Nuk do të bëhesha ministër i Thaçit
Nexhat Daci thotë se kurrë nuk do të jetë ministër i askujt, meqë sipas tij, nuk i plotëson kushtet për një post të tillë dhe se asnjë post nuk i është premtuar nga Ramush Haradinaj kur bëri koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Lideri i LDD-së duke folur për bashkëpartiakët e tij të cilët e braktisën, thotë të jenë nxitur nga interesa personale pasi kur ka vendosur për koalicion me AAK-në ka pasur mbështetje e plotë të kryesisë së LDD-së, me vetëm tre kundërshtues.
Daci, gjatë një interviste për Kosovapress, ka folur edhe për shkaktarët që kanë penguar marrëveshjen me LDK-në si dhe me Listën “Ibrahim Rugova”.
Pavarësisht se kush do të jetë kryeministër pas zgjedhjeve të ardhshme, Nexhat Daci thotë se kurrë nuk do të pranoj të jetë ministër i dikujt, madje as i kryeministrit aktual Hashim Thaçi.
“Jo, shikoni, unë ministër nuk do të bëhem kurrë i askujt sepse mendoj që nuk i plotësoj kushtet për ministër. Prandaj nuk kërkoj kurrë. Do ta ndihmoja atë qeveri me projekte me strategji zhvillimore, me dije ndoshta, por ministër i askujt as i vetë Dacit. Prindit tim i kisha thënë, jo faleminderit”, ka thënë Daci.
Duke folur për ikjet e nga LDD-ja, ai ka thënë se interesat personale po i shtyjnë anëtarët dhe përkrahësit e tij që ta braktisin partinë që e themeluan në momente të vështira. Insiston që vendimi për koalicionin me AAK-në, ka pasur mbështetjen e plotë të shumicës së kryesisë.
“Ka qenë kundër Shefki Gashi, Fadil Geci dhe Besa Gaxherri. Nuk është se këta kanë qenë kundër vetëm në atë mbledhje, por krejt veprimtaria e dy tre vjeçarit të fundit është parë se dallojnë prej mjedisit tjetër në valorizimin, vlerësimin e punëve që janë bërë, kanë mendime tjera dhe tjerët të gjithë e shihnim se po kërkojnë treg, por është e drejtë e tyre dhe unë asnjë fjalë të keqe prej asnjërit prej tyre”, ka thënë Daci.
Ndërsa, teksa flet për koalicionin me AAK-në thotë se nuk i është premtuar asnjë post nga lideri i saj Ramush Haradinaj.
“Unë po ju them, mua kurrë askush nuk me ka premtuar asgjë, as kurrë askujt nuk i kam kërkuar asgjë. Unë e kam dëshmuar këtë, e kam fituar Prishtinën në zgjedhjet e para dhe nuk kam dashur të jem kryetar. E kam pasur ofertën në prani të Presidentit Rugova me qenë President i Kosovës dhe nuk e kam pranuar, prandaj nuk ka njëri që unë i kam thënë se unë po hyj në punë me kusht që me e pas këtë”, ka thënë ai.
Derisa, për mos arritjen e marrëveshjes për bashkëpunim me LDK-në nuk ka kursyer kritikat ndaj liderit të saj duke thënë se LDD ishte për bashkëpunim, por kundër shkrirjes së saj në LDK si e kërkonte kryesia e saj.
Daci ka shtuar se LDD takime për qëllime bashkëpunimi dhe bashkëveprimi ka pasur edhe me Listën “Ibrahim Rugova” por që kanë rezultuar pa ndonjë marrëveshje. /Telegrafi/


