Eko Higjiena

Haziri: Nuk përjashtohet bashkëqeverisja me Partinë e Hashim Thaçit

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Isa Mustafa ka marrë përkrahjen e parë nga një zyrtar i LDK’së, për deklaratën që ka dhënë ditë më parë, se nuk e përjashton koalicionin më PDK’në, pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Ai është Lutfi Haziri, i cili sqaron, se Lideri i LDK’së nuk e ka përjashtuar bashkëqeverisjen me Partinë e Hashim Thaçit, pasi fillimisht Isa Mustafa pret që t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme nacionale.

Në një intervistë për Gazetën Express, Haziri thotë se qëllimi i parë, i dytë dhe i tretë i LDK’së është ta dërgoj në opozitë Partinë Demokratike, ndërsa në pikën e katërt e vendosë mundësinë e përsëritjes së një bashkëqeverisje me PDK’në.

Në vitin 2007, Haziri e kishte quajtur koalicionin mes PDK’së dhe LDK’së si lidhje mes armëve dhe luleve duke përdorur emrin e rock grupit amerikan, Guns N’Roses.

Edhe tash, anëtari i Kryesisë së LDK’së thotë se mund të përsëritet një koalicion mes trëndafilave dhe armëve.

Madje, Haziri thotë se Kosova nuk mund të shmang koalicion Guns N’Roses për shkak të historisë së krijimit të rrymave politike.

Express: Si e vlerësoni deklaratën e Liderit të LDK’së, Isa Mustafa, i cili nuk e përjashtoi PDK’së si partnere të koalicionit në të ardhmen?

L. Haziri: Në radhë të parë më lejoni të flas për qëllimin e tij. Qëllimi i tij, është që LDK t’i fitojë zgjedhjet dhe të dalë parti e parë, që ia jep mundësinë vetës që për herë të parë me qeverisë vetë, me Kryeministër të LDK’së dhe me dal prej radhëve të historisë. Sepse unë jam përfaqësuesi më i lartë që kam qenë Zëvendëskryeministër në Qeveri. Ky është qëllimi kryesor, i cili nuk pa pësuar kurrfarë metamorfoze. Mospërjashtimi i PDK’së është qëndrim racional, që Kryetari i LDK’së e ka në një ambient ku pamundësohet funksionimi i shtetit ose pamundësohet zgjedhje politike tjetër si dhe impononte një koalicion të ardhshëm Guns N’Roses II. Fillimisht e kam quajtur koalicion Kuq e Zi, kur ka qenë çështja e statusit politik të Kosovës.

Express: Në këtë situatë, sa është i mundshëm një koalicion mes LDK’së dhe PDK’së pas zgjedhjeve të ardhshme?

L. Haziri: Me vet faktin se Kryetari i LDK’së nuk e ka përjashtuar një koalicion të tillë tregon qartë që është vlerësu kjo çështje. Nuk ka të bëjë me mundësinë apo me pamundësinë. Këtu ka të bëjë më shumë me nevojën që mund ta ketë vendi. Më lejoni të nënvizoj edhe një herë, që realisht, kjo nuk e ka ndryshuar qëllimin e LDK’së. Dhe, qëllimi i LDK’së, është që me e dërgu PDK’në në opozitë domosdoshmërishtë.

ARKATANA

Express: Megjithëkëtë, ndarja mes LDK’së dhe PDK’së në fund të vitit 2010 ka shkaktuar çarje mes dy partive…

L. Haziri: LDK dhe PDK’ja janë parti historike të këtij vendi. Janë dy asetet më të mëdha që i ka ky vend, të cilat janë përfaqësuese të vullnetit politikë të qytetarëve të Kosovës, që e kanë mbërri rezultatin kapital në rrugën për pavarësi për herë të parë. Në të njëjtën kohë, mes këtyre dy partive ka pasur mosbesim shumë të madh. Hendeku ka qenë jashtëzakonisht shumë i madh dhe ky hendek ka shkuar duke u ngushtuar vite pas viteve. Derisa është vendosur një koalicion i vitit 2008. Por, prapë, ka dal në shprehje ajo që ka ekzistu mes të dy partive dhe me një vendim të njëanshëm, Fatmir Sejdiu e ka ndërpre marrëdhënien e partneritetit me PDK’në dhe mandej, Kryeministri në inercion e ka dërguar vendin në zgjedhje. Mendoj se edhe më tutje ka hendek mosbesimi, por kjo duhet të kapërcehet në të mirë të vendit, ashtu qysh ka ndodhur me shtet-ndërtim – me deklarimin e pavarësisë. Kjo po ndodh me procesin e integrimeve europiane dhe euroatlantike, ku LDK po e jep kontributin e vet në mënyrë që të krijohet stabilitet dhe siguri më e madhe për këtë vend.

Express: Sa mund të jetë i shëndetshëm një koalicion mes LDK’së dhe PDK’së për shtetin e Kosovës?

