AAK-në nuk e frikëson afrimi LDK-PDK
Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës nuk e frikëson mundësia e afrimit të Lidhjes Demokratike e Kosovës me Partinë Demokratike të Kosovës. Drejtuesit e LDK-së, ditëve të fundit kanë shprehur hapur mundësinë që të kenë koalicion paszgjedhor me PDK-në, ndonëse këtë e shohin si alternativë të fundit.
Zyrtarët e AAK-së, parti kjo që është parë si partner i mundshëm i PDK-së, një gjë të tillë e konsiderojnë të dëmshme për vendin, duke e pasur parasysh mandatin e kaluar të qeverisjes PDK-LDK.
Stabiliteti qeverisës dhe veprimi mbi bazën e programeve të përafërta të partive politike duhet të jenë faktorët kryesorë që e lidhin një koalicion mes subjekteve politike. Kështu mendon nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, sipas të cilit, çdo veprim artificial dhe mbi interesat e ngushta të individëve ose të grupeve të caktuara, e dëmton qeverisjen e vendit. Sipas tij, njësoj është duke ndodhur aktualisht me koalicionin mes PDK-së e AKR-së, e njësoj ka qenë edhe në mandatin e kaluar të qeverisjes PDK-LDK.
“Sesa është i qëndrueshëm një koalicion i tillë ka treguar koha sepse është thyer në gjysmë dhe nuk i meriton Kosova veprimet të cilat bazohen në interesat e indivdiëve, por duhet të bëhen veprime të cilat janë programore, me stabilitet qeverisës dhe që i kontribuojnë zhvillimit të vendit”, tha Isufi për Radio Kosovën.
Kohëve të fundit AAK-ja është parë si partner i mundshëm i PDK-së për bashkëqeverisje. Mundësisë së afrimit të LDK-së me PDK-në, Isufi thotë se AAK-ja nuk ka pse t’i frikësohet.
“Ne nuk frikësohemi sepse konkurrencën e kemi rritur dhe e dimë sakt që do të jemi në qeverisje në mandatin e ardhshëm. Ne në të ardhmen planifikojmë t’i fitojmë zgjedhjet në nivel vendi dhe nëse vjen në shprehje koalicioni atë do ta bazojmë në programin qeverisës dhe në përafrimin e profilit politik të partive dhe nuk e bëjmë për interesa të ngushta, ashtu siç nuk e kemi bërë atëherë kur kemi pasur kërkesë dhe presion që ta bëjmë”, tha Isufi.
Pas kthimit nga Haga në nëntor të vitit të kaluar, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj pati shprehur gatishmërinë që qysh në këtë mandat të hyjë në qeverisje me PDK-në, por me kushtin që posti i kryeministrit t’i takojë atij. Ndonëse një gjë e tillë nuk u arrit, AAK-ja vazhdon t’i qëndrojë pranë PDK-së, me nënkryetarin e saj, Blerim Shala, i cili ishte emëruar koordinator në dialogun ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq që u zhvillua në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.


