Azemi humb sezonin, klubi e zëvendëson
Greuther Furth konfirmon ‘vijën e kuqe’ për Ilir Azemin dhe gjen zëvendësuesin e tij.Ilir Azemi e ka humbur sezonin. Lajmi konfirmohet edhe nga ana e klubit gjerman Greuther Furth. Aksidenti automobilistik që për pak nuk përfundoi me fatalitet, i ka vënë ‘vijë të kuqe’ sezonit të sulmuesit të Përfaqësueses së Kosovës, i cili mund t’iu kthehet fushave të blerta vetëm në vitin e ardhshëm.
Lajmin e konfirmon klubi i Greuther Furthit përmes Martin Meichelbeck, i cili duke e vënë në pah dëshirën e madhe të 22-vjeçarit për tu kthyer sa më shpejtë në fushë, konfirmoi që ai e ka humbur sezonin. Pos kësaj, Meichelbeck flet edhe për fazën e rikuperimit, e cila sipas tij po shkon mirë.
“Iliri ka shumë shpresë që mund të luajë përsëri. Kjo është pozitive. E rëndësishme po ashtu është se operacionet janë duke shkuar mirë dhe kockat mund të rindërtohen përsëri. Por, ky sezon ka përfunduar për të”, deklaroi Meichelbeck, përcjellin mediat gjermane. Azemi gjatë kohëve të fundit ka pasur vazhdimisht probleme me klubin. Greuther Furthi nuk dëshironte ta lëshonte ndërsa Azemi dëshironte të largohej.
Pa rrugëdalje, reprezentuesi i Përfaqësueses së Kosovës kishte vendosur që të vazhdojë karrierën te Furthi duke premtuar edhe më shumë gola, por këtë aspiratë të tij e ndali ai aksident fatkeq automobilistik.
Klubi e zëvendëson
Duke qenë sulmuesi kryesor i Greuther Furthit, mungesa e Azemit duhej gjithsesi përmbushej nga ana e klubit gjerman. Në këtë mënyrë, drejtuesit e Furthit kanë arritur marrëveshje me sulmuesin Marco Rodrigo Rojas, i cili shihet si zëvendësuesi ideal për Azemin. Në të llogaritë shumë trajneri Frank Kramer.
“Unë kam kërkuar me ngulm që ta marrim Marcon. Ai më ka lënë përshtypje të mëdha, sidomos në aspektin fizik. Ai është i gjallë, i shpejtë dhe shënon gola. Stuttgarti ka punuar shumë mirë me të”, deklaroi Kramer, i cili siç dihet ka pasur vazhdimisht probleme me Azemin gjatë kohëve të fundit. Greuther Furthi e ka huazuar për një vit sulmuesin Rojas, i cili është pjesë e Stuttgartit.
Do t’i mungojë edhe Kosovës
Bashkë me Greuther Furthin, Ilir Azemin e ka humbur edhe Përfaqësuesja e Kosovës. Përzgjedhësi Albert Bunjaku nuk do të mund të llogaritë në shërbimet e sulmuesit shtatgjatë në miqësoret e radhës.