L. Haziri: Kur flasim për shëndetin, them se ne jemi jashtëzakonisht të sëmurë si shtet. Sëmundja që e ka kapluar shtetin tonë e ka diagnostikuar Brukseli, i cili ka konstatu se Kosova vuan nga sëmundja e krimit të organizuar, korrupsionit dhe mënyrave tjera të qeverisjes së keqe. Tash, sa është e shëndetshme që bashkërisht t’a kapërcejmë këtë sëmundje mund të flasim. Ne po flasim për shtetin e demokracisë dhe demokracia në Kosovë është e rrezikuar seriozisht. Në këtë situatë, Kosovës i duhet stabilitet i jashtëzakonshëm politik, i cili garantohet nga LDK’ja, PDK’ja dhe një pjesë të saj këtu e kanë edhe AAK’ja dhe Vetëvendosje, të cilat nuk mund të injorohen në arritjen e këtij shëndeti të madh të stabilitetit të madh që Kosova ka nevojë.

Express: Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi ka thënë se koalicioni PDK-LDK e ka dëshmu se nuk funksionon…

L. Haziri: z.Isufi e kujton shumë mirë kohën kur ka qenë Ministër i Qeverisë LDK-PDK-AAK, në kohën e periudhës së rëndë të pasluftës. Ky ka qenë hapi më i madh i bashkëpunimit ndërpartiak që është bërë në Kosovë. Nëse Zvicra me 700 vjet histori, edhe më tutje qeveriset me një formulë të përbashkët qeverisëse që është vendi më demokratikë më funksional dhe më i organizuar, atëherë unë nuk përjashtoj mundësinë që një ditë nuk na bën hajër një qeverisje e të njëjtit të tipit zviceran apo të tipit irlandez. Sidoqoftë, Kosova e ka ambientin e vet, formulën e vet qeverisëse dhe gjithçka që këtij vendi i jep stabilitet dhe siguri, natyrisht se nuk përjashtohet.

Express: Koalicionin e parë mes LDK’së dhe PDK’së e keni cilësuar në vitin 2007, si koalicion i luleve dhe armëve. Ka ndryshuar diçka prej asaj kohe?

L. Haziri: Jo, përveç se kemi nxjerr mësim të gjithë nga kjo. Edhe atëherë, edhe tash po e rikonfirmoj se dalja e njëanshme e LDK’së nga koalicioni ka qenë gabim politik. Ka qenë gabim në kohë dhe në veprim. Sidoqoftë, unë e kam mbështet vullnetit politik që Kryesia e atëhershme e ka vendos dhe ne jemi sot ku jemi. Partneritetet e koalicioneve në Kosovë duhet të ndërtohen mbi baza të shëndosha dhe mbi qëllim. Nëse ka qellim të madh politikë dhe nëse ka bazë të shëndoshë, atëherë është funksional. Nëse ka interesa të vogla, interesa grupore dhe interesa të ditës, natyrisht se ato s’mund të funksionojnë. Edhe sot po them se qëllimi kryesor i LDK’së është me dërgu PDK’në në opozitë dhe kjo mbetet formula kryesore. Por, kjo nuk do të thotë se Kosova duhet të sakatohet apo jeta në Kosovë të rëndohet edhe më shumë për shkak të qëllimeve të caktuara politike. Qëllimi i këtij vendi është që të ndërton një bazë zhvillimore ekonomike dhe të ulë papunësinë e varfërinë si dhe hapi tjetër është që të integrohet në NATO dhe në BE. Për këtë qëllim duhet të punojnë krejt dhe për këtë qëllim duhet të gjejmë formula të përbashkëta. Guns N’Roses ka me qenë formulë qeverisëse që Kosovës nuk ke ma iu largu asnjëherë nga tavolina sepse ambienti politik, historiku i Kosovës, ndodhitë në Kosovë e kanë imponuar rezistencën politike paqësore, e cila ka pas karakteristikat e rezistencës aktive natyrisht dhe rezistencën e armatosur çlirimtare. Këto dy lëvizje e kanë sjell rezultatin kapital dhe këto dy lëvizje të mëdha politike nuk mund të përjashtohen nga e ardhmja e Kosovës.

Express: Sa mund t’i ndihmojë demokracisë në Kosovë koalicioni i dy partive më të mëdha në Kosovë?

L. Haziri: Demokracia në Kosovë është në këtë plan dhe në këtë nivel që është. Edhe më tutje mendoj se demokracia në Kosovë është e rrezikuar dhe kur e kam cilësuar koalicionin PDK-LDK si Guns N’Roses e ka pas kuptimin pozitiv dhe jo negativ. Kjo sepse është përfaqësim i dy rrymave me mesazh paqeje. Pra, mesazhi i Guns N’Roses është mesazh i simbolit dhe i kulturës. Është mesazh i thirrjes për paqe. Natyrisht, se këtë simbolik e kam nxjerr për paqe. Ky vend ka nevojë për paqe të plotë mes grupeve politike. Ky vend ka nevojë për paqe të plotë mes grupeve politike. Ka nevojë për paqe mes grupeve etnike dhe në fund mes popujve në regjion. Garantues i kësaj është LDK’ja. Por, definitivisht qëllimi Një, Dy, Tre i LDK’së mbetet edhe më tutje që PDK me dërgu në opozitë dhe qëllimi i katërt nëse krijohet ambienti pse jo edhe koalicioni me PDK’së që është konfirmuar edhe nga Lideri që nuk përjashtohet.