UBT

Të hiqet fare testi i maturës

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Nga Sinan Sadiku – Ato që i tha Nehat Mustafa për testin e maturës janë më shumë se tallje. Ka vite që testi i maturës kopjohet masivisht. Këtë e kanë treguar rezultatet e arritura viteve të kaluara. Më së shumti 10% e nxënësve mund ta kryejnë testin me forcat e veta. Sa herë që është arrit më shumë, është arrit me vjedhje.

Testi i maturës është vetëmashtrimi më i madh që ministrat e arsimit ia kanë bërë vetvetes dhe popullatës. Viteve të kaluara ministrat janë krenuar me rezultatet. Testi i maturës përfundimisht e ka shkatërruar arsimin shqip në Kosovë. Ai i ka barazuar të dijshmin me të padijshmin, punëtorin me hajnin. Bile mund të themi se testi i maturës i ka nxjerr fitues nxënësit e dobët , ndërsa i ka ndëshkuar të mirët, shumë të mirët dhe të shkëlqyeshmit.

Testi i maturës është padrejtësia më e madhe që iu bëhet të rinjve kosovarë. E kam fjalën për ata të rinj ose ato të reja që kanë mësuar. Në rrethanat e krijuara më e mira është të hiqet fare testi i maturës, sepse përkundër shumë të metave që ka vlerësimi i nxënësve nga profesorët, ai është shumë më real se “rezultatet” që po dalin nga testi i maturës. Ato “rezultate” janë të tmerrshme.

Testin e maturës janë duke e kryer edhe nxënësit që shkollën e mesme e kanë kryer me dysha të falur dhe që nuk i dinë gjërat më elementare, siç janë tabela e shumëzimit, me kënd kufizohet Kosova, të cilët nuk janë në gjendje ta shprehin asnjë mendim në formë të shkruar; të cilët nëse e shkruajnë një gjysmë faqeje tekst bëjnë më shumë gabime seç ka fjalë teksti.

Bile shpesh mu ata nxënës marrin më shumë poenë se nxënësit që kanë kaluar me pesëshe, ose me katërshe e të cilët krahasuar me ata që kanë kaluar me dysha të falur, të paktën i dinë gjërat elementare. Po të organizohej siç duhet testi i maturës, ne do ta dinim ku jemi , sa dinë nxënësit tanë, ndërsa në situatën e krijuar më së paku guxojmë t`i besojmë testit. Këtë e dinë të gjithë në Kosovë. Së pari e dinë në Ministrinë e Arsimit, sepse nëse nuk e dinë do të thotë se ose janë të fjetur, ose nuk jetojnë në mesin tonë. Dhe fajtorët kryesorë janë po Ministria e Arsimit dhe vetë ministrat Hoxha e Buja.

Tani për këtë që ka ndodhe do të ishte e padrejtë të ndëshkohet ndonjë monitorues, prind, apo nxënës i pa krah, sepse më së paku janë fajtor nxënësit, e më së shumti ministri i arsimit, zëvendësministri dhe të tjerët sipas hierarkisë, të cilët e kanë krijuar një ambient të tillë. E kanë krijuar një atmosferë të tillë në të cilën edhe nxënësit e shkëlqyer nuk i besojnë veti, nuk kanë kushte për punë nga zhurma dhe tollovia që krijohet në ambientin ku mbahet testi.

Andaj edhe të tillët, pra nxënësit e ndershëm të mirë dhe të shkëlqyeshëm, në përpjekje për të garuar me nxënësit e dobët që nuk i dinë gjërat elementare, për të mos mbet prapa tyre, nuk kanë si të veprojnë ndryshe përveçse të shërbehen me telefona, dhe t`i presin përgjigjet nga jashtë.
Këtë vit do të duhej të anulohej në tërësi, në tërë Kosovën testi i maturës dhe të mos organizohet fare. Nxënësve duhet t`u mundësohet të regjistrohen në fakultete duke ua llogaritur poenët sipas suksesit, gjegjësisht sipas notave që i kanë në ditar dhe rezultateve që i tregojnë në testet pranuese nëpër fakultete. E di që notat janë të fryra, e di që edhe ato janë larg reales, larg të drejtës, por janë shumë më reale dhe më të drejta se rezultatet që kanë dalë viteve të kaluara dhe që do të dalin këtë vit nga testi i maturës.

