Zeneli kthehet në shtëpi
Pas disa muajve të kaluara në Izrael te Maccabi Petah Tikva, Erfan Zeneli është kthyer në Finlandë, te skuadra në të cilën edhe u formua si futbollist, Helsinki.
Futbollisti kosovar para disa ditëve iu ka bashkuar Helsinkit në stërvitje, e po ashtu luajti në humbjen prej 6:0 nga Barcelona. Pas atij takimi, mesfushori vushtrrias ka nënshkruar kontratë me gjigantin finlandez për një vit, me mundësi të vazhdimit të bashkëpunimit.
“Helsinki është sikur shtëpi e imja. Kam luajtur shumë ndeshje për këtë skuadër dhe ndihem mirë. Kisha edhe mundësi tjera, por Helsinki ishte opsioni më i mirë dhe më i preferuari i imi”, ka deklaruar Zeneli, i cili ishte njëri prej futbollistëve më meritorë në sukseset e viteve të fundit të Helsinkit. Për këtë skuadër ai i ka shënuar 27 gola dhe shumë asistime në rreth 160 ndeshje.

