Vendimi për Haradinajn nxit protestë gjithëpopullore
Gjykata franceze në Colmar dje e ka shtyrë edhe për një muaj vendimin për kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn. Ai ishte arrestuar më 4 janar në aeroportin ndërkombëtar Basel-Mulhouse, më saktësisht në pjesën franceze të tij. Pas lajmërimit të gjykatës dje Haradinaj ka thënë se ky është një turp i drejtësisë dhe se tani zyrtarisht është “peng politik”.
Për shtyrjen e vendimit ndaj Haradinajt kanë reaguar edhe krerët e institucioneve në Kosovë, mirëpo edhe ata të partive politike. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, ndërkohë që është paralajmëruar protestë gjithëpopullore më datën 4 mars.
Presidenti Thaçi shtyrjen e vendimit e ka quajtur padrejtësi pasi, sipas tij, Haradinaj e ka dëshmuar veten para drejtësisë ndërkombëtare disa herë. Ndërsa kryeministri Mustafa u ka bërë thirrje institucioneve franceze që ta rikthejnë liderin e AAK-së në Kosovë. Krejt në fund Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një komunikate për shtyp, ka paralajmëruar protestë ditën e shtunë, gjë e cila është përkrahur edhe nga dy partitë tjera opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje” dhe “Nisma”./zeri/


