ARKATANA

Faktori Nenad

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Nenad Rasic ka rreth vetës tetë deputetë, duke u shndërruar kështu në faktor të rëndësishëm politik në Kosovë. Në një intervistë për Express, Ministri i Punës thotë se po shqyrton mundësinë e themelimit të një partie politike. Ai beson se Hashim Thaçi nuk do ta përfillë kërkesën e Slobodan Petrovicit për ta shkarkuar, derisa premton publikisht se do të mbështesë plotësisht Qeverinë.

Express: Çka është duke ndodhur në SLS dhe me raportet e juaja me Slobodan Petrovicin?

N. Rasic: Ky aktivitet dhe kjo iniciativë që është krijuar, ndoshta i ka shtatë muaj, nga deputetët e SLS’së, të cilët kanë kërkuar më shumë angazhim nga të gjithë organet për shkak se nuk kanë qenë të kënaqur me performancën që e kemi pasur ne në Qeveri.

Ata para shtatë muajsh kanë kërkuar të krijohet një Grup i ri Parlamentar që do të jetë shumë më aktiv dhe shumë më dinamik, duke kërkuar angazhime dhe përgjegjësi shtesë në procesin e dialogut dhe në ngritjen e mirëqenies për komunat jugore, por edhe në Veri.

Gjatë këtyre dy viteve e gjysmë nuk kemi pasur rezultatet e pritura. Gjatë këtyre viteve të qeverisjes ka qenë një pasivizëm që e ka përcjell SLS’në, ku nuk kemi marrë kurrfarë iniciativash dhe kemi mbetur shumë pasiv. Para shtatë muajsh një grup i deputetëve të SLS’së më kanë informuar se gjendja në parti është e patolerueshme dhe kanë shpreh gatishmëri të formojnë një Grup të ri Parlamentar. Në atë kohë kam insistuar që të mos ndodh kjo sepse kemi qenë në fillimin e procesit të dialogut. I kam bind se ky hap në atë moment ka qenë jo i domosdoshëm sepse ende nuk i kemi qenë në procesin historik të dialogut Kosovë-Serbi. Pas nënshkrimit të parë në procesin e negociatave, Grupi i ri është aktivizuar në mënyrë që kushtet janë të favorshme që të zhvillojmë një iniciativë të re, një iniciativë agresive në mënyrë pozitive, në mënyrë që të kërkohet edhe më shumë përgjegjësi prej institucioneve në veçanti nga Parlamenti.

Express: Kolegu juaj nga Qeveria dhe SLS’ja Slobodan Petrovic, ka kërkuar shkarkimin tuaj. Cila është përgjigja juaj?

N. Rashic: Kjo është diçka që kam pritur. Unë në mënyrë të parrregullt kam qenë i përjashtuar nga SLS’ja. Ata në mënyrë jostatutare na kanë përjashtuar. E dyta, në mbledhjen e Këshillit Drejtues, i cili nuk ka të drejtë të përjashtoj një anëtar të Kryesisë, nuk kemi qenë të ftuar as unë dhe as deputetët tjerë. Me një hipokrizi maksimale është bërë një njoftim se të gjithë deputetët që kamë dal nga SLS’ja janë të ftuar që ta kthejnë në SLS, por në pasuesin tjetër thuhet se nëse nuk kthehen ata janë të përjashtuar automatikisht. Kjo është një dyfytyrësi e dyfishtë ngase së pari i ftojnë njerëzit të kthehen në parti dhe në fjalinë tjetër thuhet se do t’i përjashtojmë.

Express: Pse e themeluat Grupin e ri Parlamentar?

N. Rashic: Ky, pra, është reflektim i situatës që kemi pasur më herët, ku ka ekzistuar një autokraci e pakuptimtë që nuk ka pas as ndonjë strategji, me të cilën ne do të kishim një performansë më të mirë apo kemi pasur ndonjë veprim që është kërkuar prej nesh. Nuk kemi pasur iniciativa, kemi pasur shumë gabime, ndoshta kemi harxhuar 2 vjet e gjysmë duke kërkuar vetën. Kjo për neve ka qenë një dështim dhe jemi përpjekur dhe kemi organizuar një ideologji, me të cilën kemi me qenë më aktiv dhe më dinamik.

Express: Si do të sillet Kryeministri Thaçi ndaj kërkesës së Zëvendëskryeministrit Petrovic, i cili po kërkon shkarkimin tuaj. Do të t’ju shkarkoj edhe Shefi i juaj në Qeveri?

