FIDANISHTJA

“Heroi” një film që na bën të ndihemi të barabartë me të tjerët

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

“Heroi” është një film shumë shqetësues. Mbase një prej filmave më shqetësues që kanë krijuar regjisorët shqiptarë deri më sot. Kjo, mbase edhe mund të tingëllojë si një pohim shumë i guximshëm, por ama, mendoj se mund të jetë pohim i vërtetë. Gjithashtu, është më se e sigurt se “Heroi” është prej filmave më të vështirë që është krijuar ndër shqiptarët ngase, trajton një temë që ka ndjeshmëri të madhe për një grup shoqëror të cilin e ndeshim përditshmërisht dhe për dramën e të cilëve mund të dëgjojmë, lexojmë apo edhe shohim në televizionet tona, të thuash përditshmërisht.

Veteranët e luftës, pra. Për këtë, mbase filmi “Heroi” edhe do të mbetet filmi më i vështirë që do ta ndërtojë në karrierën e tij ky regjisor i ri dhe jashtëzakonisht i talentuar i cili ia doli të na bindë (jo vetëm neve shqiptarëve) se filmi shqiptar e ka një të ardhme. Për dallim nga filmat që janë bërë deri më sot, në Kosovë apo edhe në Shqipëri, të cilët rrallëherë flasin apo shprehin diçka të zakonshme dhe nga jeta (këtu përjashtim mund të bëjnë Parullat e Gjegj Xhuvanit), filmi “Heroi” flet me një gjuhë të thjeshtë, drejtpërdrejt dhe përcëllueshëm duke shkaktuar emocion dhe drithërima te shikuesit.

FIDANISHTJA

Është një tregim kompleks i rrëfyer në mënyrë shumë të thjeshtë dhe dramaturgjikisht saktë, aq sa e bën edhe të kuptueshëm edhe për publikun joshqiptar me të cilin, filmi artistik shqiptar të thuash nuk ka komunikuar asnjëherë ashtu siç do të duhej dhe siç komunikojnë filmat e tjerë. Ndaj dhe nuk është e rastësishme që Stiven Shvarc, një prej liderëve të gazetarisë në ShBA, kur e kishte shikuar këtë film në një kinema të Prishtinës, kishte shkruar se “Heroi” është një prej realizimeve kinematografike më të mira që janë bërë në Ballkan ndonjëherë dhe se ka përmasë të vlerave evropiane…(Tribuna).