Kultura kosovare pritet me protestë në Beograd
Këngëtarja kosovare Rona Nishliu ka kënduar nën masa të rrepta sigurie, në festivalin “Mirëdita, Dobar dan” që është hapur në Beograd.
Një grup prej rreth 15 të rinjsh kanë mbajtur pankartën “Kosova është Serbi”, para objektit të Filarmonisë së Beogradit, ku Nishliu ka hapur festivalin që ka për synim të pasqyrojë kulturën e Kosovës në kryeqendrën e Serbisë.
Policia e shtetit ka intervenuar për t’i larguar ata, raporton gazetarja e Kohës Ditore e dërguar në Beograd, për të përcjell këtë aktivitet. Bëhet me dije se koncerti ka vazhduar sipas planit, ndërsa për të siguruar mbarëvajtjen janë parë masa të rrepta sigurie. Nuk është regjistruar ndonjë incident tjetër.
Drejtori i përgjithshëm i festivalit, Millenko Dereta, në lidhje me këtë protestë i ka thënë për Kohës Ditore se reagimet janë më pak se sa që realisht janë pritur.
“Dhe mendoj se kjo është e rëndësishme. Më duhet të them se Qeveria e ka mbrojtur shumë mirë evenimentin dhe në mënyrë efikase. Ndonëse ata nuk e përkrahin zyrtarisht festivalin, ata e bëjnë këtë në praktikë”, ka thënë Dereta.
Ai e ka quajtur këtë ngjarje të rrezikut të lartë.
“Kemi bërë përgatitje sepse ky është eveniment i rrezikut të lartë. Megjithatë, gjithçka është në rregull, jeni të mbrojtur”, ka thënë Dereta.
Në mbrëmjen e parë të festivalit, Rona Nishliu i ka kënduar nëntë këngë në frymën jazz, në gjuhën shqipe, përcjell koha.net. Foto është bërë nga organizatori kosovar, Kushtrim Koliqi. Në ditët në vazhdim në festival do të paraqiten edhe shfaqja “Dilerat” e regjisorit Bekim Lumi, si dhe prezantohen festivalet “Skena UP” dhe “Krokodil”.
© KOHA.net


