I mungon bakllavaja
Mërgim Mavraj iu gëzua festës së Fitër Bajramit. Mirëpo, futbollistit kosovar i mungonte diçka e rëndësishme për këtë festë.
Ai nuk mundi ta shijonte ëmbëlsirën tradicionale shqiptare, bakllavanë. E festimi i kësaj dite të madhe për të, dukej i mangët pa ëmbëlsirën të cilën e ka më së shumti në qejf.
Për shkak të angazhimeve me klubin e tij të ri, Koln, atij i shkoi lëngu nga goja për një copëz bakllava.
“Për Bajram përgatiten shumë specialitete dhe ëmbëlsira, ndërsa njëra prej tyre është bakllavaja. Është një ëmbëlsirë e mrekullueshme me arra. Bakllavaja po më mungon në kampin stërvitor”, u shpreh përfaqësuesi shqiptar në një intervistë për të përditshmen gjermane, “General Anzeiger”.
Futbollisti shqiptar ka folur edhe për muajin e shenjtë të Ramazanit, të cilin ai e agjëroi edhe pse kishte angazhime me klubin.
“Ramazani dhe agjërimi nuk kanë për qëllim që të shfaqin një moment vuajtjeje për popullin, por për të ushtruar maturi. Këtu, në kampin stërvitor, është e vështirë të agjërosh. Unë jam vazhdimisht udhëtar dhe larg shtëpisë. Dhe këtu në Koln është e vështirë, sidomos në periudhën e përgatitjeve. Kur njeriu nuk pi e as nuk ha deri në perëndim të diellit, ndërkohë që ushtron, është e vështirë. Gjithashtu, rritet mundësia e lëndimeve”, shpjegoi ish-futbollisti i Greuther Furthit, i cili është njëri prej futbollistëve më fetarë nga shqiptarët që luajnë në Evropë.


