfundojë pa përfunduar zgjedhjet, pastaj rritja e pagave për shërbyesit civilë që parashihet të ndodhë në pjesën e dytë të këtij viti, planifikimi i nisjes së autostradës Prishtinë – Shkup, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim – Asocimit, që pritet të ndodhë këta muaj…

Duarkryq nuk kanë qëndruar as oponentët politikë të kryeministri Thaçi. Secili është munduar me aq “kaçik” sa ka të bëjë fushatë.

UBT

Kryeopozitari kosovar, Isa Mustafa, u është kthyer “parqeve dhe shesheve”. Këtë vit ka sjellë edhe një risi për ta “ndërtuar” kryeqytetin – mbjelljen e shumë pemëve, ndërkohë që me ndërtimet që po bëhen nëpër lagjet e reja të Prishtinës, pas disa vitesh ato lagje do të jenë të tmerrshme, sa që do të ishte e vështirë të kalohen edhe me këmbë, se lëre më që të jetohet në to. Natyrisht se pos promovimit të punës së “madhe” që ka bërë, ka nisur që kapak të sulmojë edhe drejtuesit e partisë në pushtet, si dhe SHIK-un.

Partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, pas ndryshimit të qasjes ndaj qeverisë së drejtuar nga Hashim Thaçi, s’po ka strategji se si të fillojë fushatën paraelektorale. Fjalori që e kishte Ramush Haradinaj në zgjedhjet lokale të 2009-s, duke e kritikuar ashpër qeverisjen Thaçi dhe SHIK-un, kishte bërë që kjo parti të marrë mbi 22 për qind të votave, pra një rritje gati 100 për qind. Por, tani me ndryshimin e qasjes, gjërat duket se do t’iu vështirësohen. Krejt çka është duke bërë kjo parti në prag të zgjedhjeve, është caktimi i disa kandidatëve për kryetar komunash, dhe iniciativa e atyre kandidatëve për të bërë ca aktivitete paraelektorale.

Lëvizja “Vetëvendosje” pavarësisht pati apo s’pati zgjedhje e ka agjendën e vet, e cila është shumë aktive dhe shumë më pranë qytetarëve.

Me një fjalë, partitë politike kanë filluar të përgatiten për garën zgjedhore që pritet të mbahet në vjeshtën e këtij viti, ndërkohë që pikërisht janë këto parti, të cilat në vazhdimësi e penguan realizimin e reformës zgjedhore. Tani kur kemi vetëm edhe disa muaj deri në datën e zgjedhjeve, thuajse do të jetë shumë i vështirë realizimi i reformës zgjedhore, e rrjedhimisht edhe organizimi i zgjedhjeve me ligj të ri. Me gjasë po u shkon përshtati shumicës së partive që të mos e ndryshojnë ligjin zgjedhor, në mënyrë që “vjedhjen industriale” të votave ta praktikojnë edhe në këto zgjedhje, dhe t’i zgjedhin për pushtet lokal servilët, të dëgjueshmit, injorantët…