UBT

Shumë punë, jo shumë pushim!

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Vlora Çitaku – Kur para afro dy vitesh pata thënë se ne në Kosovë kemi shumë ditë pushimi, dhe nuk punojmë mjaft kam pasur reaksione nga më të ndryshmet, shumica negative në Kosovë e shumica pozitive nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë Kosovës. Madje një bashkatdhetar yni nga New Yorku më pat shkruar: “Ministre, pse nuk po e lidhni 17 Shkurtin me Ditë të Evropës e me i ba bashkë nja 3 muaj e fiu pushim?”

E njëmend edhe pse jo “3 muaj e fiu” pushim, kemi shumë ditë pushimi sidomos kur kihen parasysh punët dhe sfidat që kemi para nesh.

Edhe pse do të tingëllojë se po përdori klishe stereotipike, megjithatë një e vërtetë qëndron prapa klisheve. A duhet me të vërtetë të punohet vetëm atëherë kur nuk ke kurrfarë rrugëdalje tjetër apo duhet të punohet sepse po besojmë në një ide, po besojmë se vetëm më punë arrihen qëllimet, po besojmë në një projekt, po besojmë se integrimet Euro-Atlantike janë e vetmja alternativë për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Për shembull, le t’i kthehemi punës që ka mbetur për t’u bërë, e këtu po flas vetëm për liberalizim të vizave, çështjet tjera do të jenë temë diskutimi e temë shkrimi për tjera herë. Plani i veprimit për liberalizim të vizave për herë të parë është bërë në bashkëpunim me Zyrën ndërlidhëse të Komisionit Evropian të cilët këtë plan e kanë vlerësuar lartë si në Prishtinë ashtu edhe në Bruksel. Pastaj do të vijnë misionet faktmbledhëse, për të monitoruar zbatimin e kritereve, rekomandimeve por edhe legjislacionit adekuat për liberalizim të vizave. Këto misione janë jetike dhe aty duhet prezantuar zbatimin sa më mirë të kritereve për liberalizim të vizave, këta ekspertë të cilët do të jenë ekspertë të Komisionit Evropian nga Brukseli por edhe ekspertë të shteteve anëtare do të vijnë në terren dhe do të bëjnë vlerësimin në detaj të zbatimit.

Nuk është caktuar se a do të jenë një apo më shumë misione faktmbledhëse pasi që fusha e udhërrëfyesit është e gjerë por me rëndësi është që do të bëhet konform blloqeve për libaralizim të vizave, këto misione faktmbledhëse do të vijnë në Kosovë gjatë verës dhe do ta dërgojnë raportin e tyre në Shtator.

UBT

Për këtë arsye na duhet të zbatojmë sa më shumë kritere deri në korrik që vlerësimi i misionit faktmbledhës të jetë sa më i suksesshëm. Pas shtatorit do t’i kemi edhe tre muaj kohë për t’i adresuar të gjitha rekomandimet e Misioneve faktmbledhëse dhe dëshirojmë që deri në fund të këtij viti t’i zbatojmë të gjitha kriteret dhe rekomandimet që dalin nga procesi i liberalizimit të vizave.

Qëllimi ynë është që Kosova të udhëtojmë pa viza gjatë këtij mandati të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian. Ju tashmë e dini që në qershor të vitit 2014 do të ketë zgjedhje në Parlamentin Evropian kështu që edhe komisionerët e Komisionit Evropian do të ndërrohen dhe është më se e rëndësishme që ky proces të përmbyllet para përfundimit të zgjedhjeve në Bruksel, përndryshe do të merr edhe një kohë deri sa ato institucione të konsolidohen pas zgjedhjeve.

E tash më thoni a e kemi luksin të pushojmë apo jo? Dita e Evropës, ditë pushimi. Kur ne po e aspirojmë Evropën. 8 ditë në javë janë pak për atë që ka mbetur për t’u bërë. E unë do të qëndroj pas asaj që kam thënë afro dy vite më parë, ne punojmë pak e pushojmë shumë.

Urime ditën e Europës Kosovë, me shpresë që dita tjetër e Europës do të na gjejë në punë, edhe pse 2014-tën kjo ditë i bjen ditën e Premte e shumë kush ka me mbetë pa e lidhë fundjavën!

(Autorja është nënkryetare e PDK-së dhe ministre e Integrimeve Evropiane. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)