FIDANISHTJA

Berishaj: UP do të përballet me krizë buxhetore

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Universiteti “Hasan Prishtina” do të përballet me krizë të thellë buxhetore, për shkak të mospagesës së semestrit nga ana e studentëve, vendim ky i cili është marrë kohë më parë nga kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi.

Megjithatë, u.d. i rektorit të këtij universiteti, Anton Berishaj, ka thënë se shpreson shumë se cilado qeveri që vjen do t’i dalë në ndihmë UP-së, në të kundërtën UP duhet t’i shkurtojë shumë linja buxhetore duke e përfshirë edhe pagën e stafit akademik.

Në një intervistë për Kosovapress, Berishaj ka folur edhe për çështje të tjera siç është regjistrimi i studentëve të vitin e parë akademik sivjet, buxhetin e UP-së, ish rektorin, Ibrahim Gashi, si dhe asistentët të cilët ishin arrestuar për keqpërdorim të detyrës në vitin e kaluar.

“Ne do të vijmë në situatë që ndoshta nuk do të kemi para jo vetëm për të ardhura, por edhe që të funksionojmë dhe të funksionalizojmë disa veprimtari për disa linja buxhetore që ne i kemi paraparë. Megjithatë po mbes me shpresë se pavarësisht kushdo vjen në qeveri dhe në krye të qeverisë duhet të manifestoj sens që ne të na shkurtohet buxheti pa asnjë faj, edhe që të funksionojë edhe më tutje edhe që të mos vijë UP-ja në krizë që të reflektojë me një sens që ne të na i kthej ato para që i humbim për arsye se këto janë para nga të hyrat që ne i kemi menduar. Unë absolutisht nuk po mund ta paramendoj kushdo qoftë ai që vjen që ka interes si qeveri me e pru universitetin e Prishtinës në krizë”, ka thënë Berishaj.

Ai ka thënë se nuk e beson se do të vijë deri te mospagesa e stafit akademik dhe braktisja e mësimit për këtë arsye, por ka shtuar se mund të ketë shkurtime të pagesave.

Megjithatë, ai ka thënë se për një gjë të tillë nuk do të rri duarkryq nëse do të jetë në këtë pozitë por është shprehur se njëjtë mendon edhe për të tjerët që mund të jenë në krye të UP-së.

Berishaj nuk ka thënë qartë se do të konkurroj për mandatin e dytë, por ka thënë se nëse do të jetë në këtë detyrë ka plane se si të menaxhoj me Universitetin Publik.

Rektori në detyrë ka folur edhe për ish rektorin Ibrahim Gashi, për të cilin ka thënë se është duke punuar në UP pasi ai ka plotësisht të drejtë edhe pse i njëjti kishte dhënë dorëheqje nga studentët me dyshimin se e ka falsifikuar një punim shkencor në saje të të cilit e ka marrë gradën e doktoratës.

UBT

Në detyrë janë kthyer edhe disa asistentë të Fakultetit të Mjekësisë të cilët ishin arrestuar muaj më parë me dyshimin për falsifikim të notave dhe keqpërdorime me regjistrim të studentëve në këtë fakultet.

Ndërsa, sa i përket një drejtimi në Departamentin e Matematikës në UP, Berishaj ka thënë se nuk do të marrë asnjë masë pasi që për një gjë të tillë nuk ka kompetencë. Mirëpo, ai ka shtuar se stafi akademik në këtë drejtim më shumë se që e ka ndëshkuar veten duke ia shkurtuar normën.

Megjithatë, rektori ka theksuar se po bënë përpjekje që ta fus në procedurë të akreditimit edhe këtë drejtim dhe në tetor të shpall konkurs për ata që dëshirojnë të regjistrohen në këtë fushë të studimit.

Rektori ka folur edhe për publikimet shkencore dhe gradat shkencore të të gjithë stafit të UP-së, për të cilat ka thënë se nuk kishte premtuar se do t’i publikoj publikimet shkencore që nuk e kanë këtë nivel por se do t’i publikoj CV-të në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi t’i shohin, gjë të cilën është shprehur se e ka bërë.

Rektori ka folur edhe për rekomandimin që ia ka bërë Ministria e Arsimit që ta anuloj konkursin e doktoratave në UP, i cili ishte shpallur vitin e kaluar për çka ka thënë se nuk e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.

Berishaj ka thënë se MASHT ka fuqi vendimmarrëse për ta anuluar këtë konkurs, mirëpo Universiteti i Prishtinës nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

Ndërkohë, sa i përket regjistrimit të studentëve në afatin e parë të regjistrimeve në Universitetin e Prishtinës, rektori në detyrë, Anton Bershaj, ka thënë se është i kënaqur me këtë proces, megjithëse thotë se nuk mund të konstatoj se ai ka kaluar qind për qind mirë dhe pa asnjë parregullsi.

Sipas Berishajt, dyshimet për keqpërdorime në këtë aspekt gjithmonë ekzistojnë, mirëpo ai ka shtuar se si menaxhment do të ndërhyj ndokund ku dyshohet se është devijuar procesi./Telegrafi/