Matematikanët e rinj: Mosakreditimi i Matematikës, i pajustifikueshem
ReaniMAT – grupi i maturantëve të rinj që dëshirojnë të studiojnë matematikën i kanë dërguar letër të hapur Rektoratit të UP-së, AKA-së dhe MASHT-it.
Letra e plotë e ReaniMAT-t
Letër e hapur drejtuar Rektorit të UP-së, AKA-së dhe dhe MASHT-it
Tashmë të gjithë jemi në dijeni për mosakreditimin e Programit të Matematikës në Fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore në Universitetin «Hasan Prishtina» (FSHMN).
Ky problem më së shumti na dëmton neve maturantëve të cilët vite më radhë kemi investuar kohë, punuar me zell dhe përkushtim të madh për të kryer përgatitjet e nevojshme që të mund të zgjedhim studimin e matematikës si profesion ideal jetësor.
Është e patolerueshme që një gjenerate të shkëlqyer dhe shumë shpresëdhënëse t’i mohohet e drejta themelore për shkollim, përkatësisht në këtë rast e drejta për të studiuar matematikën.
Çka është gjithashtu shqetësuese është mënyra se si jemi informuar për këtë vendim, pa ndonjë paralajmërim, në momentin kur po bëheshim gati të dorëzojmë aplikacionet në FSHMN për matematikë, nuk e kemi gjetur opsionin për matematikë qe ishte e papritur dhe shokuese për neve, duke mos na lënë mundësi që të aplikojmë të paktën në ndonjë universitet tjetër, nga hutia e shkaktuar e këtij vendimi absurd.
Askush deri më tash nuk ka thënë që nuk nevojitet matematika apo që nuk ka staf dhe infrastrukturë adekuate në UP për një program të matematikës. Krejt arsyet kanë qenë tek disa formularë të dorëzuar me ose pa vonesë.
Ne e kundërshtojmë fuqishëm që mëritë personale të udhëheqësve të na dëmtojnë neve matematikanëve të ardhshëm.
Po ashtu, është nënçmuese për ne studentët e ardhshëm që u.d. rektori i UP-së flet për mosakreditimin e programit të matematikës në prizimin e rrogave të stafit të matematikës e jo në sigurimin e një programi fundamental për UP-në dhe shoqërinë, duke harruar se si i pari i universitetit ai e ka përgjegjësinë për dështimet brenda UP-së.
Për tu mos u bërë vetjak do të numërojmë edhe arsye tjera të cilat e dëmtojnë shoqërinë tonë:
Deficiti i kuadrove të punës – Asnjë i diplomuar i këtij drejtimi nuk ka mbetur pa punë, dhe as 30% e nevojave te arsimit parauniversitar nuk janë te plotësuara në kuadër të matematikës.
Matematika është mbretëreshë e shkencave ekzakte, pra si e tillë implikon varshmërinë e shkencave tjera ndaj saj, sepse një matematikan i aftë prodhon fizikanë, programerë, inxhinierë, arkitektë, ekonomistë të aftë etj. Pra zhvillimi i matematikës i sjell shoqërisë profesionistë të fushave të lartpërmendura nga të cilat varet zhvillimi ekonomik e social i Kosovës. Dhe as që dyshohet që Kosova ka potencial për matematikanë të aftë.
Edhe njëherë e ritheksojmë që është i pajustifikueshem ky vendim për çfarëdo preteksti.
Përkundër arsyetimeve të AKA-së ne kërkojmë që me anë të një marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Universistetit të Prishtinës dhe Agjencisë Kosovare të Akreditimit të hapet konkursi në Programin e Matematikës sa më shpejtë. Ftojmë që nëse dikush nga këto tri institucione bashkëndjenë me ne në padrejtësinë që po na ndodh, le të merr iniciativën për arritjen e një marrëveshje të tillë. E nëse askush nuk merr një hap të tillë kjo së pari tregon për mosinteresimin e tyre për ne (nxënësit) dhe për vendin tonë, dhe së dyti ne ju bëjmë me dije se nuk do të qëndrojmë duarkryq ndaj këtyre padrejtësive.


