Të jetosh në paqartësi
Nga Imer Mushkolaj – Për fajin e politikanëve, qytetarët e Kosovës jetojnë në paqartësi e pasiguri. Njëherë për demarkacionin e vizat e tash për ushtrinë, ata po vazhdojnë të vuajnë teket e politikës. Nuk e dinë çfarë i pret nesër, e për të ardhmen as që bëhet fjalë. Ka gati dy vjet që qytetarëte Kosovës jetojnë në paqartësi politike e juridike, shkaku i përplasjeve partiake për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Ka dy vjet që politika, shteti nuk merret seriozisht me problemet e tyre reale, por një çështje teknike, si demarkacioni, kanë arritur ta kthejnë në problemin kryesor të vendit.
Gjatë gjithë kësaj kohe njerëzit kanë pritur se jeta e tyre do të përmirësohet, se shteti do të shtojë përkujdesjen për ta, se do të lëvizin lirshëm e do të jetojnë me dinjitet. Por, asgjë nga këto nuk ka ndodhur.
Ujdia e munguar për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi ka bërë që tensionet politike të ngrihen dhe, rrjedhimisht, të shtohen paqartësia e pasiguria për të ardhmen. Thua se kjo nuk mjaftonte, paqartësi shtesë solli propozimi i presidentit Hashim Thaçi për ndryshimin e mandatit të FSK’së, e sidomos reagimet negative nga NATO, SHBA e Bashkimi Europian rreth kësaj nisme.
Qytetarët e Kosovës kanë të paqartë shumëçka sa i përket kësaj çështjeje. Ata e përkrahin shndërrimin e FSK’së në ushtri por, në anën tjetër, janë të shqetësuar me reagimet e aleatëve. Dhe kanë të drejtë.
Deri më tash, ecjen e vet shteti i Kosovës e ka ndërtuar me ndihmën e aleatëve dhe garancitë e tyre, sidomos të SHBA’së. Situata aktuale rreth FSK’së shkakton paqartësi e pasiguri shtesë për kosovarët.
* * *
Paqartësitë i ka shtuar edhe vizita e shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini, respektivisht deklarimet e saj për gjendje shqetësuese në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një kohë kur shtetet rreth nesh, si Shqipëria, Serbia, Mali i Zi e Maqedonia përballen me situata jo të lehta, as Kosova nuk mund të qëndrojë imune. Por, gjithçka bëhet më serioze duke pasur parasysh problemet me të cilat vendi përballet tash sa kohë.
Situata e fundit me FSK’në ka nxjerrë në pah veprime inatçore e garë banale ndërmjet politikanëve për të marrë merita, ndërkohë që do të duhej të ishte krejt ndryshe. FSK duhet të bashkojë, e jo të ndajë.
Pavarësisht se ideja e Thaçit nuk është e re e as origjinale, e rëndësishme është që të gjithë të pajtohen për procesin. Natyrisht, Kosova ka nevojë për ushtri, ndonëse jo aso çfarë e konceptojnë shumica e tyre që bëjnë tifo pa ndalë. Kosova ka nevojë për forcë që mbron qytetarin, që i jep siguri qytetarit, e jo për të atillë që ka koncept të tejkaluar..
Si plot gjëra të tjera, edhe për ushtrinë Thaçi vepron me inat e kokë më vete, por kjo është më pak e rëndësishme se qëllimi fisnik që Kosova të ketë një forcë kombëtare mbrojtëse të vërtetë.
Përtej përplasjeve partiake, është gjë e mirë që për këtë çështje thuajse të gjithë janë njëzëri, hiç dilemat për mënyrën e procedimit, që mund të zgjidhet po që se ekziston vullnet politik i të gjitha palëve.
Por, gjithçka duhet të bëhet në koordinim me aleatët dhe pajtimin, qoftë edhe të heshtur, të tyre. Kosova nuk e ka luksin që të veprojë krye në vete dhe të anshkalojë sugjerimet e shteteve dhe organizatave mike. Veprimet e tilla do të ishin shumë të dëmshme.
* * *
Si për t’i vënë kapak ndodhive të fundit, erdhi kërkesa e shoqatave të veteranëve të luftës që të rishqyrtohet ligji për themelimin e Gjykatës Speciale. Një kërkesë e vonuar, e cila del në sipërfaqe me urdhrin e kushedi kujt, mbase të ndonjërit që mund të ketë marrë vesh me vonesë se gjendet në shënjestër të gjykatës.
Gjykata Speciale është votuar nga deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe është e pamundshme të zhbëhet. Pavarësisht se dikujt në Kosovë mund t’i vijë përshtati destabilizimi i situatës dhe krijimi i një tjetër realiteti.
Ata njerëz që i përfaqësojnë veteranët e luftës do të duhej të merreshin me çështje që i takojnë anëtarësisë së shoqatave të tyre, do të duhej të merreshin me veteranët e rremë që iu qesin hije të zezë edhe atyre të vërtetëve, e jo me kërcënime të ulëta për të futur me dhunë në rend dite rishqyrtimin e ligjit për Specialen.
Puna e Speciales ka mbaruar dhe ish-ushtarët e UÇK’së, ndër të cilët edhe ata në pushtet e institucione, nuk kanë nevojë të brengosen, nëse konsiderojnë se nuk kanë kryer të krime. Gjykata Speciale do t’i gjykojë individët, e jo UÇK’në. Natyrisht, të gjithë e dinë që kjo gjykatë nuk është e drejtë dhe është diskriminuese. Por, pasi nuk kemi pasur vullnet t’i gjykojmë vetë krimet e pretenduara tonat, do të na i gjykojnë të tjerët.
Veteranët e vërtetë nuk duhet të lejojnë që udhëheqësit e tyre t’i keqpërdorin për interesa personale. Askush nuk ka nevojë për doza shtesë paqartësie e pasigurie, në këtë situatë edhe ashtu të paqartë e të pasigurt.


