ARKATANA

Disa bij dhe një popull qyqar

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Blerina (Rogova) Gaxha – Kur Gjegj Fishta kritikonte shqiptarët, i plaste shpirti pse qenë aq të ndarë e aq të përkulur, dhe aq shumë punoi që t’ua dridhte ato në palcë, për më shumë forcë e më shumë guxim, për të qenë më shumë njerëzor- përmbi veten për të tjerët. “Bijtë e luftës” shqiptarët komunist e vranë të gjallë e të vdekur e i thanë tradhtar. Edhe Konicën e mbiemëruan tradhtar, pse pati gojë dhe foli. Edhe atë e vranë bijtë e luftës përparimtare, partizanët patriotë. Thanë se foli keq. Se prishi imazhin e shqiptarëve dhe të atyre që krijuan vlerat e para intelektuale ndër shqiptari.

Sepse shqiptarëve u pëlqen të shukatin. Le të vëzhgojmë vetëm imazhin ideal.

Transformimi në kulturën shqipe e ka kontaminuar atë. Shoqëria e kontaminuar ka krijuar politikën e kontaminuar. Helmi me të cilin politika e ushqen shoqërinë, është substanca bazë të cilën vetë me duar ia dha. Prandaj sot, burrat e gratë e shtetit janë komod.

Tallavaja e shoqërisë është tallavaja e politikës, tallavaja e politikës, është tallavaja e shoqërisë. Sevdaja e njëra-tjetrës rri në raport të ndërsjellë. Skandalet e njërës janë skandalet e tjetrës. Pushtetarët, intelektualët, punonjësit, hoxhallarët e klerikët, janë të njërës e të tjetrës. Skandalet janë të tyre dhe janë ato që mbushin të çarat e shoqërisë e të çarat e politikës, duke u shndërruar jo rrallë në groteskë. Por, sadakaja e njërës nuk është edhe e tjetrës. Ndoshta!

Skandalet e mediave janë skandalet e kësaj shoqërie, janë plasjet e saj, sepse ajo e ushqen. Po skandali i shoqërisë shqiptare është se ajo është e pagojë, një memece e pafytyrë që asnjëherë nuk ka fytyrë të reagojë, të dënojë. Kultura në transformim ka transformuar edhe gjuhën, edhe normat, konceptet e edhe moralin. Ka transformuar njeriun shqiptar që s’guxon të thyejë heshtjen. Popull qyqar!

FIDANISHTJA

Efektet janë të mëdha e sillen në një qark, ajo që kemi krijuar është një përbindësh i plotfuqishëm politik. Që edhe kur të rreh të urdhëron të zgërdhihesh, edhe kur të sulmon të urdhëron ta përqafosh. Derisa ta rrisë dhe më shumë fatalizmin e pesimizmin. Hipokrizia ngrihet në mbisundimin e ideologjisë nacionaliste për të cilën e me të cilën kapen aq fort elitat politike e kulturore në Kosovë e në Shqipëri. Populli u duhet qyqar sepse vetëm kështu ua shpërlajnë trurin, duke i bindur në mënyrë sistematike se ata nuk janë qenie individuale, nuk janë asgjë përballë interesave të kombit, për të cilat këto elita “punojnë”. Po ku është shteti? Mbi ç’këmbë e mbi ç’krye po rron? Kjo elitë politike, e cila ka 15 vjet që nuk punon për të pakësuar varfërinë, e për ta ngritur mirëqenien e shoqërisë, e polarizon atë, për të mos e parë shembjen e shtetit. Sepse elitat e fuqisë politike nuk i konsiderojnë qenie individuale njerëzit e zakonshëm. Popull qyqar do të thonë! Populli qyqar i duhet trurit politik, për t’ua lehtësuar qoftë hipokrizinë, qoftë ideologjinë e qoftë vetëm diskursin.

Situata “e rastësishme” e muajve të fundit është fytyra jonë. Merita jonë. Ajo që kemi grumbulluar duke duruar. Siç është situata prej 15 vjetësh kryesisht merita e jona. Imazhi i njeriut të lumtur e njeriut përparimtar nuk ka asnjë gjasë të mbijetojë në demokraci.

Ndoshta jemi kaq të pagojë, për shkak se na kanë quajtur si shumë tolerantë e ndoshta vetëm pse nuk kemi guxim. Prandaj zgërdhirja e politikës karshi “qyqarëve” të popullsisë duhet të përpihet çdo ditë. Derisa kjo elitë të kuptojë krizën e tmerrshme në të cilën jemi.

Heronjtë real të shoqërisë kosovare janë larg elitave e hipokrizisë. Por, barra e zgërdhirjeve u bie në shpinë. Askush s’e falë lirinë, askush s’ta falë drejtësinë, po nuk e deshe. As qenie individuale dhe asgjë. Popull qyqar do të thonë! Vetëm fol!

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.