ARKATANA

N. Rashic: Duhet të kuptojmë se ne jemi në politikë dhe gjithçka është e mundshme. Por, ne po konfirmojmë se si Grupi i ri Parlamentar absolutisht jemi në dispozicion të Kryeministrit jo vetëm në nivelin politik, por edhe në nivelin teknik. Sepse së pari marrim përgjegjësi politike që do të vazhdojmë përkrahjen e Qeverisë në mënyrë që ta mbështesim edhe më shumë procesin e dialogut. E dyta, jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi edhe për implemetimin teknik të marrëveshjes. Në këtë mënyrë ne e krijojmë një fuqi shtesë për gjithë procesin e dialogut, ku shumë herë flitet për inkuadrimin e serbëve dhe në anën tjetër nuk kemi përfaqësim të serbëve në këtë proces. Ne jemi të gatshëm që në nivelin teknik të zbatimit të marrëveshjes të pranojmë përgjegjësinë dhe bazuar në këtë do të veprojmë sikur deri më tash. Marrëveshja që është arritur në Bruksel do të jetë një dokument madhor për neve, jo vetëm si Grup Parlamentar, por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës që janë të komunitetit serbë.

Express: Nga SLS’ja ka pasur akuza se ju jeni të lidhur me Serbinë dhe veprimet e juaja janë të inkurajuara nga Beogradi?

N. Rashic: Absolutisht nuk është e vërtetë. Prapa këtij Grupi Parlamentar nuk qëndron askush prej Beogradit, prej Prishtinës dhe prej asnjërit vend, përveç njerëzve që janë aty. Po e përsëris edhe një herë: Askush nuk qëndron prapa Grupit të ri Parlamentar. Kjo është e pavërtetë dhe nuk është e saktë. Njerëz që kanë pasur deri më tash po i shikojnë se çfarë performanse kemi pasur brenda institucioneve dhe kjo do të mbetet, jo në këtë nivel, por do të vazhdoj edhe më tutje më një performansë edhe më të mirë. Pra, askush nuk qëndron, askush nuk ka planifikuar përveç deputetëve që janë në Kuvend dhe dhjetë mijë votuesit që i kemi dhe na përkrahin në këtë drejtim.

Express: Pse po mendoni se po vepron kështu Slobodan Petrovic. A e keni gjetur arsyen se pse ju largoi nga SLS’ja?

N. Rashic: Veprimet e tij po na tregojnë se sa është njeri demokrat me një pikëpyetje të madhe. Apo sa mund të kupton ai politikën dhe si i shikon gjërat në mënyrë të ngushtë. Shpresoj se në fund të fundit kjo ndarje do të kuptohet si reflektim i situatës dhe Grupi i SLS’së do të angazhohen më shumë. Unë jam i sigurt se edhe në fushën e biznesit, nëse keni konkurrencën, ju punoni më shumë. Shpresoj dhe jam i bindur se pas kësaj ndarje edhe ata do të punojnë ashtu siç do të punojmë edhe ne me dinamikën e lartë dhe me iniciativa të qarta dhe të sakta. Krejt këtë e shoh si diçka pozitive.

Express: Pas këtyre përplasjeve, a ju ka mbetur hapësirë për të punuar në një kabinet qeveritar me Zëvendëskryeministrin Slobodan Petrovic?

N. Rashic: Po, nga ana ime personale. Ne i përfaqësojmë interesat e qytetarëve dhe nuk ka vend për mendime emocionale dhe individuale. Ne e kemi shansin dhe duhet të bashkëpunojmë për hir të interesit të qytetarëve dhe jo interesit ndaj njëri – tjetrit.

Express: Cila do të jetë e ardhmja e juaj politike? Do të formoni parti politike…

N. Rashic: Ende është herët për një konstatim të tillë se do të formojmë një parti politike. Por, është ende herët. Me siguri do të shikojmë mënyrat se si do t’i afirmojmë deputetët që të kenë një performansë më të mirë në Kuvend. Pas kësaj, me siguri se do të mendojmë se çfarë do të veprojmë në të ardhmen. Deri në fund të majit do të punojmë që të fuqizojmë sa më shumë Grupin Parlamentar, duke krijuar politikë dhe strategji. Pastaj do të mendojmë se çka eventualisht do të bëjmë, do të bëjmë ndonjë parti të re siç po thoni ju, apo diçka tjetër. Për këtë do të bisedojmë më vonë.