Testi i Maturës është më së shumti i lidhur me emrin e Nehat Mustafës. Pikërisht njëri nga përgjegjësit kryesor që gjendja ka arrit aty ku është, është njeriu në fjalë. Ai do të duhej të dalë para opinionit ta pranoj se ka dështuar dhe të mos i dëgjohet zëri më e jo që përgjegjësinë dhe fajin të tentoj t`ua hedhë të tjerëve. Të gjithë ata zyrtarë që kanë pas rol në organizimin e testit të maturës e të cilët deklarojnë se ai ka shkuar mirë, ka qenë i suksesshëm , se ka pas tentime sporadike për kopjime etj., gënjejnë . Ata nuk ja duan të mirën rinisë tonë, nuk ia duan të mirën Kosovës, nuk ia duan të mirën kombit. Veprimet e tyre duke e goditur elitën e rinisë tonë e godasin mu në zemër kombin . Dihet në çdo shoqëri elita është pakicë; por pakicë që shoqërinë e lëvizë përpara.

ARKATANA

Më lartë shkrova se testin e maturës mund ta kryejnë me forcat e veta më së shumti 10% e nxënësve që e kanë kryer shkollën e mesme. Kjo shifër është e ultë. Në radhë të parë është e ultë sepse niveli i arsimit tek ne është i tillë, i ultë. Zakonisht profesorët nuk dinë t`ua shpjegojnë mësimet ashtu siç duhet nxënësve. Pastaj nuk i përfundojnë programet deri në fund, por ju mbeten pjesë të tëra të librave pa i shpjeguar. Disa nga ata janë këshilltarë komunal dhe nuk i mbajnë as gjysmën e orëve, sepse janë të zënë nëpër mbledhje të kuvendeve komunale, të komiteteve të ndryshme, nëpër vizita jashtë e brenda Kosove, nëpër trajnime politike etj.

Pyetjet e testiti të maturës janë tepër të vështira. Aq të vështira sa në disa lëndë edhe në rastin kur profesori e ka shpjeguar lëndën taman siç duhet, dhe nxënësi po ashtu e ka mësuar taman siç duhet rezultati nuk del i mirë. Në këtë rast nxënësi e kalon testin me 60 deri në 70% të përgjigjeve të sakta. Këtë në rrethanat tona mund ta arrijnë 2 deri në 3% të nxënësve!

Unë mendoj që pyetjet e testit të maturës nuk do të duhej të ishin aq të komplikuara. Do të duhej të ishin më të qarta dhe të kërkonin nga nxënësi që të ketë njohuri shumë të mira për të dhënë përgjigje në 80% të pyetjeve, ose që të ketë njohuri të shkëlqyeshme për të dhënë përgjigje të sakta në 100% të pyetjeve e jo të kërkohet nga ai që të ketë njohuri të jashtëzakonshme për të dhënë përgjigje të sakta në 80% të pyetjeve.

E di që në Zvicër dhe Gjermani rreth 15% e nxënësve shkojnë në Gjimnaz dhe më pak se aq shkojnë në fakultet. Por ata që e kryejnë gjimnazin janë të kompletuar me dije të përgjithshme. Ata që kryejnë shkolla profesionale shumica aftësohen për profesione të ngushta dhe detyrat i kryejnë me suksese. Vetëm më të zgjuarit që dëshmohen me rezultate në punë, me inteligjencë dhe dije ndjekin kurse të ndryshme e ndonjë kryen edhe fakultet dhe doktoron.

Por të tillët janë të paktë. Testi i maturës tek ne do të duhej të ishte i tillë që ta kryejnë me meritë 15% e nxënësve të cilët pastaj do të kryenin edhe fakultete dhe do të bëheshin kuadro.

Por, realiteti dihet. Një punëdhënës me brengosje të madhe më informoi se gjysma e kandidatëve me fakultet ekonomik të kryer në universitete private, që kishin aplikuar për t`u punësuar në ndërmarrjen e tij, nuk kanë mundur t`i zgjidhin detyrat matematikore për zgjidhjen e të cilave është dashur t`i njohin vetëm 4 veprimet aritmetikore!

Neve më së paku na duhen diploma pa mbulesë dhe teste për të cilat nuk do të thosha se na vetmashtrojnë sepse realitetin e dinë edhe ata që flasin për suksese, por nuk di si ta definojë ndryshe për veçse si përpjeke për ta gënjyer veten dhe të tjerët me letra, me dokumente, me diploma./rajonipress/